English

Mbrojtja e Metës sulmon ashpër veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme në Gjykatën e Lartë

Tiranë, 20 Qershor 2011 NOA/ Ervin Tirana - Shkeljet e konstatuara gjatë fazës së hetimeve paraprake e bëjnë procesin hetimor, si pjesë integrale e procesit gjyqësor, të paligjshëm, vlerëson mbrojtja ligjore e Ilir Metës. Sipas saj, organi i akuzës, gjatë fazës së hetimeve paraprake lidhur me procedimin penal nr. 1 të vitit 2011, ka kryer veprime hetimore në kundërshtim me ligjin procedurial penal. Këto shkelje, sipas natyrës së tyre, dhe sipas hierarkisë së ligjit të shkelur, janë renditur si nga avokatët e z.Meta të cilët thanë sot në Gjykatën e Lartë se “Prokuroria ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe Ligjin Procedural Penal”.

Avokatët e Metës kanë depozituar pranë gjykatës kërkesën paraprake për shpalljen të pavlefshme të provave, veprimeve hetimore paraprake dhe konkluzionet e ekspertëve të huaj.

Mbrojtja ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të të gjitha veprimeve paraprake hetimore të kryera nga prokuroria e Tiranës, pasi Ilir Meta në momentin e e kryerjes së këtyre veprimeve hetimore, ishte person me imunitet dhe si i tillë, çështja i kalonte direkt prokurorisë së Përgjithshme.

Provat e paraqitura si video, ora e tavolinës që ka shërbyer për regjistrimin, CD të paraqitura nga Dritan Prifti pasi nuk janë mjetet origjinalet me të cilat është kryer përgjimi.

Avokatët mbrojtës thanë se përgjimi nuk është bërë sipas dispozitave ligjore dhe për të denoncuar një vepër penale, por është bërë për arsye shantazhi. Në kërkesën paraprake, kërkohet gjithashtu shpallja e pavlefshme e konkluzioneve të ekspertëve të huaj pasi prokuroria nuk e ka vënë në dijeni mbrojtjen, e cila mund të kishte dhënë opinion në lidhje me çështjen në fjalë.

Gjatë relatimit të argumenteve mbrojtëse, avokati Petrit Serjani, është shprehur se mbrojta nuk ka mohuar kryerjen e bisedave mes personave në video, por ka këmbëngulur se zbardhja e videos me titra është manipuluar nga Dritan Prifti dhe persona të tjerë, duke kërkuar edhe shpalljen te pavlefshme të dëshmive të dhëna nga Dritan Prifti si person i akuzuar në një çështje të ndërlidhur me çështjen në fjalë.

Ndërsa prokurori Bujar Sheshi, i ka kërkuar Kolegjit Penal kohë të mjaftueshme për studimin e kërkesës paraprake të depozituar nga mbrojtja, kërkesa e prokurorit u pranua duke shtyre seancën e radhës më 27 qershor.

Kështu, ndërsa ndaj ish ish-zv/kryeministrit, njëherësh lider i LSI-së, rëndon akuza e korrupsionit aktiv, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pranoi gjykimin në mungesë të Ilir Metës dhe përfaqësimin e tij nga dy avokatët Pertit Serjani dhe Gëzim Veleshnja.

Relatori i çështjes Ardian Dvorani, ka njoftuar dorëheqjen nga çështja të gjyqtarit Besnik Ymeraj i zëvendësuar nga gjyqtarja Majlinda Andrea, si dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij nga çështja.

Më poshtë mund të ndiqni të plotë Kërkesën për konstatimin e shkeljeve ligjore gjatë fazës së hetimeve paraprake:

ORGANI AKUZES KA KRYER VEPRIME HETIMORE JASHTE AFATIT LIGJOR, DHE I KA KRYER KETO VEPRIME KUR PERSONI NDAJ TE CILIT KRYENTE HETIME KISHTE MBROJTE TE POSACME KUSHTETUESE

Së pari: Nga analiza e veprimeve hetimore që lidhen me afatet del se, në datën 12. 1. 2011, Prokuroria e Rrethit gjyqësor Tiranë ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 136 të vitit 2011, bazuar në transmetimin e datës 11. 1. 2011, në emisionin “Fiks-Fare” të orës 20. 10 e në vijim të Televizionit “Top Channel”, të një regjistrimi audioviziv të bërë me kamera të fshehtë.

Më tej, organi i akuzës i rrethit gjyqësor Tiranë ka vazhduar të kryejë veprime hetimore lidhur me këtë procedim deri në datën 19. 1. 2011, kur shpalli moskompetencën e tij lëndore për hetimin e këtij procedimi penal.

Në vendimin e datës 19. 1. 2011, përfaqësuesi i akuzës në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Tiranë arsyeton se ai nuk është kompetent për hetimin e këtij procedimi pasi, sipas deklarimeve të shtetasit Dritan Prifti, shtetasi Ilir Meta i ka kërkuar të kryejë veprime të kundërligjshme apo korruptive.

Përfaqësuesit e akuzës në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Tiranë, nga çfarë kishin parë të transmetohej në emisionin “Fiks Fare” dhe nga veprimet hetimore të kryera prej tyre, konstatuan se nuk ishin ata kompetentë për hetimin e këtij procedimi por Prokuroria e Përgjithshme. Ky ndryshim kompetence u përcaktua nga fakti se shtetasi Ilir Meta, që dukej në videon e transmetuar, ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zv/Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Për këtë arsye, të gjitha veprimet hetimore të kryera nga data 12. 4. 2011 e deri në datën 9. 5. 2011, kur përfunduan hetimet nga organi i akuzës, janë kryer jashtë afatit ligjor të përcaktuar në nenin 323/1 të Kodit të Procedurës Penale, pasi, në bazë të kësaj dispozite, afati përfundimtar është 3 muaj.

Pretendimi i mësipërm për shkelje të afateve mbështetet nga faktet si më poshtë vijon:

Në datën 12. 1. 2011, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke marrë shkas nga emisioni “Fiks-Fare”, ka regjistruar procedimin penal nr. 136 të vitit 2011, sepse në regjistrimin audioviziv të shfaqur në televizionin Top Channel dallohen qartë figurat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, Ilir Meta dhe Dritan Prifti, dhe, titrat në fund të ekranit lënë të nënkuptohet që ata janë duke biseduar për të favorizuar subjekte private për tenderë e koncesione për përfitime materiale.

Pra janë këto pamje dhe titrat shoqëruese të montuara në fund të ekranit ato që kanë krijuar shkakun për regjistrimin e procedimit penal, që llogjikisht ngarkohet kundër dy personave, të vetmit që shihen në video.

Edhe pse procedimi është regjistruar pa emër, që nga momenti që është regjistruar si procedim penal, duket mëse qartë se është në ngarkim të dy personave publikë të njohur. Sigurisht që është në të drejtën e organit të akuzës të vendosë kur ta shënojë emrin e personit në regjistrin e njoftimit të veprave penale, por kjo e fundit nuk është e drejtë me të cilën organi i akuzës mund të abuzojë në favor të tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut, në praktikën e saj, i ka dhënë zgjidhje ezauruese çështjes së fillimit të procesit penal kur parashikon që “… procesi penal fillon në momentin kur prokuroria kryen veprime, si sekuestrimet, kontrollet, ekspertimet, etj., ndaj një personi konkret, veprime që përdoren në proces kundër tij …”[1]

Pra, pavarësisht se kur e ka regjistruar përfaqësuesi i akuzës emrin e personit në regjistrin përkatës, kryerja e veprimeve hetimore, si janë aktet e ekspertimit teknik, pyetja e dëshmitarëve, sekuestrimet dhe administrimi i dokumenteve të ndryshme, të cilat më pas do të përdoren në këtë procedim kundër shtetasit Ilir Meta, provojnë se ky procedim kishte filluar dhe po zhvillohej në ngarkim të shtetasit Ilir Meta. Për këtë arsye organi i akuzës, menjëherë dhe pa ekuivokë, duhej të shënonte emrin e shtetasit Ilir Meta në kolonën përkatëse të regjistrit të njoftimit të veprave penale.

Regjistrimi i emrit të shtetasit Ilir Meta në regjistrin përkatës duhej bërë edhe për shkak se në proces verbalin e datës 13. 1. 2011 të marrjes në pyetje të shtetasit Dritan Prifti, në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllime hetimi, përfaqësuesi i akuzës shtron pyetjen: “… duke iu referuar përmbajtjes së takimit të referuar mes jush dhe shtetasit Ilir Meta, a mund të na tregoni se çfarë është biseduar konkretisht dhe kontekstin e këtyre bisedave?”.

Në procesverbalin e datës 8. 2. 2011[2], mbajtur gjatë marrjes në pyetje të shtetasit Dritan Prifti, tashmë në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, përfaqësuesi i akuzës vazhdon të bëjë pyetje pa fund me objektivin e vetëm dhe të dukshëm: zbulimin e veprimtarisë së kundërligjshme të deputetit dhe anëtarit të kabinetit qeveritar, Ilir Meta.

Edhe në datën 24. 1. 2011, përfaqësuesi i akuzës, kur kërkon me vendim “Kryerjen e ekspertimit teknik dhe caktimin e ekspertit” i referohet dëshmive të dhëna nga shtetasi Dritan Prifti përpara përfaqësuesve të akuzës në datat 13. 1. 2011, 14. 1. 2011 dhe 19. 1. 2011. Pra, përfaqësuesi i akuzës është në dijeni të plotë se ndaj kujt zhillonte hetime sepse pyetjet e drejtuara dhe referencat në përgjigjet e këtyre pyetjeve, që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me shtetasin Ilir Meta, e tregojnë qartë këtë gjë.

Në vendimin për kryerjen e aktit të ekspertimit përfaqësuesi i akuzës shkruan se “…po eksperton provat materiale të sjella nga Dritan Prifti, me anë të të cilave ai ka realizuar filmimin e fshehtë…”, duke rikonfirmuar kështu se ka kërkuar ekspertimin e një materiali tashmë të njohur prej tij. Përfaqësuesi i akuzës kishte dijeni të plotë se po kryente një veprim hetimor, atë të ekspertimit të materialit që kishte lidhje me shtetasin Ilir Meta, që do të përdorej prej këtij organi në gjykim.

Si konkluzion, në konsideratë të të gjitha këtyre veprimeve dhe pamjeve filmike të transmetuara, afati i hetimit të këtij procedimi fillon në momentin e regjistrimit, në datën 12. 1. 2011. Kjo është data kur organi i akuzës duhej të kishte shënuar emrin e shtetasit Ilir Meta në kolonën përkatëse të regjistrit të njoftimit të veprave penale.

E shohim me vend të citojmë edhe një herë parashikimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut që “… procesi penal fillon në momentin kur prokuroria kryen veprime, si sekuestrimet, kontrollet, ekspertimet, etj. , ndaj një personi konkret, veprime që përdoren në proces kundër tij …”.

Lidhur me kryerjen e veprimeve hetimore brenda afateve të hetimit, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka mbajtur qëndrimin se rezultatet e procedurave të kryera jashtë këtyre afateve janë të papërdorshme. Në rastin konkret, çdo veprim procedurial i kryer jashtë afatit 3 mujor, duke filluar nga data kur është kryer veprimi i parë në drejtim të shtetasit Ilir Meta, është i pavlefshem dhe per pasoje i papërdorshëm si veprim i kryer jashtë afatit.

Së dyti: Eshtë me rëndësi të veçantë të theksohet se organi i akuzës, në kundërshtim me parashikimet e nenit 288 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, ka filluar dhe ka vazhduar një procedim penal ndaj një personi me imunitet, i cili nuk mund të procedohej pa iu hequr më parë mbrojtja që i garantohet me kushtetutë.

Në nenin 73 të Kushtetutës parashikohet se “. . . deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autrorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet”. Në nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale përcaktohet se “. . . kur parashikohet autorizimi për procedim, prokurori bën kërkesë në organin përkatës. 2. - Kërkesa për të autorizuar procedimin duhet të paraqitet brenda 30 ditëve nga shënimi në regjistër i emrit të personit për të cilin kërkohet autorizimi”. Në nenin 289 të Kodit të Procedurës Penale, dhënia e autorizimit nga organi përkatës, që në rastin konkret është Kuvendi, parashikohet si parakusht për kryerjen e veprimeve proceduriale.

Në rastin konkret, organi i akuzës ka kryer veprime hetimore pa marrë më parë autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë, në kundërshtim me parashikimet e nenit 73 të Kushtetutës dhe neneve 288 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.

Çdo deklaratë personale, qoftë edhe publike, e shtetasit Ilir Meta për heqjen dorë nga imuniteti procedurialisht ka qenë pa vlerë për organin e akuzës, pasi ligji përcakton qartë kushtet dhe mënyrën e heqjes së imunitetit të një deputeti dhe, në çdo rast, për fillimin dhe vazhdimin e hetimeve, organi i akuzës duhej të vepronte në përputhje me parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës dhe neneve 288 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.

Mungesa e autorizimit të nevojshëm për ndjekjen penale është një fakt tjetër që provon se organi i akuzës ka vepruar në mënyrë abuzive duke mos regjistruar emrin e shtetasit Ilir Meta, person i njohur publik, në regjistrin e veprave penale, duke i lejuar kështu vetes kryerjen e veprimeve hetimore në kundërshtim me ligjin.

Kryerja e veprimeve hetimore ndaj një deputeti, të pretenduar si subjekt i disa veprave penale, pa marrë më parë autorizimin përkatës nga Kuvendi i Shqipërisë për kryerjen e veprime hetimore, i bën të papërdorshme të gjitha veprimet hetimore që gjenden në fashikullin e hetimeve nr. 1 të vitit 2011 të Prokurorisë së Përgjithshme. Kanë vlerë proceduriale vetëm veprimet hetimore që janë kryer nga akuza pas datës 16. 2. 2011, kur Kuvendi i Shqipërisë ka hequr imunitetin dhe dhënë autorizimin për ndjekjen penale të deputetit Ilir Meta.

Së treti: Për shkak se afati i hetimit të një vepre penale, si parashikohet në nenin 323/1 të Kodit të Procedurës Penale, është 3 muaj, të gjitha veprimet hetimore të kryera pas datës 12. 4. 2011 deri kur ka përfunduar hetimi, janë veprime të pavlefshme dhe te papërdorshme sepse janë kryer jashtë afateve proceduriale.

Duke iu referuar këtyre afateve rigorozisht të përcaktuar, konstatojmë se veprimet hetimore të kryera nga data 12. 4. 2011 deri në datën 9. 5. 2011 janë kryer jashtë afateve proceduriale. Për shkak të vendit që zënë në një procedim penal, veprime të tilla si statusi ligjor i shtetasit Ilir Meta, kryerja e ekspertimeve teknike, transkriptimet e bisedave, njoftimi i akuzës, marrja e dëshmive, kërkesa për gjykim, etj. , qëndrojnë në themel të fashikullit të gjykimit por, për shkak se janë kryer jashtë afateve, e bëjnë këtë fashikull gjykimi inekzistent.

Në fashikullin e hetimit nuk gjendet asnjë dokument që të provojë se shtetasit Ilir Meta i është hequr imuniteti në datën 12. 1. 2011, apo që afatet e hetimit janë zgjatur përtej datës 12. 4. 2011. Kryerja e shumë veprimeve hetimore proceduriale, pa ia hequr imunitetin e deputetit shtetasit Ilir Meta, si dhe kryerja e shumë veprimeve hetimore proceduriale jashtë afateve ligjore, e kompromentojnë keqas një proces të rregullt ligjor që i garantohet çdo qytetari me Kushtetutë.

Koment si titull i kapitullit të dytë: Prokuroria ka shkelur rëndë kushtetutën dhe ligjin procedural penal.

II

ORGANI AKUZES KA KRYER VEPRIME PROCEDURIALE SHUME TE RENDESISHME NE KUNDERSHTIM ME TE GJITHE KERKESAT E LIGJIT PROCEDURIAL PENAL

Gjatë fazës së hetimeve paraprake, organi i akuzës, me vendim të datës 24. 1. 2011, ka kërkuar kryerjen e një akti ekspertimi teknik me ekspert të huaj për të arritur në disa konkluzione që ky organ ka pretenduar se i kishte të nevojshme për fatet e hetimit. Nga ana e organit të akuzës është kryer “…ekspertimi teknik me qëllim për të kërkuar dhe marrë të dhëna apo vlerësime nga specialistë me njohuri të posaçme…”. Disa muaj më vonë ky organ ka kërkuar kryerjen e një “…ekspertimi teknik për pastrimin e materialit audioviziv të regjistruar nga zhurmat në sfond…”.

Caktimi i ekspertit në një procedim penal rregullohet nga dispozitat e Seksionit VI, me titull “Ekspertimet”, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. Në rastet kur eksperti është shtetas i huaj, përveç veprimit në përputhje me dispozitat e Titullit X, Kreu II, Seksioni II, të Kodit të Procedurës Penale, duhet vepruar në përputhje edhe me “Konventën Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale”, ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr. 8498, datë 10. 6. 1999. Konventa, në Titullin III të saj, rregullon, ndër të tjera, edhe thirrjen e ekspertëve të huaj nga dhe në shtete palë të kësaj Konvente.

Mbrojtja ka konstatuar se procedura për caktimin e ekspertit amerikan apo anglez nga ana e organit të akuzës për kryerjen e akteve të ekspertimit paraprak nuk është kryer në përputhje me Titullin III të Konventës së përmendur më sipër.

Për këtë arsye këto akte ekspertimi janë akte të paligjshme dhe pa fuqi juridike për sa kohë që nuk janë kërkuar, si parashikohet në ligj, në formën e letër porosisë.

Neni 7 i Konventës rregullon formën dhe mënyrën se si veprohet me një ekspert të huaj, dhe në nenet vijues 8, 9, 10 dhe 12 disiplinohen përkatësisht garancitë e nevojshme ligjore, financiare dhe të imunitetit që i ofrohen ekspertit të huaj nga shteti kërkues. Të gjitha këto rregullime e garanci proceduriale mungojnë në aktet e mësipërme të Prokurorisë.

Në vijim të parashikimeve të Konventës së mësipërme, vijnë edhe dispozitat e Kodit të Procedurës Penale per ekspertimet. Kaq e rëndësishme është kjo procedurë hetimore për fatet e procedimit sa ligjvënësi e ka barazuar përjashtimin e ekspertit me rastet e përjashtimit të gjyqtarëve. Kështu, në nenin 181/1, të Kodit të Procedurës Penale parashikohet që “…palët mund të kërkojnë përjashtimin e ekspertit në rastet e parashikuara nga ky Kod për përjashtimin e gjyqtarit…”.

Ndonëse në vendimin e tij organi i akuzës u është referuar formalisht dispozitave të Seksionit IV të Kodit të Procedurës Penale, në procedurën e caktimit të ekspertit për këtë çështje nuk i ka zbatuar këto dispozita.

Në nenin 179/1 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet që “…caktimi i ekspertëve bëhet duke i zgjedhur ata ndërmjet personave që janë regjistruar në librat e caktuar për këtë qëllim ose ndërmjet atyre që kanë njohuri të posaçme në degën përkatëse…”. Më tej, ligjvënësi, në nenin 183/1 të Kodit të Procedurës Penale, i jep mundësinë ekspertit të tërhiqet nga detyra e ekspertimit për shkaqe të ndryshme. Sipas kësaj dispozite eksperti pyetet: “…nëse ka shkaqe përjashtimi nga detyra e ekspertit, e paralajmëron për detyrimet e përgjegjësitë e parashikuara nga ligji penal, i formulon kërkesat e ekspertimit dhe e fton të bëjë këtë deklaratë…”.

Në caktimin e ekspertëve, në të dy rastet, organi i akuzës, duke abuzuar me të drejtën e vetëvendosjes, në mënyrë apriori ka caktuar dy specialistë të huaj duke anashkaluar të gjitha kërkesat e ligjit. Duke vepruar në këtë mënyrë organi procedues nuk i ka dhënë asnjë mundësi mbrojtjes si palë për të ushtruar të drejtat që parashikohen në nenin 181 të Kodit të Procedurës Penale.

Si pasojë e cënimit të këtyre të drejtave të garantuara me ligj, në procesin hetimor janë cënuar katërcipërisht elementë të procesit të rregullt ligjor.

Po në vazhdim të shkeljeve të kryera nga ana e organit të akuzës, mbrojtja konstaton edhe moszbatimin e kërkesave të parashikuara nga neni 179/2 të Kodit të Procedurës Penale ku parashikohet që “… vendimi i organit procedues për caktimin e ekspertit i njoftohet të pandehurit ose mbrojtësit të tij, duke i bërë të ditur se ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e ekspertit, të propozojë ekspertë të tjerë, të marrë pjesë në ekspertim…”. Këto të drejta i janë mohuar arbitrarisht shtetasit Ilir Meta dhe mbrojtjes së tij, duke shkelur kështu ligjin me të dy këmbët.

Përsa i përket ekspertimit të kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbrojtja nuk u njoftua, sipas ligjit, për kryerjen e këtij veprimi procedurial shumë të rëndësishëm. Duke vepruar në këtë mënyrë, organi procedues i mohoi mbrojtjes të drejtën ligjore për të kërkuar, nëse e gjykonte të arsyeshme, përjashtimin e ekspertit, mundësinë për t’i drejtuar pyetje ekspertit apo për të marrë pjesë si palë e akuzuar në kryerjen e ekspertimit.

Pavarësisht qëndrimit të organit procedues, në disa raste mbrojtja ka kërkuar sipas rregullit për t’u bërë pjesë e këtij procesi apo për të caktuar një ekspert tjetër në këtë fazë shumë të rëndësishme të tij. E drejta e pjesëmarrjes dhe përmbushja e kërkesave të nenit 179/2 tt Kodit të Procedurës Penale nuk u respektuan nga organi procedues me arsyetimin se “…në fazën e hetimeve organi procedues nuk ka asnjë detyrim për t’u njoftuar me aktet proceduriale sepse asnjë dispozitë e Kodit të Procedurës Penale nuk detyron njoftimin derisa nuk është regjistruar emri i ndonjë personi që i atribuohet vepra penale në regjistrin e veprave penale…”[3]!!?

Lidhur me këtë pretendim të organit të akuzës vlen të theksohen dy elementë:

ekspertimi, si mjet për kërkimin e provës, kryhet sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara n Kodin e Procedurës Penale, ekspertimi, si mjet për kërkimin e provës, kurrsesi nuk mund të përbëjë një veprim të njëanshëm të organit të akuzës.

Është e vërtetë se, si rregull, veprimet hetimore mbahen sekret, por vetëm deri në momentin kur ligji nuk kërkon pjesëmarrjen e të pandehurit apo mbrojtjes së tij në këto veprime hetimore proceduriale me karakter përcaktues në një procedim penal.

Në rastin e kryerjes së ekspertimit, në nenin 179/2 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet shprehimisht detyrimi i organit të akuzës për të njoftuar të pandehurin ose mbrojtësit e tij për vendimin për caktimin e ekspertit, duke i bërë të ditur edhe të drejtat respektive lidhur me të. Më pas, në nenin 181 e ata vijues, përcaktohen edhe të drejtat e të pandehurit gjatë kryerjes së ekspertimit, të drejta që, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga ana e mbrojtjes, janë mohuar.

Njohja e të pandehurit apo mbrojtjes së tij me emrin e ekspertit, e drejta e të pandehurit për të kërkuar përjashtimin e tij, për të bërë pyetje apo për të qënë i pranishëm në momentin e kryerjes së ekspertimit, etj, nuk janë të drejta që varen nga vullneti dhe dëshira e organit procedues, pasi ligji e detyron organin procedues që t'i respektojë dhe garantojë këto të drejta, si kusht për një proces të rregullt ligjor.

Pretendimi i organit të akuzës se nuk ka asnjë detyrim për t’ia njoftuar këto akte personit ndaj të cilit po kryheshin hetime vjen në kundërshtim flagrant me nenet 179 e vijues të Kodit të Procedurës Penale ku ky detyrim përcaktohet shprehimisht.

Mosrespektimi i këtyre dispozitave urdhëruese të ligjit i bën aktet e ekspertimit, pavarësisht nga përmbajtja e tyre, të papërdorshme.

Në shkelje të ligjit ka qënë edhe qëndrimi i akuzës lidhur me kryerjen e ekspertimit teknik nga eksperti anglez Adrian Philips.

Megjithëse pretendohet nga akuza se ekspertimi “…do të përdorte sistemet cilësore e profesionale të pastrimit të cilat disponohen nga shërbimi i policisë shkencore të Britanisë së Madhe…”[4], , faktikisht ky ekspertim jo vetëm nuk është kryer sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe Konventën Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale por është kryer nga një ekspert privat në Angli, gjë që vjen në kundërshtim me çdo parashikim ligjor dhe ka cënuar çdo garanci të të pandehurit gjatë hetimeve paraprake. Duke dizinformuar në këtë rast, përfaqësuesi i akuzës me vetëdije ka krijuar vështirësi për përmbushjen e të drejtave që duhet të gëzojë i pandehuri në një proces të rregullt ligjor.

Pas komunikimit të vendimit për kryerjen e ekspertimit të sipërcituar, në datën 24. 3. 2011, me një “Memo/Kërkesë”, veç të tjerash, mbrojtja i ka kërkuar zyrës se Prokurorit të Përgjithshëm që “… në mbështetje të nenit 179/2 të Kodit të Procedurës Penale propozojmë pjesëmarrjen edhe të një eksperti të palës tonë në kryerjen e këtij akti. Ky ekspert është i mirënjohur për cilësitë e tij profesionale dhe përvojën përkatëse në këtë fushë, dhe identifikohet si shtetasi italian ing. Federico Antonioni me adresë Fondazione Ugo BORDONI, Viale del Policlinico 147, Roma, Italia…”

Organi i akuzës, në përgjigjen që i ka kthyer mbrojtjes me vendimin e datës 6. 4. 2011, pretendon se “… specialisti Adrian Philips i plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe nuk ka asnjë pengesë apo rrethane papajtueshmërie për ushtrimin e detyrës së ekspertit…”. Përfaqësuesja e akuzës në këtë vendim na siguron se “…nuk ka asnjë shkak ligjor apo teknik për të përfshirë edhe një ekspert tjetër sa kohë që nga ekspertimi nuk kërkohen konkluzione apo bëhen analiza…”[5]!!?? Kështu organi i akuzës na urdhëron se si dhe kur duhet të kërkojmë zbatimin e ligjit procedurial penal.

Qëndrimi përjashtues ndaj përfaqësuesit të mbrojtjes në ekspertimin që po kryente akuza, hedh dyshime të arsyeshme se ky veprim hetimor shumë i rëndësishëm përmban në vetvete elementë që mbrojtja nuk duhet t’i dijë. Duke vepruar në këtë mënyrë, përfaqësuesi i akuzës, në mënyrë flagrante, shkel ligjin procedurial penal që garanton këto të drejta në procesin penal si pjesë përbërëse e procesit të rregullt ligjor.

Si theksohet edhe më sipër, nga ana e përfaqësuesit të akuzës nuk është respektuar asnjë dispozitë e Seksionit II “Letërporositë për jashtë shtetit” të Kodit të Procedurës Penale, të Konventës Europiane për Ndihmën Juridike në Fushën Penale, ratifikuar me ligjin nr. 8498, datë 10. 6. 1999, si dhe të ligjit nr. 10193, datë 3. 12. 2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”.

Duke pranuar si ekspertë persona privatë të huaj, si dhe ngarkuar detyra e marrë mendimin e këtyre ekspertëve në rrugë jozyrtare, jashtë parashikimeve të Konventës Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale, si akti ligjor që rregullon këto veprime proceduriale, si në rastin e ekspertit amerikan ashtu edhe në rastin e atij anglez, organi i akuzës i ka përjashtuar ekspertët automatikisht nga përgjegjësia penale që mund të mbajnë sipas ligjeve përkatëse në rastin e veprës penale të ekspertimit të rremë.

Këta ekspertë nuk përgjigjen jo vetëm sipas ligjit të tyre por as sipas ligjit shqiptar pasi vepra penale e ekspertimit të rremë nuk përfshihet në listën e veprave penale për të cilat shtetasit e huaj mund të ndiqen penalisht kur kryejnë vepra penale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 7/2 të Kodit Penal, ku parashikohet zbatimi i ligjit penal shqiptar për shtetasit e huaj që kryejnë vepra penale në dëm të interesave të shtetit ose të shtetasve shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, nuk parashikohet vepra penale e ekspertimit të rremë.

Nëse organi i akuzës do të kishte ndjekur rrugën ligjore të përcaktuar në Konventën Europiane për Ndihmën Juridike në Fushën Penale, në Kodin e Procedurës Penale, si dhe në ligjin nr. 10193, datë 3. 12. 2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, eksperti i huaj duhej të bënte betimin dhe merrte përgjegjësinë përpara organit kompetent të shtetit të tij, dhe ky veprim do të shërbente si garanci që ekspertimi do të ishte absolutisht i saktë.

Në mbështetje të nenit 509 të Kodit të Procedurës Penale, kërkesat për letërporosi u përcillen, në formën e duhur, autoriteteve gjyqësore të huaja nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare. Në rastin konkret, këto dokumente nuk kanë kaluar nëpërmjet këtij institucioni të ngarkuar me ligj, gjë që konfirmohet në përgjigjen e Ministrit të Drejtësisë me shkresën nr. 828/1, datë 31. 1. 2011.

Organi i akuzës, ndërsa pretendon se e kreu ekspertimin me specialistë shumë të kualifikuar, që i kërkoi dhe gjeti deri në Amerikën e largët dhe në Britaninë e Madhe, pjesën më të rëndësishme të ekspertimit, transkriptimin e bisedës, ia besoi disa oficerëve të policisë gjyqësore, “ekspertë” që, sipas parashikimeve të nenit 179/1 të Kodit të Procedurës Penale, u mungojnë njohuritë e posaçme në fushën përkatëse.

Transkriptimet e bisedave, të kryera me urdhër të përfaqësuesit të akuzës në datat 9. 2. 2011, 28. 2. 2011, 7. 3. 2011, 30. 3. 2011 dhe 13. 4. 2011 nga oficerët e policisë gjyqësore, të cilët kanë kryer të gjitha veprimet hetimore të këtij procedimi, jane te pa vlefeshme dhe per pasoje nuk mund të përdoren sepse nuk janë kryer nga persona me njohuri të posaçme, duke shkelur kështu nenin 179/1 të Kodit të Procedurës Penale.

Koment si titull i kapitullit të tretë: Prokuroria ka “luajtur” me material dhe prova jo origjinale, të manipuluara, të ndryshuara, të pavërteta dhe të pavlefshme juridikisht.

III

ORGANI AKUZES KA ADMINISTRUAR SI PROVA MATERJALE, OBJEKTE QE NUK I PERMBUSHIN KËRKESAT E LIGJIT PËR TË QËNË TË TILLA, DHE REZULTATET E PËRGJIMIT NUK MUND TE PËRDOREN

Provat materiale, të administruara nga organi i akuzës në një procedimi penal në kundërshtim me ligjin procedurial penal, nuk kanë efekt provues në një proces të rregullt ligjor.

Përfaqësuesi i organit të akuzës, në rreth dhe në qendër, në themel të këtij procesi, ka operuar me fakte që, nga mënyra e përftimit dhe administrimit, nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t'u konsideruar dhe përdorur si prova materiale për të vërtetuar ose jo fajësinë në një proces të rregullt ligjor.

Në nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale përcaktohet kuptimi i provës materiale si vijon:“…provat materiale janë sendet që kanë shërbyer si mjet për realizimin e veprës penale ose mbi të cilat gjenden gjurmët apo kanë qënë objekt i veprimtarisë së të pandehurit…”.

Përfaqësuesi i akuzës ka bërë pjesë të këtij procedimi një “lap-top”, një “orë tavoline”, një “usb” dhe një “fish cable usb” me ngjyrë të zezë. Këto janë edhe objektet që i janë nënshtruar ekspertimit që, sipas organit të akuzës, i ka dorëzuar me vullnetin e tij të lirë shtetasi Dritan Prifti.

Në përfundim të ekspertimit, sipas raportit të ekspertit amerikan Glenn K. Bard, rezultoi se, e nënvizojmë këtë fakt, në “orën e tavolinës” nuk gjendet i regjistruar filmimi i bisedës ndërmjet personit nën hetim, Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti. Ky filmim gjendet i plotë në “lap-top” dhe i pjesshëm në “usb”. Kështu “Ora”, që pretendohet se ka bërë regjistrimin, nuk është provë materiale. Mungesa e videos në orën “provë materiale” tregon se kjo orë tavoline e administruar nga akuza nuk ka lidhje me këtë procedim penal. Këto konkluzione shkencore të nxjerra nga eksperti bien ndesh me deklarimet e shtetasit Dritan Prifti, dhënë përpara organit të akuzës. Ai ka deklaruar se ka dorëzuar provën materiale origjinale, me anë të së cilës ka realizuar filmimin e fshehtë, ndërsa realiteti është krejt ndryshe.

Marrja si e qenë e pretendimit të dëshmitarit të vetëm të akuzës, Dritan Prifti, se ka dorëzuar “orën” me të cilën ka realizuar filmimin, tregon njëanshmërinë e qëndrimit të akuzës në lidhje me këtë procedim.

Mungesa e burimit të provës materiale origjinale, sipas kuptimit të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale, përbën një precedent të rrezikshëm të zbatuar nga përfaqësuesi i akuzës në këtë proces hetimor e me tej në procesin gjyqësor.

Organi i akuzës, për të provuar kryerjen e veprës penale nga i mbrojturi prej nesh, është mbështetur në prova jo origjinale apo variante të kopjuara nga file (regjistrimi) i orës mikrospi. Të gjitha CD-të e prodhuara nga ekspertimet e kanë burimin tek lap-top-i dhe USB i dorëzuar nga Dritan Prifti, në të cilat lehtësisht provohen ndërhyrjet apo mbivendosjet, sipas verifikimeve të kryera nga eksperti i mirënjohur italian, Federico Antonioni, i zgjedhur nga mbrojtja. Këto ekspertime ia kemi vënë në dispozicion edhe organit të akuzës dhe qëndrimi i tyre ka qenë tejet mospërfillës.

Edhe CD-ja, që është kërkuar nga organi i akuzës t’i nënshtrohet ekspertimit për pastrimin e zhurmave (eksperti anglez), rezulton se nuk është materiali i dorëzuar nga shtetasi Dritan Prifti, në cilësinë e “provës materiale”, por thjesht një produkt teknik (kopje), i përftuar nga ekspertimi i mëparshëm i ekspertit amerikan. Eksperti anglez gjithsesi nuk arriti të japë një konkluzion shkencërisht të saktë duke pretenduar se “… pastrimi i audios u bë në të dyja videot. Ndërsa një pjesë e zhurmës mundi të pastrohej, problemi vjen si rezultat i cilësisë së dobët të mikrofonit të përdorur për të bërë regjistrimin. Për t’u pastruar zhurmat në sfond u përdorën sisteme të pastrimit cilësor profesional për videot…”

***

Mbrojtja nuk ka mohuar asnjëherë kryerjen e bisedës ndërmjet personave me status zyrtar epror vartës, Zv. Kryeministër dhe Ministër, Kryetarit dhe zv. Kryetarit të një partie politike parlamentare, por ka këmbëngulur dhe vazhdon të këmbëngulë se zbardhja e së ashtuquajturës bisedë në këtë filmim është komplet e manipuluar me qëllim denigrimi dhe shantazhi nga shtetasi Dritan Prifti për përfitime personale.

Transmetimi i videos dhe zbardhja e bisedës ka karakter politik dhe u përdor për qëllime politike. Ndërsa organi i akuzës dështoi në zbardhjen plotësisht të bisedës së pretenduar me karakter të kundërligjshëm. Hetimet e kryera nga organi i akuzës kanë vuajtur nga njëanshmëria, armiku numër një i drejtësisë.

Në këto rrethana, në zbatim të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale, sendet e dorëzuara “vullnetarisht” nga shtetasi Dritan Prifti, nuk kanë vlerën e provës materiale dhe, si të tilla, nuk mund të përdoren në një proces të rregullt ligjor.

Që veprimet e shtetasit Dritan Prifti në këtë histori nuk kanë lidhje me drejtësinë e tregon fakti se, megjithëse e ka kryer filmimin e fshehtë në datën 1. 3. 2010, ai e dorëzon materialin në datën 11. 1. 2011, pas gati një viti, dhe e çon tek një stacion televiziv, me qëllimin e vetëm për të bërë shantazh politik, me pasoja në zgjedhjet e radhës së vitit 2011. Nëse do te ishte i interesuar për të bërë drejtësi Dritan Prifti do ta çonte menjëherë materialin filmik në organet kompetente per hetime.

Përfaqësuesi i akuzës, në mbështetje të nenit 208 të Kodit të Procedurës Penale, ka sekuestruar, si prova materiale që kanë lidhje me veprën penale, dhe dërguar për ekspertim disa CD në të cilat është kopjuar materiali i videos së prodhuar fshehtazi nga shtetasi Dritan Prifti.

Videoja e regjistruar nuk mund të përdoret si provë edhe për shkakun se gjatë regjistrimit të saj janë shkelur kërkesat e parashikuara në Seksionin IV me titull “Përgjimet” të Kodit të Procedurës Penale.

Për të mos abuzuar me veprimin procedurial delikat të përgjimit, ligjvënësi ka parashikuar të gjitha procedurat që duhet të zbatojnë agjencitë ligjzbatuese kur vendosin të përdorin si provë materiale rezultatet e përgjimeve. Çdo shmangie prej këtyre procedurave e bën të papërdorshëm rezultatin e përgjimit nga agjencitë ligjzbatuese. Në nenin 226/1 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet që “… rezultatet e përgjimit nuk mund të përdoren kur janë bërë jashtë rasteve të lejuara me ligj ose kur nuk janë respektuar dispozitat e këtij seksioni…”.

Kështu, rezultatet e përgjimit, të realizuar nga shtetasi Dritan Prifti, kurrsesi nuk mund të përdoren si provë, sepse përgjimi nuk është bërë sipas dispozitave ligjore përkatëse.

Ka disa vendime[6] dhe praktika gjyqësore të konsoliduara të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ku është arritur në konkluzionin se rezultatet e përgjimit të kryer jashtë parashikimeve ligjore kurrsesi nuk mund të përdoren për të provuar fajësinë e pretenduar. Rezultatet e përgjimit mund të shërbejnë si indicie, por në asnjë rast nuk marrin vlerën e provës sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale.

Organi i akuzës nuk ka zbatuar ligjin në administrimin, për llogari të procedimit penal nr. 1 të vitit 2011, e provave materiale të dorëzuara nga dëshmitari Dritan Prifti, e për pasojë këto prova materiale nuk mund të përdoren gjatë këtij gjykimi. Përgjimi, i realizuar nga dëshmitari Dritan Prifti, nuk është bërë me qëllim denoncimin e një vepre penale. Pretendimi i mësipërm mbështetet në faktet si më poshtë vijon:

megjithëse përgjimi u krye në datën 1. 3. 2010, ai u ekspozua dhe u bë objekt hetimi nga organi i akuzës pas një viti;

megjithëse, sipas dëshmitarit Dritan Prifti, përgjimi kishte të bënte me korrupsion të mirëfilltë, ai nuk e denoncon atë në organin e akuzës, por e vuri në dispozicion të medias për shfaqje publike.

publikimi në median televizive të materialit të filmuar fshehtazi ka cënuar rëndë lirinë dhe reputacionin e të mbrojturit prej nesh, kështu ai kurrsesi nuk mund të shërbejë si provë në një proces të rregullt ligjor.

Dritan Prifti, menjëherë pasi realizoje videon e fshehtë kishte detyrimin ligjor qe ta denonconte ate ne organet kompetente, sepse sikurse ai deklaron gjthandej ne te kishte përmbajtje të elementëve të vepres penale te korrupsionit. Duke vepruar ne kete menyre ai ka konsumuar elementet e vepres penale te shperdorimit te detyres te parashikuar nga neni 248 i K. Penal.

IV

DEKLARIMET E SHTETASIT DREITAN PRIFTI NUK MUND TË PËRDOREN PËR SHKAK SE AI ËSHTË I AKUZUAR NË NJË PROCES TË LIDHUR

Së fundi, por jo për nga rëndësia, në listën e provave organi i akuzës ka përfshirë edhe shtetasin Dritan Prifti, si dëshmitar në këtë procedim.

Organi i akuzës, në datën 11. 2. 2011, i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë autorizim për ndjekje penale të deputetit Dritan Prifti. Në faqen e dytë të kërkesës përfaqësuesi i akuzës shkruan se “… kjo video është e datës 11. 3. 2010 dhe në të janë regjistruar dy persona, njëri ndër të cilët është ish ministri i METE-s dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, shtetasi Dritan Prifti dhe tjetri është ish zëvendësministri i METE-s, shtetasi Leonard Veli Beqiri. Këta shtetas, sipas asaj që evidentohet në video, kanë zhvilluar biseda për përfitime financiare të parregullta që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publike, dhe në një moment shihet se ndajnë mes tyre një shumë prej rreth

70 000 euro…”.

Kërkesa e mësipërme është bërë në kuadër të procedimit penal nr. 2 të vitit 2011 të Prokurorisë së Përgjithshme, nga ku ka rezultuar se, nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, ka të dhëna të mjaftueshme që çojnë në dyshime të arsyeshme se deputeti Dritan Prifti ka kryer veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë apo të zgjedhurve vendorë, të kryer në bashkëpunim, parashikuar në nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.

Sikurse evidentohet në faqen e parë te kerkeses për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për ndjekjen penale te Dritan Priftit, përfaqësuesi akuzes konfirmon se procedimi penal nr. 2 i vitit 2011 ne ngarkim te shtetasit Dritan Prifti ka rrjedhur nga procedimi penal nr. 1 i vitit 2011 në ngarkim te Ilir Metës. Ashtu sikurse dihet botërisht videoja qe shërbeu si bazë për fillimin e procedimit në ngarkim të D Priftit është zbuluar gjatë kryerjes se ekspertimit nga eksperti amerikan Glenn Bard për llogari të procedimit penal në ngarkim të të mbrojturit prej nesh I.Meta.

Këtë lidhje e demonstrojnë jo vetëm mjetet e njëjta për realizimin e përgjimit, por edhe ndërthurja e ngjarjeve me njera tjetrën. Implikimin e Dritan Priftit në këtë procedim e demonstron edhe qëndrimi i akuzës në këtë fazë të procedimit. Me qëllim ushtrimin e trysnisë mbi shtetasin Dritan Prifti, procedimi penal ndaj tij është mbajtur pezull pa ju dhënë zgjidhje ligjore. Këtë e provon zvarritja e veprimeve hetimore.

Per të gjitha këto arsye shtetasi Dritan Prifti ka papajtushmëri me detyrën e dëshmitarit (deklaruesit). Në nenin 156/2 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se “ nuk mund të pyeten si dëshmitarë. . . b. - të pandehurit në një procedim të lidhur …”, kështu, në bazë të këtij neni, shtetasi Dritan Prifti nuk mund të jetë dëshmitar në këtë procedim të lidhur.

Nga sa më sipër, konkludohet se:

Veprimet hetimore të kryera nga data 12. 1. 2011 deri në datën 16. 2. 2011, janë të pa vlefshme sepse janë kryer ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, për të cilin akoma nuk ishte dhënë autorizimi për ndjekje penale nga organi kompetent, Kuvendi i Shqipërisë. Ky veprim vjen në kundërshtim me nenin 73/2 të Kushtetutës, nenet 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale.

Veprimet hetimore të kryera nga data 12. 4. 2011 deri në datën 9. 5. 2011 janë të pa vlefshme sepse janë kryer jashtë afateve ligjore, të parashikuara në nenin 323/2 të Kodit të Procedurës Penale.

Aktet e ekspertimeve teknike të kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe janë të pa vlefshme sepse këto akte janë kërkuar të kryhen pa respektuar kërkesat e Konventës Europiane për Ndihmën Juridike në Fushën Penale, ratifikuar me ligjin nr. 8498, datë 10. 6. 1999, të ligjit nr. 10193, datë 3. 12. 2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, dhe nenet 151/4, 179, 181 dhe 509 të Kodit të Procedurës Penale.

Provat materiale të administruara nga organi i akuzës gjatë fazës së hetimeve paraprake nuk janë origjinale e për pasojë nuk përmbushin kërkesat e nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale dhe, sipas nenit 151/4 të këtij Kodi, janë të pa vlefshme dhe për rrjedhojë të papërdorshme.

Videoja e regjistruar fshehtazi, e cila ka shërbyer si materiali bazë për fillimin e procedimit penal, dhe argument në mbështetje të akuzës gjatë gjykimit, është e pa vlefshme sepse nuk dihet burimi I I prodhimit të saj dhe në prodhimin e saj nuk janë respektuar kërkesat e ligjit që rregullon përgjimet. Njëkohësisht, nga çfaqja e saj në median televizive, janë cënuar rëndë liria dhe reputacioni i shtetasit Ilir Meta.

Në zbatim të nenit 156/1, gërma “b” të Kodit të Procedurës Penale, deklarimet dhe dëshmitë e shtatasit Dritan Prifti nuk mund të përdoren gjatë gjykimit të të mbrojturit prej nesh, Ilir Meta.

Shkeljet e parashtruara më sipër përbëjnë shkelje të neneve 34/2 dhe 42/1 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të nenit 1 të Kodit të Procedurës Penale që garantojnë se “… askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme…” dhe “…liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cënohen pa një proces të rregullt ligjor…”. Nuk duhet harruar se faza e hetimeve paraprake është pjesë integrale e procesit ligjor, për pasojë shkeljet e konstatuara gjatë kësaj faze janë me pasojë për fatin e procesit ligjor.

Nga sa më sipër, dhe në mbështetje të neneve 129, 151/4 dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë “…deklarimin si të pavlefshëm dhe per pasoje të papërdorshëm të të gjitha provave materiale dhe deklaruesit përmendur më sipër, dhe pushimin e gjykimit të procedimit penal nr. 1 të vitit 2011 për shkak se ndjekja penale nuk duhej të fillonte. . . ”

AVOKATET MBROJTES K E R K U E S I

PETRIT SERJANI GEZIM VELESHNJA ILIR META

Fund

KOMENTE
  • sotir Labi19:42 - 20 Qershor 2011
    Ky kryehajdut duhet te denohet.Kjo eshte fytyra shembullore e pisllekut,vjedhjes dhe kontrabandes.Ky sbushte barkun me buke ne rinine e tij. Poshte hajduti