English

Mbyllet hapja e kutive të njësisë 4, Basha në avantazh me 78 vota

Tiranë, 20 qershor 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të hedhura gabim në të 160 kutitë e 43 qendrave të votimit të njësisë bashkiake nr. 4 që përkon me KZAZ-në nr. 48 në Tiranë.

Pas numërimit të votave të hedhura gabim në kutitë e tjera dhe kqyrjes së fletëve të pavlefshme në zarfin përkatës, por edhe fletëve të vlefshme të hedhura jashtë këtyre zarfeve, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” është në avantazh me 78 vota, kundrejt rivalit të tij të “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama.

Numërimi i votave për njësinë 4 u shoqërua me debate mes anëtarëve të KQZ-së.

Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste kundërshtuan numërimin e votave në disa kuti ku mungonte zarfi i fletëve të votimit të pavlefshme, që ata e argumentuan si një manipulim të hapur.

Gjithashtu përfaqësuesit e PS-së kërkuan hetimin e disa kutive, në të cilat nuk përputheshin kodet e sigurisë, të hapjes me ato të mbylljes.

Ndërkohë dje ka përfunduar edhe hapja e numërimi i 474 kutive, që i përkasin njësisë bashkiake, 1, 2 dhe 3 në kryeqytet.

Deri dje në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha kanë shkuar 69 vota, ndërsa për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama 74 vota, një rezultat ky që erdhi pas përfundimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara në tre njësitë bashkiake të Tiranës, 1, 2 dhe 3.

Gjatë numërimit të votave të hedhura gabim në qendrat e votimit të njësisë 1, që i përket KZAZ-së 45, Lulzim Basha mori 28 vota, ndërsa Edi Rama 26 vota.

Gjatë numërimit në njësinë 2, përkatësisht KZAZ-ja 46, Lulzim Basha mori 21 vota, ndërsa Edi Rama 12 vota.

Kurse gjatë numërimit në njësinë 3, që i përket KZAZ-ja 47, në favor të Lulzim Bashës shkuan 20 vota, ndërsa në favor të Edi Ramës 36 vota.

Në njësinë bashkiake 1 u hapën gjithsej 156 kuti, në njësinë 2 u hapën 201 kuti dhe në minibashkinë 3 u hapën 117 kuti, ku u numëruan votat e hedhura në kutitë e gabuara.

Në total tashmë diferenca mes dy kandidatëve Basha e Rama është 78 vota në favor të kandidatit Lulzim Basha.

Para vendimit të Kolegjit Zgjedhor marrë në 13 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi 125 kuti votimi, ku vlerësoi votat e kontestuara, e ku në total kandidati demokrat Lulzim Basha siguroi 173 vota, ndërsa kandidati i majtë Edi Rama 83 vota.

Por ajo që shihet është se trendi i votave në këtë proces të dytë numërimi në tryezën e KQZ-së tregon se edhe me vota të hedhura gabim të dy kandidatët për bashkinë e Tiranës edi rama dhe Lulzim Basha janë kokëkokë.

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për vlerësimin dhe numërimin e të gjitha fletëve të hedhura në kutitë e gabuara në hetimin administrativ të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë përfshirë edhe 1793 kuti votimi nga 368 qendra votimi në Tiranë.

Tashmë mbeten për t’u numëruar edhe 1159 kuti nga 1793 gjithsej të përfshira në hetimin administrativ të KQZ-së.

Pas përfundimit të hapjes së kutive të njësisë 4 që përkon me KZAZ-në nr. 48, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vijojë me numërimin e fletëve të hedhura gabim për minibashkinë 5, që përkon me KZAZ-në 49 në kryeqytet, që në 21 maj i dha fitoren me 10 vota kandidatit Edi Rama.

Mbledhja e KQZ u lajmërua për pasditen e sotme në orën 18.00.

mit/NOA

KOMENTE