English

PD kundërpërgjigjet: Rama po kundërshton ndërkombëtarët

Tiranë, 20 qershor 2011, NOA – Pas akuzave të deputetit socialist Saimir Tahiri për manipulim votash në tavolinën e KQZ-së ka reaguar selia blu, që i bëri thirrje PS-së t’i përgjigjet deklaratave të ndërkombëtarëve për pritjen me maturi të përmbylljes së procesit zgjedhor për bashkinë e Tiranës.

“Komuniteti ndërkombëtar po na kërkon të gjithëve që të sillemi me maturi dhe të presim përfundimin e procesit dhe respektimin e vendimeve të institucioneve. I vetmi që po kundërshton këtë, është zoti Rama”, tha zëdhënësja e shtabit elektoral të kandidatit Lulzim Basha, Jorida Tabaku.

Ajo vlerësoi se numërimi i votave të hedhura gabimisht në kutitë e tjera përbën një standard themelor të zgjedhjeve të lira.

Tabaku vlerësoi procesin e numërimit të votave pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar se KQZ po kryen një proces të ligjshëm në respektim të urdhrit të Kolegjit Zgjedhor.

“Sot, Edi Rama akuzoi KQZ-në për manipulim të procesit. Nuk ka manipulime. Përveç faktit se sot, siç e ka parë i gjithë publiku, një vëzhguese e Partisë Socialiste tentoi të manipulojë procesin duke thyer një kuti votimi. Çdo shqiptar ka pasur mundësinë ta shohë numërimin drejtpërdrejt në TV”, deklaroi zonja Tabaku.

Ajo akuzoi PS-në se po tenton të prishë procesin zgjedhor.

Këtu Tabaku iu referua thirrjes së kryesocialistit Rama që kërcënoi se do të bojkotojë parlamentin nëse KQZ vazhdon procesin e urdhëruar nga Kolegji Zgjedhor.

mit/NOA

KOMENTE