Tiranë, 20 qershor 2011, NOA – Selia rozë denoncoi procesin e numërimit të votave në KQZ si një proces të turpshëm, të orkestruar nga kreu i KQZ-së Arben Ristani e Sali Berisha. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist Saimir Tahiri akuzoi KQZ-në se është shndërruar në një institucion gangsterësh dhe në bodrumin partiak të kryeministrit Berisha.
“Arroganca e Ristanit nuk është ndryshe nga arroganca e Saliut për të
manipuluar procesin zgjedhor, dhe për të bërë me dhunë humbësin Lulzim Basha
fitues me vota të vjedhura. Ky proces është ilegjitim, manipulativ e
spekulativ, e si i tillë, nuk mundet dot kurrsesi të legalizojë vjedhjen e
zgjedhjeve në tavolinën e pushtetit. Ne thjesht, nuk do ta lejojmë”, deklaroi Tahiri.
Ai akuzoi KQZ-në se po kryen një turp elektoral duke manipuluar vullnetin e qytetarëve të Tiranës që i nuk mbulon dot asesi fitoren me 10 vota të Edi Ramës.
Tahiri argumentoi për mediat se “Në kutitë e NJB 1, rreth 20 QV rezultojnë me më
pak fletë se zgjedhës. 4 QV rezultojnë me më shumë fletë se zgjedhës, ku
vetëm një QV ka plot 21 fletë më shumë se zgjedhës. Kuti të thyera e të çara
nga ku dalin vota të pafutura në asnjë zarf apo zarfi i fletëve të
pavlefshme është zhdukur nga kutia. Fletë votimi të një QV që fluturimthi
gjenden në kutitë e një QV tjetër. Fletë votimi të gjetura në një kuti, të
vulosura me vulat e një tjetër QV. Kode Sigurie që janë tërësisht ndryshe
nga ato që kanë vënë komisionerët, apo kuti pa kode sigurie”, zbuloi deputeti socialist.
Sipas tij në të gjitha QV-të, mungon kodi i pestë i sigurisë, ai që duhet
të mbyllte hapësirën nga ku zgjedhësit kanë futur fletët e votimit.
Tahiri akuzoi direkt kreun e KQZ-së Ristani se kodi i sigurisë është lënë hapur për t’i hapur rrugë manipulimit të kutive me vota shtesë për kandidatin demokrat Lulzim Basha.
Deputeti i PS-së tha se KQZ me urdhër politik, po vjedh duke dhunuar, në mes të ditës, duke delegjitimuar tërësisht procesin zgjedhor e shkelur Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.
mit/NOA