English

Ambasada Italiane: Hyn në fuqi marrëveshja për legalizimin e akteve publike

Tiranë, 21 qershor 2011, NOA- Ambasada Italiane në Shqipëri nëpërmjet një njoftimi shprehet se ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë italiane për tërheqjen e kundërshtisë së vënë në 2003 ndaj Shqipërisë, Marrëveshja e Hagës që anulon legalizimin e akteve publike të jashtme, apo marrëveshja mbi apostilat, hyri tashmë në fuqi mes Italisë dhe Shqipërisë.

Njoftimi i plotë i ambasadës italiane:

Ambasada e Italisë në Tiranë ka kënaqësinë të bëjë me dije se, në vijim të vendimit të qeverisë italiane për tërheqjen e kundërshtisë së vënë në 2003 ndaj Shqipërisë, Marrëveshja e Hagës që anulon legalizimin e akteve publike të jashtme (apo Marrëveshja mbi apostilat) hyri tashmë në fuqi mes Italisë dhe Shqipërisë.

Aktet publike shqiptare, ndërkaq, për të patur vlefshmëri në Itali, nuk duhet të legalizohen më pranë përfaqësive konsullore italiane, por duhet të jenë të pajisura me vulën e Apostiles nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Bëhet fjalë për një zhvillim të një rëndesie të madhe, që u arrit falë një nisme të Ambasadës Italiane në Tiranë që, duke marrë parasysh përparimet e arritura nga Shqipëria ëe vitet e fundit dhe në vijim edhe të liberalizimit të vizave Schengen, i ka kërkuar Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme (në marrëveshje me Ministritë e tjera të interesuara, atë të Brendshme dhe atë të Drejtësisë) për të tërhequr kundërshtinë që bllokonte hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Hagës mes Italisë dhe Shqipërisë.

Impakti i procedurës së re, që do të sjellë për qytetarët shqiptar një kursim të dukshëm si të kohës dhe të parave, do të jetë pa dyshim shumë i fortë në popullsinë shqiptare: mjafton të marresh parasysh që vetëm Kancelaria Konsullore e Ambasadës së Italisë në Tirane ka kryer deri tani rreth 77.000 legalizime të akteve çdo vit.

Sidoqoftë ju kujtojmë se, për t’u pranuar nga Autoritetet italiane, aktet publike (të pajisura me vulën e Apostiles) duhet të jenë të përkthyera në gjuhën italiane; ky përkthim detyrimisht duhet të kryhet apo vërtetohet në përputhje me origjinalin nga ana e Përfaqësive konsullore italiane (Ambasada Italiane në Tirane, Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Konsullata e Shkodrës).

Duke filluar nga data 1 korrik 2011, Përfaqësitë Konsullore nuk do të kryejnë me legalizimet tradicionale të akteve publike shqiptare por do të pranojnë vetëm dokumenta të pajisur me apostile nga Ministria e Jashtme shqiptare.

Duke filluar po nga data 1 korrik 2011 nuk do të pranohen më përkthimet e kryera nga persona që nuk bëjnë pjesë në listen zyrtare të përkthyesve të betuar shqiptar (depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë shqiptare). Për përkthimet publiku duhet t’i drejtohet pra:

• vetë Përfaqesive Konsullore italiane, të cilat do të kryejnë drejtpërdrejt përkthimet;

• Institutit Italian të Kulturës në Tiranë;

• një përkthyesi shqiptar të betuar (që bën pjesë në listën e depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë).

Hollësitë rreth procedurave që do të ndiqen për të përftuar përkthimin e akteve publike me apostile do të bëhen të ditura në ditët në vijim përmes faqes së internetit të Përfaqësive diplomatike-konsullore italiane në Shqipëri.

a.y/NOA

KOMENTE