Nga Alfred Çako
Kur Partia e Punës së Shqipërisë ishte në një udhëkryq të gjithanshëm ekzistencial në fillim të vitit 1991, Ramiz Alia ishte i gatshëm të bënte jo vetëm negociata të fshehta e publike, por edhe çdo lloj kompromisi me përfaqësuesit kryesorë politikë të anës perëndimore të “Perdes së Hekurt”. Eksperimenti i sistemit komunist, i ngritur nga vetë Elita si rezultat i projektimit të formulës së adoptuar hegeliane: problem, reagim zgjidhje (ose krijo dy palë konfliktuale që popujt e trembur t’i kërkojnë zgjidhjet sipas formulave të Elitës), rezultoi i dështuar. Një armik tjetër ideologjik i Perëndimit po hidhte dora-dorës shtat-hijen e vet: islami. Atëbotë, R. Alia, i gjendur përballë shembullit më të keq të Çausheskut, nuk dinte se nga t’ia mbathte dhe kujt t’ia jepte pushtetin. Ndoshta atij nuk ia kishte treguar Enveri se mandatin qeverisës edhe anës lindore të “Perdes së Hekurt” ia kishte dhënë Elita dhe ata nuk ishin aq të pavarur sa ç’dukeshin, pasi kontrolloheshin në dukje nga qendra e pushtetit të Lindjes, të caktuar nga elita, Moska (nëpërmjet Rumanisë), edhe pse popullit i thuhej ndryshe, sikur ne ishim kërthiza e botës, se s’pyesnim për asnjë krah të “Perdes” dhe “nuk ishim as Lindje, as Perëndim”. Si më inteligjenti dhe më i vjetri politikan i Byrosë komuniste, Ramizi e kuptoi se nuk ishte koha për t’u shtyrë me brirë me “ustallarët” e mëdhenj, ndaj ai bëri siç i thanë në linjat kryesore dhe veproi si mundi në aranxhimin e “anarshisë” që kishte kapluar vendin si rezultat i adaptimit të filozofisë së re, politikë e sistemit qeverisës. Një nga gjërat kryesore që kuptoi Ramizi atëbotë ishte fakti se ai njohu “babanë” e vërtetë të pushtetit komunist, zbuloi ku ishte burimi i fuqisë së saj e, kësisoj, nga kishte ardhur leja 45-vjeçare për të sunduar në këtë cep të globit. Ai e kuptoi se ky “baba” (Elita) nuk kishte ndërmend ta shfaroste fizikisht “birin” e vet ilegjitim, por thjesht ta “edukonte” pak, t’i bënte pak grim partisë-shtet, duke ndërruar skenarin dhe aktorët e ta lejonte të ishte përsëri prezent e i rëndësishëm në lojën e re pluraliste. Vetëm se kjo do të kryhej me 2 kushte: që të kishte vëmendje ndaj prioriteteve dhe orientimit politik të saj dhe, së dyti, linja gjenetike e Byrosë së fantaksur pas Moskës dhe Beogradit të mos kishte më në dorë frenat e kësaj partie të re, qoftë dhe për opinion. Tashmë Shqipëria po hynte në krahun perëndimor të ish-”Perdes” dhe Ramizi, i rigjallëruar nga shpresa e re ekzistenciale, i kreu detyrat nga forma me korrektësi: ai filloi tërheqjen e vet personale të butë, i ndërroi emrin Partisë së vet të Punës të orientuar për 50 vjet nga sllavo-komunistët dhe Kina (në PS); u përpoq të sillte një grup miks në lidershipin e ri, të cilët në përgjithësi nuk kishin ndonjë lidhje të fortë gjenetike me ish-punistët e Byrosë. Emra të tillë si Nano, Ruçi, Pëllumbi, Hajdaraga, Meta, Majko, Lakrori, Legisi, Dokle, Meksi etj., të kujtonin një grup njerëzish besnikë ndaj kauzës së vjetër, kryesisht intelektualë, me prejardhje nga shtresa e mesme e inteligjencies komuniste apo edhe me eksperiencë nga puna në organet e diktaturës komuniste. Me këtë zgjedhje të ndërmjetme të Ramizit, Elita mendoi se një transfuzion i dytë gjatë kohës së daljes në opozitë do t’i jepte PS një drejtim më perëndimor dhe një distancim më të madh të lidershipit të saj të ardhshëm nga barbarizmi i vijës gjenetike e enturazhit të Byrosë Politike dhe grupit të organeve të saj të dhunës. Nëse do të jepnim një shembull për ilustrim të rëndësisë së orientimit të një kombi, mjafton të shohim sjelljet diametralisht të kundërta të çizmes ruse në Paris, pas betejës së Vaterlosë më 1815-n, kur komandonte cari Aleksandër dhe aristokracia e tij properëndimore (ushtria e gjitha qëndroi në kazerma dhe u soll me korrektesë me armiqtë e vet francezë) dhe barbaritë e Ushtrisë së Kuqe staliniste me civilët gjermanë më 1945-n. Por, duke u rikthyer te ngjarjet tona, duket se suksesori Nano gaboi në drejtim të thellimit të nismës perëndimoriste të Ramizit dhe në orientimin e tij nga Londra dhe Uashingtoni, gabim ky që i hapi atij fët e fët dyert e Bënçës për disa vjet. I rikthyer “triumfalisht” drejt godinës te Rruga e Barrikadave më ’97-n – pasi do të shmangte të sponsorizuarin e fatit dhe Perëndimit, Bashkim Finon – Nano filloi të matej me hijen e mëngjesit kur ai, i ndihmuar nga shansi i shtruarjes për zgjidhje të “puzzle”-t ballkanik, filloi të mos i dëgjonte shumë këshillat e zonjushës Mariza Lino, atëbotë ambasadore e SHBA-ve në Tiranë, për të ndenjur në hije. Me pretekstin se Fino nuk e ndalte dot “çakallin” Berisha, Nano do të bëhej kryeministër. Me sa duket, ka një gabim (faj) naiv 20-vjeçar të politikanëve kryesorë shqiptarë, të cilët duan ta etiketojnë para militantëve të tyre – çdo veprim mosaprovues të ambasadorëve të huaj ndaj qëllimeve afatshkurtra personale – si një veprim kokëkrisur individual dhe të korruptuar nga lideri kundërshtar i tyre; si veprim të pambështetur nga dikasteri dhe politika e jashtme e shtetit që ata përfaqësojnë në Tiranë. Kështu, Nano e goditi karizmatikun dhe njeriun e mbështetur rastësisht prej Elitës, me origjinë nga “rendi i tretë” në PS, B. Finon. Me këtë veprim ai forcoi pozitat e G. Ruçit në PS dhe filloi në ndonjë rast të ndiqte aventura në politikën e vet të jashtme, i ndikuar nga orientimi konservator strategjik lindor i PPSH, pararendëses së PS, të cilën ai drejtonte. Në këtë kohë në PS filluan të thirreshin si skalion i dytë figura me lidhje gjenetike me ish-nomenklaturën e lartë të Byrosë (I. Gjoni, B. Klosi, E. Rama) dhe me organet e diktaturës, siç ishte Sigurimi i Shtetit, dhe filloi një frustrim apo ironizim i heshtur ndaj prurjeve pa “rrënjë” të lidhura me Bllokun, të cilat ishin ofruar në PS pas Kongresit X të PPSH, si Majko, Meta, Zela & Co. Nuk dihet nëse R. Alia e kishte pasur seriozisht me nismën për perëndimorizimin e PPSH (PS), apo tërheqja e tij për lëshime kishte qenë stratagjemë momentale nga frika e përsëritjes së skenarit Çaushesku edhe në Shqipëri. Gjithsesi, Nano, me mendjelehtësi filloi të bënte deklarata që i shkonin për shtat Millosheviçit për problemin e zgjidhjes së nyjës gordiane të ish-Jugosllavisë, Kosovës, në një kohë që njerëzit e Elitës po negocionin me Millosheviçin për ta zgjidhur me sa më pak kosto këtë çështje. Dihet se në këtë kohë, si një rrufe në qiell të pastër, ndodhi vrasja e njeriut ndoshta më të rëndësishëm të tranzicionit shqiptar, Azem Hajdarit, vrasje që shërbeu për njollosjen e imazhit dhe largimin e F. Nanos nga politika. Saora, në qiellin e shtatë të maxhorancës qeverisëse dolën figura pa lidhje me lidershipin e nomenklaturës së lartë puniste si Majko e Meta, të cilët e orientuan këtë maxhorancë pro strategjisë euroatlantike për ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe Ballkan. Megjithëse me një maxhorancë vrastare në Parlament, si rezultat i presionit serioz të njerëzve të Elitës në Tiranë, konservatorja PS nuk guxoi ta zgjidhte z. Nano si President më 2002-shin, pas ikjes së z. Meidani nga Pallati i Brigadave. Ndërkohë kishte rifilluar një raund i dytë beteje për të manipuluar strukturat rozë dhe për të shtënë në dorë PS-në, midis ish-nomenklaturës komuniste me orientim nga Moska dhe Athina dhe grupit të ri që kishte mbështetur pa ekuivok aleancën me Perëndimin në PS. Këtë betejë duket se e fitoi grupi i vjetër komunist me përfaqësuesin e vet, z. Nano, i cili, pas luftës dhe çlirimit të Kosovës bëri kompromis me Elitën, duke forcuar PS-në me njerëz pa lidhje të forta gjenetike me byroistët si B. Blushi, A. Harasani, Sh. Idrizi dhe Dh. Rafti. Ky ishte ndoshta rasti i dytë për të emancipuar PS si një parti perëndimoriste, përgjatë një beteje për zgjidhjen e një dileme orientimi që ende vazhdon në vende të tilla si Serbia dhe Greqia, problem i cili duket se ka filluar qysh me krijimin e shteteve të tyre kombëtare. Vetë dy dinastitë historike serbe, për rreth një shekull sundim, kanë në esencë të sjelljes së tyre orientimin e shtetit serb. Me ardhjen në krye të PS të të “riut” Rama, si një “figurë” e mbështetur fillimisht nga Nano dhe i sponsorizuar sa nga origjina e tij familjare – me lidhje të forta si me aristokracinë e vjetër zogiste, ashtu dhe me Byronë – aq edhe nga dega shqiptare sorosiane e oligarkëve jahudinj të financave botërore, kjo tendencë ndaj animit për të perëndimorizuar PS u ndërpre. Në fakt, z. Rama dhe një pinjoll tjetër i klanit të kuq (A. Klosi), si përfaqësues të këtij klani të trembur nga mundësia e ardhjes në skenë të së djathtës historike, ishin paraqitur në fillim të viteve të pluralizmit si ultra të djathtë. Pasi Alia dërgoi gjithë miqtë e vet intelektualë në krye të shumicës së partive të reja, kishte menduar, si duket, edhe për manipulimin e partive historike, të cilat nuk zunë peshë reale në spektrin e politikës shqiptare dhe Rama, pasi e gjeti derën e PD të mbyllur nga një usta i ri dhe pa ndonjë prejardhje aristokratike, Berisha, u rikthye drejt origjinës së prindërve të vet. Pas ardhjes së tij në krye të PS, akti i parë promoskovit e prolindor ishte zgjedhja e banesës së tij të re në Pezë. Ashtu si shkuarja e bolshevikëve me seli nga Shën Petërburgu drejt Moskës, edhe simboli i shkuarjes së Ramës nga Tirana në Pezë ishte një ogur i keq për të gjithë socialistët dhe qytetarët pro perëndimorë të këtij vendi. Rama thotë se kjo ka lidhje me Natën e Bardhë të shqiptarëve. Oh, çfarë tragjikomedie! Thuhet se historia ndodh sefte si tragjedi dhe pastaj përsëritet si farsë. Nata e Bardhë që vjen nga Peza!!! Më gudulisni pak që të qesh! A nuk e di z. Rama se ende brenda mureve të shtëpisë së tij oshtin zëri sfidues i Dushanit? A nuk e di z. Rama se brenda atyre mureve vibron shpirti zë butë e i ëmbël i antishqiptarit më të madh që ka kaluar ndonjëherë në këto toka qysh pas Knjaz Llazarit, Miladinit? Vërtet nuk e dini, z.Rama, se Konferenca e Pezës kishte qenë akti i parë i PKSH për fillimin e Luftës 7-vjeçare civile në Shqipëri dhe simboli i luftës me çdo kusht e me çdo çmim për pushtet? Si, nuk e dini z. Rama se në Pezë, pas prishjes së Mukjes në gusht 1944, Mugosha, nën hundën e Babë Myslimit, do të vriste me tortura drithëruese dy të rinjtë e parë nacionalistë (Qeramudin Sulo dhe Besnik Çano), duke hedhur farën e përçarjes midis shqiptarëve? A nuk e dini, z. Rama, se shtëpia juaj në Pezë ngjan më shumë se çdo shtëpi tjetër shqiptare me shtëpinë e artritëve dhe Agamemnonit? Shkoni pyesni te varri, në mundshi, Shyqyri Pezën, se kush e vrau? Nga ajo shtëpi kanë dalë urdhrat e parë që shqiptari të vriste shqiptarin, që gjaku të pinte gjakun e vet. Kësisoj, Rama dhe një luzmë nga grupi gjenetik i Byrosë, të mbështetur prej tij, e kuptonin se pas marrjes së disa prej pikave kyçe të strukturave të partisë në gjysmën e dytë të viteve ’90, iu duheshin karriget e Kuvendit. Por, nga disa eksperienca të hidhura që kishin pasur në disa tentime në kohën e Nanos, ata e kuptonin se e kishin të pamundur ta fitonin këtë kolltuk me ligj maxhoritar nominal dhe me mbështetjen e qytetarëve. Ndaj, z. Rama, në bashkëpunim me homologun e vet të krahut tjetër, z. Berisha, ranë dakord ta ndryshonin ligjin elektoral – meqenëqë grupin me frymë anti-Perëndimore ta zgjidhte partia me listë – duke forcuar edhe pushtetin e tyre personal brenda partive respektive. Dhe në këtë drejtim, PS filloi më 2009-n të bënte hapa mbrapa, hapa të cilëve iu kundërvu kryesisht vetëm LSI dhe I. Meta, deri me grevë urie brenda në Kuvend; por aleanca e fuqishme Berisha-Rama nuk lejoi që kjo grevë të ishte e suksesshme. Edhe znj. Topalli, si zë i dytë i z. Berisha, shpeshherë ia zë për të madhe Ramës dhe “fëmijëve të baballarëve” dobësinë e tyre gjenetike, por a e di ajo vallë se sa kopilë të Byrosë ka në Partinë Demokratike? Sidoqoftë, me këtë akt, sidomos te PS, kishte filluar një regres drejt antiperëndimorizimit të saj. Rama po dëshmonte se mesazhin e Alisë më 1991-shin e kishte transkriptuar si një stratagjemë të momentit ndaj Perëndimit. Dhe, pikërisht, frutat e hidhura të kësaj loje hileqare duket se Rama po i ha tash, pas 8 majit. Ashtu si edhe mikut të Moskës në Prishtinë, B. Pacollit, edhe Ramës iu fanit pak çaste mbas 16 majit imazhi i fitores. Më pas ai pa pak ditë ëndrra të këqija pas aktit të parë të KQZ-së në favor të rivalit të vet dhe tash i kanë dhënë si oksigjen pak kohë me një kosto që askush nga ne nuk mund ta dimë…, meqenëqë deri sa të shpallet emri i kryetarit blu të Kryebashkisë, ai të marrë masa për të shtruar rebelët e vet nga baza deri në qendër dhe t’i krijojë vetes të gjitha shanset për t’i hedhur edhe njëherë zaret kundër PD dhe objektivit të Elitës që vendos sot në Tiranë, me shpresë se arbitri i fatit do t’i buzëqeshë maksimumi më 2013-n. Në lojë kanë dalë përsëri fort si paterica të tij G. Ruçi, B. Klosi, I. Gjoni, D. Peza, E. Bushati, I. Beqja etj. Të tjerët janë kthyer në memecë që u vjen goja vetëm kafeneve. Ky grup që i shpall dhe i kupton sfidat e përplaset me ta, natyrisht që është grupi “moskovit” i PS, i cili ka grumbulluar shumë fuqi brenda saj. Një nëngrup i vogël i ardhur nga Bashkia drejt Kuvendit konsiderohet si besnik i verbër i z. Rama dhe përdoret nga ky si skalion rezervë në ndonjë rast rreziku. Grupi që i kupton risqet e orientimit tradicional lindor dhe sfidat e ardhshme të PS (Blushi, Malaj, Harasani, Bello, Majko etj.) nga një ripërplasje e verbër me zgjedhjet e Elitës në Tiranë, po dremit dhe nuk ndihet, duke rënë në grackën e fitimit të kohës që kërkon z. Rama me gënjeshtrën dhe shpresën e tij të radhës se ai do të shpallet fitues i Kryebashkisë. Ekziston, gjithashtu, një grup i tretë energjik, geg, katolik, i fuqishëm financiarisht dhe relativisht me ndonjë dyshim për burimin e këtyre financave, i cili nuk mund të pranojë kurrsesi të orientohet nga Lindja për shkak të ndikimit tradicional të Vatikanit. Ky grup ambicioz po përpiqet, me sa duket, ta mposhtë klanin e dhunshëm të lebërve të Ruçit (të cilët kanë vendosur fatin e lidershipit të kësaj partie), ta mbajë z. Rama në kontroll të plotë dhe ta drejtojë atë nga politikat e rrugës. Kurse pjesa tjetër më e madhe në numër, e verbër dhe arriviste, pret se çfarë do të ndodhë në PS dhe nga do të anojë balanca e fuqisë në luftën midis 3-4 grupeve për riorientimin e PS. Ky është një rast i tretë nëpërmjet të cilit PS do të mund të projektohet nga drejtimi i Londrës dhe Uashingtonit, apo nga krahu lindor tradicional nga ishte orientuar për 50 vjet PPSH dhe byroistët, të cilët, me ndihmën e Nanos, lëshuan vezët në PS dhe me ndihmën e Ramës u ushqyen dhe u fuqizuan. Me këtë dilemë të pazgjidhur, ndoshta nuk do të ketë një shans të katërt që PS të rikthehet e fuqishme në pushtet! Nëse fiton skenari lindor i orientimit te PS dhe ajo humbet përsëri zgjedhjet më 2013-n, atëherë ka gjasa që pas kësaj, kjo parti të mos jetë më një nga dy partitë kryesore në vend. Nëse ndodh kjo, sistemi mund të pësojë krisje për pak vjet, derisa e majta të riorganizohet përsëri dhe loja politike të vendoset në balancë. Por, atëherë ndoshta do të jetë vonë për këtë parti dhe për të gjithë aspiruesit e të majtës në Shqipëri.
Gazeta “Panorama”