...Në Europë studenti mund të jetë maksimumi peng i diturisë dhe i obligimeve që rrjedhin nga programi universitar. Ndërsa, në Shqipëri ai është peng i marrëdhënies ekonomike, që ka krijuar me universitet private, ku është regjistruar për të përfunduar studimet...
Dr. Alban Daci
Të studiosh në Europë nuk është aspak e lehtë, por, përkundrazi, është shumë e bukur dhe afashinante. Të studiosh në Europë do të thotë të qëndrosh me orë të tëra mbi libra për të marrë sa më shumë dije, do të thotë të frekuentosh sa më shumë auditorë, si dhe të frekuentosh mjedise për të rinjtë. Të studiosh në Europë do të thotë të shkëmbesh kulturë, informacione, si dhe vizione për çështje të aktualitetit social.
Në Europë studentët kanë hapësirën e tyre, botën e tyre dhe kjo quhet “Jetë studentore”, sepse jo vetëm në kohë studimi, por edhe në kohën e argëtimit, që quhet ndryshe “net studentore”, të rinjtë qëndrojnë së bashku, jetojnë së bashku dhe bisedojnë po së bashku.
Kjo gjë nuk ndodh në Shqipëri. Ndoshta paragjykoj, por unë po flas për ato gjëra që më kanë zënë sytë dhe më kanë dëgjuar veshët gjatë kohës që jam kthyer në Tiranë. Këtu çdo lloj tipi jete mund të bëjnë të rinjtë, por vetëm jetë studentore nuk bëjnë. Në Shqipëri kam parë studentë që qëndrojnë gjithë ditën në bar duke pirë kafe, kam parë studentë që nuk shkojnë asnjëherë në universitet dhe nëse shkojnë e bëjnë për gallatë dhe për të qëndruar/e për të njohur me ndonjë gocë të bukur.
Një ditë shkova në një qendër tregtare në periferi të Tiranës dhe aty krejt rastësisht takova një të afërt që është student dhe frekuenton një universitet privat, diku aty afër. E pyeta se çfarë po bën, ai tha po pi një kafe me shokët. Ishte ditë jave dhe me siguri në kalendar kishte orë leksioni për të ndjekur. Unë, u largova nga qendra tregtare dhe u ktheva përsëri pas katër orësh, se ashtu kisha punët e mia, por studentin e gjeta përsëri në të njëjtin vend, por me të vetmin ndryshim, se po pinte cigare ngaqë kafen e kishte mbaruar me kohë.
Kur studioja jashtë, unë, dhe miqtë e mi kishim zili të gjenin një gjysmë orë kohë të lirë gjatë javës për të pirë kafe, sepse kohën e kishin të mbush plotë me leksione, seminare dhe studim të pavarur nëpër biblioteka. E vazhdonim në orën tetë mëngjesit ditën me leksion dhe kishte raste e mbyllnim në tetë të darkës dhe pjesa tjetër e kohës ishte për ta rikuperuar me studim të pavarur dhe vetjak në shtëpi.
Gjithashtu, edhe nëse gjenim një çast kohe të lirë, uleshim një grup të rinjsh dhe pinim kafe, e cila kthehej në një forum të vërtetë, ku diskutohej për çështje të ndryshme aktualiteti, sipas këndvështrimeve të studimeve, që po ndiqnim ose kishim ndjekur. Flisnim për provimet, për lëndët dhe për librat e rinj, që kishin dalë në botim.
Kjo gjë nuk vihet re aspak në realitetin studentor në Tiranë. Të rinjtë, edhe pse rrinë me orë të tëra për të pirë një kafe në baret e Tiranës, mund të diskutojnë për gjithçka, vetëm për studimet jo. Edhe në raste të rralla, kur e bëjnë një gjë të tillë, flasin për mundësinë, se nëse kanë gjetur një mik për të marrë një provim të radhës, se nëse kanë para për ta blerë provimin dhe nëse asnjëra nga këto dy të parat nuk funksionon, atëherë hyn në funksionim presioni i drejtpërdrejt fizik.
Në universitetet europiane as që nuk mund të mendohet për të korruptuar profesorin për të marrë provimin. Përkundrazi, edhe nëse ndonjë student i marrë tenton të korruptojë një profesion, me siguri, ai rrezikon të mos e marrë kurrë atë provim, si dhe të marrë një denoncim për korrupsion. Të studiosh në Europë, do të thotë të kesh një literaturë të pafundme në dispozicion për ta shfrytëzuar. Vetëm për një argument, të rastis që në një javë të dalin gjashtë tekste alternative.
Në Europë profesori jo vetëm nuk të detyron të blesh tekstin e tij, siç ndodh në Shqipëri, por të thotë se ke mundësinë të zgjedhësh dy nga pesë tekste që flasin për argumentin, që do të trajtohet në provim.
Në universitet europiane, edhe pse po kalojnë edhe ata një krizë financiare për shkak të krizës së përgjithshme ekonomike, për çdo fakultet kanë departamentet e kërkimeve, kur kërkuesit shkencore bëjnë dhe prodhojnë punë akademike. Një universitet që nuk ka punë kërkimore shkencore është i destinuar të quhet ç’të duash, por jo universitet. Në Shqipëri ndodh rëndomtë të punojnë si profesor persona që në jetën e tyre nuk kanë shkruar një rresht, nuk kanë zbuluar një gjë, por thjeshtë përkthejnë tekste standarde në mënyrë të shëmtuar dhe jo të saktë dhe i shpërndajnë në formë leksionesh.
Pa mos folur pastaj për momentin final, kur studenti duhet të përgatis temën e diplomës, e cila në Europë është një punë e mirëfilltë akademike. Studenti, duhet të shfletoj sa më shumë literaturë, libra, materiale shtesë si dhe internetin duke përdoru referenca shkencore të sakta dhe të pranueshme, kurse në Shqipëri, kam parë jo pak raste, kur shumë studentë, vetëm ndërrojnë autorësinë e studentit dhe e paraqesin si të tyren punimin e dikujt që tashmë është diplomuar dhe mund të jetë edhe i punësuar. Pa folur këtu për punimet që paraqesin studentët në universitetet private në Shqipëri. Në shumicën e rasteve janë paçavure.
Në Europë studenti mund të jetë maksimumi peng i diturisë dhe i obligimeve që rrjedhin nga programi universitar. Ndërsa, në Shqipëri ai është peng i marrëdhënies ekonomike, që ka krijuar me universitet private, ku është regjistruar për të përfunduar studimet. Nga fakti se ai ka paguar taksën e shkollës, ai jo vetëm që nuk mund të ngel edhe në rastin kur është puro injorant, por është një “bos universitar”, dhe këtë të fundit e frekuenton vetëm për të kaluar kohën, ose për të nisur ndonjë histori të bukur dashurie. “Love story” në universitet...
Pra, ajo që ndodh në Shqipëri është absurde dhe jashtë çdo logjike. I pasuri shfrytëzon pasurinë e tij për të mbetur injorant. Ndërsa në Europë edhe ai që është i varfër përpiqet të vendos pak para me një anë për t’u shkolluar më shumë dhe për të ndryshuar statusin e tij social.
Sapo isha kthyer nga Italia dhe kisha ardhur në Tiranë, sepse studimet i kisha përfunduar. Erdha në Shqipëri me atë ëndrrën e bukur shqiptare, se Shqipëria po ndryshon. Prandaj,vendosa të kthehem që të jem edhe unë pjesë e këtij ndryshimi. U takova me një shok timin, të cilin kishe vite pa e takuar, që kur isha larguar për të ndjekur studimet universitare. Shoku, kishte qëndruar në Tiranë, studimet i kishte mbaruar po në Tiranë dhe asnjëherë nuk kishte dal qoftë edhe për qejf në Perëndim. Duke u larguar më thotë: Alban i ke thartuar trutë kot atje, në Europë, duke studiuar dhe duke lexuar faqe të pafundme librash. Po të kishe qëndruar në Tiranë, do e kisha mbaruar duke bërë pa..ë dhe tani do të kishe hyrë edhe në punë.
Në këtë moment, qesha me veten time. Duhet të kalonte një kohë e mirë këtu në Tiranë, që unë të mësohesha dhe të bindesha, se opinioni i këtij mikut tim bënte shumicën. Ndërsa unë, dhe shumë të tjerë si unë, që kanë studiuar jashtë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse në këtë realitet të konsiderohemi “Doktor Gjilpëra”.
Edhe pse, në perëndim kemi përjetuar një eksperience të mirëfilltë universitare dhe shkencore, në vendin tonë nuk vlerësohemi fare, por konsiderohemi “budallenj”, që kemi thartuar trutë, duke qëndruar mbi libra...
Ky është paradoksi absurd i kohëve moderne në Shqipërinë, që duam ta bëjnë europiane, sipas stilin tonë, dhe jo sipas standardeve që ajo ka vendosur. Të jetosh në këtë paradoks është shumë e vështirë, sidomos kur ke përjetuar një eksperience të këndshme jashtë këtij rrethi paradoksal, i cili tenton të mbyll dhe të izoloji në vizione dhe aktivitet social.
*Alban Daci, gazetar për Çështjet e Rajonit dhe Diplomacisë