Tiranë, 21 qershor 2011, NOA- Deputeti socialist Blendi Klosi deklaroi sot se prej 4 ditësh përfaqësuesit e Saliut në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po vazhdojnë të zhvillojnë një proces kriminal që mban firmën dhe vulën e Sali Berishës.
Sipas tij i vetmi qëllim i këtij procesi është manipulimi i vullnetit të qytetarëve të Tiranës dhe grabitjen e mandatit nga opozita.
“Vjedhja dhe turpi që filloi pas numërimit që u pa nga miliona qytetarë shqiptarë dhe që nxori fitues Edi Ramën, tanimë ka degjeneruar në një farsë që nuk është parë e dëgjuar kurrë në ndonjë vend të botës demokratike. Kutive të thyera e të mbushura me vota për Lulzim Bashën, kodeve që mungojnë e kodeve të manipuluara që nuk përputhen me kodet e shënuara në procesverbale, zarfeve të votave të kontestuara që zhduken pa nam e pa nishan dhe fletëve të votimi që gjenden jashtë zarfeve tanimë u janë shtuar dhe kërcënimet kundër vëzhguesve të opozitës apo përjashtimet e vëzhguesve që kanë denoncuar parregullsitë dhe manipulimin e kutive”, u shpreh Klosi.
Më tej ai shtoi se të gjitha këto nuk janë asgjë tjetër veçse pjesë e një procesi vjedhjeje për të grabitur bashkinë e Tiranës.
Në këtë linjë ai tha se, Ristani dhe Saliu nuk po mjaftohen duke manipuluar kutitë, kodet e zarfet, por ai e quajti si një dyshe të turpshme e cila ka vendosur të sfidojë dhe vetë aritmetikën e thjeshtë dhe logjikën e çdo shqiptari e ndërkombëtari.
Sakaq Klosi u shpreh se, si ka mundësi që kur numërohen mbi 250 000 vota, në sy të të gjithë publikut, ato ndahen në mënyrë thuajse të barabartë, ndërkohë që në vetëm 117 kuti të numëruara nga Ristani, diferenca e votave të hedhura gabimisht të jetë 81 vota në favor të Lulzim Bashës?
Në vijim i zgjedhuri i socialistëve tha: “Partia Socialiste ka filluar tashmë një hetim të pavarur mbi çmendurinë aritmetike te tabelave te Ristanit që së shpejti do të zbardhë për çdo qendër votimi skemën e trashë e primitive të vjedhjes të mandatit të Bashkisë së Tiranës. Sot nuk ka mbetur me qytetar shqiptar apo mik e partner i huaj i Shqipërisë që të mos kuptojë se çfarë krimi është duke kryer Ristani për llogari të Sali Berishës”.
Legalizimi i vjedhjes së zgjedhjeve në tavolinën e pushtetit nëpërmjet një procesi manipulativ, sipas Klosit nuk do mund të realizohet kurrë.
a.y/NOA