Prishtinë, 21 qershor 2011 NOA- Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas mbledhjes së kryesisë së legjislativit edhe një herë ka bërë me dije zyrtarisht ende nuk ka një platformë bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë. Krasniqi tha se mungon edhe informimi për detajet e tjera. Sipas tij tashmë duket që nuk është edhe aq domosdoshme pasi që bisedimet ka kohë që kanë filluar. “Interpelanca e kryeministrit Thaçi, sipas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje është shtyrë për një kohë të pacaktuar, apo të paktën për javën e parë të muajit korrik. Kjo për arsye se një pjesë e madhe e qeverisë udhëton jashtë vendit, e gjithashtu edhe një pjesë e madhe e deputetëve do jenë jashtë Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi. Ndërkohë, kryetari i kuvendit të Kosovës ka përkrahur kërkesën e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, që Kosova, në vendet që nuk është njohur, të përfaqësohet nga ambasadat e Shqipërisë. Krasniqi me këtë rast ka thënë se, jo vetëm ambasadat e Shqipërisë, por edhe të vendeve mike mund të ndihmojnë në këto raste. |