Bruksel, 21 qershor 2011 NOA- Transparency International ngre shqetësimin se ngërci i vazhdueshëm mes dy partive politike ka ndaluar reformat më të rëndësishme në dy vitet e fundit dhe bën thirrje për implementimin e ligjeve antikorrupsion, si kusht për integrimin në BE.
Në raportin “Masat antikorrupsion të BE-së, matja e progresit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Turqi” nënvizohet se të katër shtetet duhet të bëjnë më shumë për të garantuar zbatimin e ligjeve anti korrupsion.
Raporti i bën thirrje qeverive të këtyre vendeve “që të ndërtojnë kapacitete dhe të përmirësojnë qeverisjen e institucioneve kryesore.”
SHQIPERIA Sa i takon Shqipërisë në raport thuhet se “ngërci i vazhdueshëm mes partive politike ka ndaluar reformat e rëndësishme për gjatë dy viteve të fundit. Sistemi gjyqesor ka nevojë për reforma që të sigurojë pavarësinë, besueshmërinë dhe profesionalizmin e gjykatësve.” Raporti ndalet në sistemin gjyqësor ku duhet “rritje të kapaciteteve dhe kriteret e përpikta për emërimin e gjykatësve dhe imunitet i limituar në raste keqpërdorimesh dhe korrupsioni.” Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon që këto 4 vende të permbushin standartet financiare, ekonomike, sociale dhe politike. Këtu përfshihet edhe progresi në fushën anti- korrupsion dhe qeverisjes së mirë “e cila është vërtetuar se mbetet një pengesë për vendet kandidate ose potencialisht kandidate në BE”.
“Kapacitetet e ulëta dhe qeverisja e dobët në gjyqësor, legjislature dhe administrim publik na ndihmojnë të kuptojme boshllëkun që ekziston mes ligjit dhe zbatimit të tij në këto vende.”- nënvizon raporti. a.q/NOA