English

Meta: Kjo çeshtje do të shërbejë si kauzë për reformë në sistemin e drejtësisë

Tiranë, 21 qershor 2011 NOA- Deklarata e plotë e kreut të LSI, Meta pas akuzave për korrupsion:

“ Dua të përshëndes mesazhet e dhëna dje nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në radhë të parë për vlerësimet e zgjedhjeve të 8 majit, së dyti apelin e drejtuar të gjitha forcave politike për të respektuar institucionet dhe vendimet e tyre lidhur me çështjen e zgjedhjeve të cilat vazhdojnë të trajtohen nga këto institucione. Dhe njëkohësisht mesazhin e rëndësishëm që pas përfundimit të këtij procesi, të nisë puna për reformën zgjedhore, që do të thotë që edhe përvojat e diskutueshme gjatë këtij procesi të gjejnë zgjidhje në ndryshimet dhe reformimet që do t’i bëhet Kodit aktual Zgjedhor dhe natyrisht ajo çka është më e rëndësishme, mesazhi kryesor që e gjithë politika shqiptare tani të përqendrohet në përmbushjen e 12 prioriteteve të bëra të qarta nga Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian.

Pyetja: Z. Meta ditën e djeshme ka qenë seanca gjyqësore për personin tuaj dhe ku avokatët tuaj kanë bërë një kërkesë e cila nuk është pranuar për të pasur një ekspert për të bërë gjykimin e kësaj videoje. A do të jetë eksperti juaj gjatë seancave të zhvilluara në Gjykatën e Lartë?

Nuk do të dëshiroja të merresha me një çështje tashmë tepër të qartë, jam i bindur, për të gjithë opinionin publik. Por në respektin tuaj më duhet të theksoj se dje ka nisur një proces politik i cili është i tillë për shkak të dhjetëra shkeljeve të qëllimshme të bëra nga institucioni i Prokurorisë u cili nuk ka pasur dhe nuk ka qëllim për ët zbardhur të vërtetat të cilat janë vetëm ashtu sikurse unë i kam deklaruar që në fillim të kësaj çështjeje por ka pasur si qëllim, zvarritjen e këtij procesi, mbajtjen peng të imunitetit tim dhe keqpërdorim e kësaj çështjeje, kryesisht për shkak të zgjedhjeve të 8 majit sepse ndoshta ju nuk e dini por Prokuroria e cila e ka pasur të gjithë kohën për të ecur përpara në të gjithë këtë hetim dhe e ka pasur bashkëpunimin tim të plotë. Vetëm dy ditë para 8 majit më kërkonte për të më komunikuar se unë isha marrë i pandehur por ju e dini shumë mirë se unë kam qenë i hapur që në fillim të këtij procesi ndërkohë që Prokuroria ka qenë në mënyrë të njëanshme, ekstreme do të thosha, pikërisht në krahun e ankuesit. Pikërisht për këtë proces mund t’ju them se i gjithë ky proces është i pavlefshëm për arsye sepse nuk ekziston asnjë provë materiale, e ligjshme, jo thjesht në kuptim procedural por në kuptimin thelbësor. Edhe nga ekspertizat që Prokuroria ka bërë gjithashtu në mënyrë të paligjshme, edhe pse ne i kemi kërkuar që tog zbatojë ligjin, del qartë se kemi të bëjmë me një mungesë të provave origjinale dhe njëkohësisht del qartë se kemi të bëjmë me një kasetë të padëgjueshme për arsye pikërisht të montazheve dhe të manipulimeve që janë bërë me të. Pra, të tre ekspertizat ndërkombëtare, edhe pse të paligjshme, për faj të prokurorisë jo për faj të avokatëve të mi, tregojnë qartë që jo vetëm është shkelur ligji me të dyja këmbët nga ana e Prokurorisë por ka pasur vetëm një qëllim, të zvarrisë pafundësisht këtë proces vetëm për arsye politike. Ndërkohë që ekspertiza ndërkombëtare, të cilën ne e kemi siguruar, e cila është e një niveli të jashtëzakonshëm, shumë të lartë ka konfirmuar në më mënyrë shumë të qartë, të cilën ne do ta konfirmojmë përmes ekspertëve tanë ndërkombëtarë edhe në seancat e gjygjit.

Pyetja: Do të jenë prezent?

Patjetër, ata kanë konfirmuar vullnetin e tyre për të marrë pjesë në këto seanca për të treguar që ajo video që qytetarët shqiptarë kanë parë është një manipulim total, sidomos për sa i takon titrave, sidomos për sa i takon shifrave dhe të gjithë atyre pjesëve të thurura me aq kujdes, vetëm e vetëm për të dëmtuar dhe kompromentuar figurën time. Ajo që është e rëndë nga ana e Prokurorisë është pikërisht sepse ajo është bërë palë në një proces të paligjshëm që nga fillimi dhe ka refuzuar në mënyrë sistematike kërkesat tona të ligjshme për të bashkëpunuar dhe për të pasur një proces të rregullt.

Pyetja: Z. Meta ju e quani këtë proces nul. A keni fakte për ta mbështetur këtë?

Procesi është nul për dy arsye kryesore, thelbësore. Kjo sepse nuk ekziston asnjë provë origjinale, e cila mund të merret si një provë e ligjshme. Nuk flasim thjesht për aspektin procedural, që është bërë një përgjim pa leje apo i paautorizuar etj. Por nuk ekziston asnjë provë origjinale. Nuk ekziston një filmin origjinal ndaj person tim. Ka materiale origjinale por ato janë për persona të tjerë e jo për mua. Pra këtu kemi të bëjmë me mashtrimin që është bërë Prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë dhe që është një vepër penale. Së dyti provat e tjerat të cilat janë kopje të hedhura nga një kompjuter në një tjetër janë të manipuluara, dhe këto janë lehtësisht të verifikueshme. Dhe së treti, transkriptimi i bërë i këtyre provave të manipuluara rrëzon totalisht përmbajtjen e kësaj kasete, në mënyrë teknike, shkencore apo profesionale dhe ne këtë jemi të vendosur që ta demonstrojmë në gjegj përmes ekspertëve tanë ndërkombëtarë. Nuk besoj se pala tjetër mund ta bëjë këtë gjë sepse të tre ekspertët ose të tre ekspertizat e prokurorisë kanë konfirmua se kjo është një kasetë e padëgjueshme dhe njëkohësisht nuk kanë marrë të bëjnë transkriptimin sepse ata natyrisht nuk mund të marrin përsipër të ballafaqohen me vepra penale të shpifjes, të mashtrimit e kështu me radhë.

Pse është nul? Sepse ka më shumë se tridhjetë dëshmitarë që janë pyetur nga organi i prokurorisë dhe mendoj se lista ka qenë tërësisht e panevojshme por ka qenë ka qenë për të zgjatur këtë proces dhe këtë procedurë, ka vetëm një dëshmitar i cili del kundër meje. Ky është personi që bëri përgjimin por i cili është i pavlefshëm nga ana juridike si dëshmitar, përveçse i pabesueshëm sepse ai është i pandehur për veten e tij në një procedim të lidhur me këtë çështje dhe është peng i prokurorisë për tu përdorur kundër meje. Pra nuk ekziston asnjë provë dhe asnjë dëshmitar në të gjithë këtë proces dhe ky nuk është faji im. Kjo është përgjegjësi e Prokurorisë. Avokatët e mi kanë të drejtën e tyre sepse ata janë profesionistë të konstatojnë të gjitha shkeljet kushtetuese, sepse kemi të bëjmë edhe me shkelje kushtetuese, të ligjit, të procedurës penale etj, të bëra nga institucioni i Prokurorisë por thelbësore në të gjithë këtë kontestim ka të bëjë fakti që ky institucion sjell me ndërgjegje të plotë prova ta manipuluara në gjykatë dhe është bërë pjesë e një procesi politik.

Pyetja: A mund ta provoni këtë që Prokuroria është politike?

Kjo është e provuar. Që prokuroria është politike këtë e dinë të gjithë, aq më tepër pas ngjarjeve të 21 janarit. Pro këtë çështje ne do ta provojmë me ekspertizë ndërkombëtare në gjykatë dhe ju do ta ndiqni me shumë vëmendje të gjithë këtë proces dhe natyrisht që kjo çështje do të ngrejë, jam i bindur, edhe më tej nevojën për të bërë një reformë të rëndësishme në sistemin e drejtësisë sidomos në atë të prokurorisë. Sepse kur prokuroria merr përsipër të shkelë ligjin apo Kushtetutën, të punojë me prova të manipuluara ndaj një personi publik sikurse është rasti im që në fund të fundit përfaqësoj një forcë politike. Kam mundësinë të mbrohem më shumë se sa n jë qytetar i thjeshtë. A e kuptoni ju se çfarë do të thotë kjo për dhjetëra e qindra qytetarë të cilët në mënyrë të paligjshme merren të pandehur, vihen para presioneve, vihen përpara gjobave dhe të cilët as të sigurojnë ekspertizë ndërkombëtare dhe nuk kanë as mundësi të komunikojnë me mediet kështu sikurse po komunikoj unë me ju sot. Kështu që ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen.

KOMENTE