English

Një studente në Tiranë gjen vdekjen, i ra të fikët në orën e leksionit

Eni Sula, 23 vjeçe studente e fakultetit të Mjekësisë, dega Farmaci ndërroi jetë ditën e sotme. E ndërsa pedagogu, prof. Dr. Tritan Shehu, ish-zëvendëskryeministri i vendit jepte leksionet, 23-vjeçarja i tregon shoqes së bangos se kishte dhimbje koke

Tiranë, 21 qershor 2011 NOA - Teksa ishte e përqendruar të dëgjonte pedagogun i cili jepte leksione, krejt papritur koka e saj përplaset mbi bango dhe brenda pak sekondash u dëgjuan britmat e studentëve.

Vajza e re, u dërgua gjallë në spital megjithëse pa ndjenja. Eni Sula, 23 vjeçe studente e fakultetit të Mjekësisë, dega Farmaci ndërroi jetë ditën e sotme, pas pesë ditësh qëndrim në gjendje kome.

Burime nga policia dhe nga fakulteti ku studionte vajza, treguan sot për agjencinë NOA se paraditen e së premtes së javës që lamë pas, Eni Sula ishte paraqitur në fakultet për të marrë leksionet.

E ndërsa pedagogu, prof. Dr. Tritan Shehu, ish-zëvendëskryeministri i vendit jepte leksionet, 23-vjeçarja i tregon shoqes së bangos se kishte dhimbje koke.

E bindur se një dhimbje e tillë ishte shkaktuar nga moti i nxehtë, Eni vazhdoi të qëndronte në klasë për të marrë leksionet.

Por pas disa minutash studentët që ndodheshin në klasë kanë kthyer kokën në drejtim të banesës së 23-vjeçares nga ku u dëgjua një zhurmë. Koka e studentes u përplas në bankë pasi asaj i kishte rënë të fikët.

Pedagogu u përpoq t’i jepte ndihmën e parë bashkë me studentët të cilët e transportuan me urgjencë në spital.

Mjekët deklaruan në fillim se 23-vjeçarja ndodhej në gjendje kome, kishte pësuar hemorragji cerebrale. Kurse vunë në dukje faktin se pedagogu i kishte mundësuar ardhjen gjallë në spital duke i dhënë ndihmën e parë.

Megjithëse mjekët u përpoqën t’i shpëtonin jetën, studentja ka dhënë shpirt në orët e para të ditës së sotme dhe po sot është përcjellë për në banesën e fundit.

e.t/NOA

KOMENTE