English

Numërohen 854 kuti pas vendimit të Kolegjit, Rama dhe Basha në balotazh

Tiranë, 21 qershor 2011, NOA/Irma Toptani – Kur tashmë është përmbyllur hapja e kutive dhe numërimi i votave të hedhura gabim në plot 854 kuti që i përkasin pesë njësive bashkiake në Tiranë të dy kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë kanë tashmë një rezultat të barabartë me vota, plot 130 të tilla të përfituara pas numërimit të votave të hedhura gabim në kutitë e tjera.

Kur kanë mbetur edhe kutitë e gjashtë njësive për t’u hapur Lulzim Basha dhe Edi Rama kanë të dy nga 130 vota, duke tkurrur tërësisht avantazhin, e duke e bërë garën për Tiranën më të ethshme.

Ky rezultat doli pas përfundimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara në pesë njësitë bashkiake të Tiranës, 1, 2 dhe 3, 4 dhe 5.

Gjatë numërimit të votave të hedhura gabim në qendrat e votimit të njësisë 1, që i përket KZAZ-së 45, Lulzim Basha mori 28 vota, ndërsa Edi Rama 26 vota.

Në procesin e numërimit për njësinë 2, përkatësisht KZAZ-ja 46, Lulzim Basha mori 21 vota, ndërsa Edi Rama 12 vota.

Kurse gjatë numërimit në njësinë 3, që i përket KZAZ-ja 47, në favor të Lulzim Bashës shkuan 20 vota, ndërsa në favor të Edi Ramës 36 vota.

Gjatë numërimit të votave në njësinë 4, që përkon me KZAZ-në 48, të dy kandidatët morën nga 53 vota secili.

Ndërsa gjatë hapjes së kutive të njësisë 5, që përkon me KZAZ-në 49, në favor të kandidatit Lulzim Basha shkuan 8 vota, e për kandidatin Edi Rama 3 vota

Në njësinë bashkiake 1 u hapën gjithsej 156 kuti, në njësinë 2 u hapën 201 kuti, në minibashkinë 3 u hapën 117 kuti, në njësinë bashkiake 4 u hapën 160 kuti dhe në njësinë 5 u hapën 220 kuti gjithsej, ku u numëruan votat e hedhura në kutitë e gabuara si dhe u kqyrën fletët e votimit të pavlefshme, Brenda dhe jashtë zarfeve përkatës.

Por, pas përfundimit të hetimit administrativ për pesë njësitë, në total diferenca mes dy kandidatëve Basha e Rama është 83 vota në favor të kandidatit Lulzim Basha.

Duhet sjellë në kujtesë se para vendimit të Kolegjit Zgjedhor marrë në 13 qershor, pas ankimimit të Partisë Socialiste, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi 125 kuti votimi, ku vlerësoi votat e kontestuara, e ku në total kandidati demokrat Lulzim Basha siguroi 173 vota, ndërsa kandidati i majtë Edi Rama 83 vota.

Pra thënë shkoqur kandidati demokrat mori 90 vota më shumë se ai socialist.

Por, me një aritmetikë të thjeshtë, dhe duke parë trendin e votave të hedhura gabim për pesë njësi, një trend që shkon me shifra kokëkokë për të dy kandidatët për Tiranën, Edi Rama dhe Lulzim Basha, mbetet ende e pakuptimtë se si avancoi me 90 vota Lulzim Basha gjatë procesit të parë të numërimit në tavolinën e KQZ-së, kur tashmë ai ka vota të barabarta me kandidatin Rama për plot 854 kuti të numëruara rishtas nga KQZ.

Ishte ky rezultat që doli nga numërimi i votave të kontestuara në 125 kutitë që u hapën në KQZ që përmbysi rezultatin e dalë në 21 maj nga përmbyllja e procesit të numërimit të votave në 11 KZAZ-të e Tiranës, ku Edi Rama doli fitues me 10 vota.

Po këtu duhet të shtojmë edhe një pikë të ankimimit të PS-së, e cila thekson se pas hapjes së 125 kutive në KQZ pati mospërputhje të votave me numrin e zgjedhësve, dhe ku përkatësisht rezultojnë 357 vota më shumë se zgjedhës.

Kjo pikëpyetje nuk do të mbetet pa u shqyrtuar sikundër kanë deklaruar socialistët.

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vijojë me numërimin e fletëve të hedhura gabim për minibashkinë 6 dhe 7, që përkon me KZAZ-të 50 dhe 51 në kryeqytet.

Tashmë mbeten për t’u numëruar edhe 539 kuti, nga 1793 gjithsej, kuti të cilat u përkasin njësive 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 në kryeqytet.

Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për vlerësimin dhe numërimin e të gjitha fletëve të hedhura në kutitë e gabuara në hetimin administrativ të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë përfshirë 1793 kuti votimi nga 368 qendra votimi në Tiranë, prej 485 gjithsej që ka bashkia e Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE