Tiranë, 21 qershor 2011, NOA- Pas akuzave dhe kundër akuzave për kodin e pestë në kutitë e votimit, debatet kanë bërë që të reagojë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Leonard Olli.
Gjatë fjalës së mbajtur për këtë çështje ai tha se çdo pretendim për kodin e pestë është i pabazë.
“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se deri në tani në 1055 kuti të hapura, nuk ka korresponduar me kodin e pestë vetëm një shifër nga gjashtë dhe është normale të ndodhë. Dëshiroj të theksoj se duke patur proces-verbalet e tyre së bashku me kopjet e proces-verbaleve, në çdo kohë dhe moment mund të provojnë se shifrat nuk përputhen”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së.
Sipas tij grupet e numërimit nuk mund të prekin kodin e pestë dhe nuk kanë mundësi për ta bërë këtë, pasi ligji nuk i lejon numëruesit të prekin kodin e 5-të.
Për më tepër Olli shtoi se çdo gjë ka qenë transparente për të gjithë, dhe se çdo numërim, hapje kutie e gjithçka tjetër është bërë nën vëzhgimin e mediave dhe para syve të qytetarëve.
a.y/NOA