Shkup, 21 qershor 2011, NOA – Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, aktualisht zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës në mënyrë krejtësisht informale është angazhuar për unifikimin e pozicionit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni.
Ish-presidenti i Kosovës, Pacolli ka vizituar së fundi Shkupin ku është takuar me krerët e partive kryesore shqiptare Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, duke i kërkuar atyre bashkëpunim të gjerë në kuadër të formimit të qeverisë së re dhe jetësimit të kërkesave të shqiptarëve.
Lajmin e bën publik agjencia e lajmeve INA.
INA citon burime partiake shqiptare në Shkup, që thonë se Pacolli e kishte marrë këtë angazhim, qëkur vizitoi Maqedoninë në cilësinë e presidentit të Kosovës.
Dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH kanë vlerësuar dhe mirëpritur angazhimin e Behgjet Pacollit për përmirësimin e mëtejshëm të klimës midis faktorit shqiptar.
Mes partive kryesore nuk ka patur prej kohësh sulme reciproke në publik.
Megjithatë nga ana e stafit të zotit Pacolli nuk ka asnjë konfirmim për atë që ka ndodhur. Në përgjithësi faktori politik i Kosovës ka mbajtur qëndrime preferenciale ndaj partive politike në Maqedoni, duke mbështetur ose njërën ose tjetrën parti.
Kohët e fundit madje, partitë opozitare shqiptare në Maqedoni kritikuan presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila gjatë ditëve të fushatës u takua në Tetovë vetëm me krerë të BDI-së, gjatë një vizite që u quajt private.
INA/NOA