Tiranë, 21 qershor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, edhe gjatë ditës së nesërme i gjithë vendi do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme, duke bërë që bregdeti dhe zona e ulëta të dominohen nga kthjellimet dhe temperaturat e larta, ndërsa zonat malore lindore do të karakterizohen nga kthjellime dhe vranësira kalimtare.
Edhe pjesa e dytë e ditës do të mbetet me kthjellime në pjesën më të madhe të territorit, përjashtuar zonat malore të cilat do të vijojnë me kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme. Në këto kushte të kthjellimeve dhe vranësirave kalimtare do të jemi edhe gjatë natës.
Temperaturat e ajrit do të rriten me 2- 3 gradë në vlerat e mëngjesit por edhe mesdita do të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave në të gjithë vendin.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 15 km/h dhe drejtim Perëndimor duke gjeneruar në Adriatik dhe në Jon dallgëzim të ulët.
Europa
Nesër, Europa Veriperëndimore dhe Europa Qendrore do të mbeten në kushtet e motit të paqëndrueshëm me vranësira dhe shira ku më problematike situata do të paraqitet në Vendet e Balltikut dhe në Gjermani pasi reshjet do të bien në formë rrebeshi duke u shoqëruar me stuhi të forta ere. Gjithashtu me vranësira dhe shira të rrëmbyeshëm do të jenë Vendet Nordike ku në këto rajone do të ketë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave ndërsa moti i kthjellët dhe temperaturat e larta do të mbizotërojnë në Europën Jugperëndimore, Rajonin e Mesdheut dhe në Europën Juglindore.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ishujt Britanikë do të alarmojnë rrebeshe shiu dhe erë të fortë
- Vendet Nordike do të rrezikohen për shira dhe rënie të temperaturave
- Gjermania rrezikohet nga era e fortë dhe shira intensiv
a.y/NOA