English

PD: Rama kërkon të errësojë procesin sepse nuk i pëlqen rezultati

Tiranë, 21 qershor 2011, NOA- Partia Demokratike nëpërmjet këshilltares së bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku deklaroi se Partia Socialiste dhe Edi Rama përsërisin në vijimësi të njëjtën akuzë.

“Sot dëgjuam të njëjtën akuzë të lodhur, të ricikluar e të pabazë të z.Rama për procesin e numërimit të votave,edhe pse gjithçka po shihet drejtpërsërdrejti në ekran. Ky nuk është një proces kriminal, pavarësisht se z. Rama e thotë këtë pa asnjë bazë dhe fakt, por është një proces ligjor që po zhvillohet pas kërkesës që Partia Socialiste bëri në Kolegjin Zgjedhor”, deklaroi Tabaku.

Sipas saj e vetmja përpjekje për manipulime ishte ajo e numëruesit të kryesocialistit i cili në mënyrë të qëllimshme i keqlexoi kodet e sigurisë me qëllim për ta nxjerrë nga udha procesin, por si rrjedhojë e saj është shkarkuar.

Në emër të selisë blu ajo u shpreh se, të gjithë qytetarët e dinë se i vetmi motiv për të anatemuar këtë proces, është përpjekja e vazhdueshme e Ramës për të manipuluar opinionin publik.

Më tej Tabaku tha se, “Z. Rama kërkon të errësojë procesin dhe të deformojë demokracinë, thjesht sepse nuk i pëlqen rezultati. Ky proces ka qenë i lirë, i drejtë dhe transparent. Po, ka një gjë jo transparente. Fakti se përse z.Rama nuk pranon thirrjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarëve për të pritur me qetësi dhe për të pranuar rezultatet si dhe vendimet e institucioneve të pavarura”.

Në përfundim përfaqësuesja e demokratëve theksoi se, fakti që Rama nuk dëshiron të numërohet çdo vote dhe nuk dëshiron të dëgjohet zëri i çdo qytetari, është transparente dhe e qartë për të gjithë.

a.y/NOA

KOMENTE