English

Policia prangos 3 persona, me karta krediti false përvetësuan 30 mijë euro

Tiranë, 21 qershor 2011, NOA- Policia e kryeqytetit gjatë mbrëmjes së sotme ka vënë në pranga tre persona të akuzuar për përdorimin e kartave të kreditit false.

Sipas policisë të ndaluarit janë Maliq Kaca 29 vjeç, i cili mësohet ti ketë sjellë këto karta nga Britania ku edhe ishte emigrant, Bedri Muda 36 vjeç dhe Rajmonda Muda 27 vjeç, punonjëse policie në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

Mësohet se nga përdorimi i tyre tre të ndaluarit kanë arritur të marrin 30 mijë euro.

Operacioni policor i koduar “SKIMMER 3”, u kurorëzua pas një hetimi intensiv 5 mujor të strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë, ku të ndaluarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga muaji janar i vitit 2011, kanë falsifikuar dhe përdorur karta bankare me shirit magnetik, të cilat brenda tyre përmbajnë informacion bankar të kartave të tjera si VISA, MASTER etj, dhe dyshohet se këto karta janë në pronësi të shtetasve të huaj britanikë apo amerikanë.

Theksohet se në momentin e arrestimit, si dhe gjatë kontrollit të ambienteve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 30 copë karta plastike me shirit magnetik, dollarë të dyshuar të falsifikuar të prerjes 100-she, 10 copë si dhe 4 telefona celular. Materialet e tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës e cila pritet të nis hetimet për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, dhe të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

a.y/NOA

KOMENTE