Tiranë, 21 qeshor 2011 NOA- Kryetari i Asamblesë Kombëtare, njëherësh kryetar i grupit kuvendor socialist, Gramoc Ruçi akuzoi kryeministrin Berisha si përgjegjësin e dhunës së ushtruar, mesnatën e djeshme ndaj deputetit socialist Ilir Gjoni, në zyrën e tij pranë njësisë bashkiake numër 3 në Tiranë. Ruçi tha se ngjarja e djeshme lidhet me skemën e manipulimit, që sipas tij, shteti po i bën zgjedhjeve të 8 majit. “Dhuna e ushtruar ndaj Ilir Gjonit tregon qartë se, përpara vjedhjes së votës, pushteti i Sali Berishës nuk kursen asgjë, as dhunën ndaj deputetëve dhe as dhunën ndaj opozitës. Dhunë që ushtrohet pa pikë frike sepse ligji nuk ndëshkon askënd. Ky është shteti i Sali Berishës, i cili nga një anë përgjërohet për bashkëpunim me opozitën dhe nga ana tjetër nxit falangat e krimit që të dhunojnë opozitën”, ka theksuar Ruçi.
Kreu i grupit kuvendor socialist i është drejtuar kryeministrit Berisha duke i kërkuar të ndalë dhunën.
“Tërhiq dhunën nga rruga, tërhiqu ti i pari nga skenarët e krimit, dhunës dhe vjedhjes dhe lër drejtësinë të bëjë punën e saj”, ka deklaruar Ruçi, i cili ka risjellë në vëmendje edhe vrasjen e deputetit Xhindi, kryetarit të komunës Veseli dhe të 4 qytetarëve më 21 janar, ngjarje për të cilat, sipas Ruçit nuk ka ende autorë.
a.q/NOA