English

Topi pret ambasadorin e BE: Vonesat për dialogun, shqetësuese

Tiranë, 21 qershor 2011 NOA- Presidenti Bamir Topi dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui deklarohen të shqetësuar për tejzgjatjen e përfundimit të këtij procesi. Sipas njoftimit zyrtar të zyrës së shtypit të presidencës, Presidenti Topi, pasi vlerësoi deklaratat e fundit të Baroneshës Eshton, Komisionerit për Zgjerim, Fyle dhe konkluzionet e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ndau me Ambasadorin Sekui të njëjtin qëndrim të palëkundur se: “në këtë situatë, është e domosdoshme nisja e menjëhershme e dialogut politik mes palëve dhe rivendosja e bashkëpunimit produktiv institucional”, duke theksuar gjithashtu se kjo do të ishte dëshmia më e mirë e maturisë që klasa politike mund t’i japë popullit të saj dhe bashkësisë ndërkombëtare për angazhimin dhe vullnetin real për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Në këtë pikë, Ambasadori Sekui vuri në dukje faktin se “Evropa e Bashkuar është e ndërtuar mbi bazën e institucioneve, prandaj për të është shumë e rëndësishme që të respektohen institucionet e pavarura kushtetuese”. Kryetari i Shtetit u shpreh se vetëm zgjidhjet institucionale të ardhura përmes dialogut politik dhe marrëveshjes në respekt të Kushtetutës, ligjit dhe institucioneve të pavarura në vend do t’u shërbente interesave të qytetarëve shqiptarë dhe aspiratës së tyre për një të ardhme sa më të afërme në familjen evropiane. “Presidenti Topi, vijon me tej deklarata për shtyp, theksoi në këtë takim pune se Bashkimi Evropian vlerësoi maksimalisht qytetarët shqiptarët dhe sjelljen e tyre”.

Presidenti ritheksoi gjithashtu se “klasa politike duhet të arrijë në të njëjtat standarde. Ka ardhur koha të kalohet nga fjalët dhe premtimet pafund të politikanëve në vepra konkrete në shërbim të interesave madhore të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.”

a.q/NOA

KOMENTE