English

Agjencitë e klasifikimit të riskut bëjnë objekt vëmendjeje dhe Italinë

"Njeriu që rrënoi një vend të tërë" - ky është titulli i gazetës britanike "The Economist", që në origjinal ishte edhe më i ashpër. Në frymën e kryeartikullit të Economist, tani dëgjon edhe zëra të tjerë paralajmërues

Lexoni: Anketimi global: Shqipëria në rrezik, e 5-ta në Evropën Qendrore dhe Lindore

Shefi i Eurogrupit, Zhan Klod Junker shkaktoi në fundjavë në Itali shumë shqetësime me paralajmërimin e tij, se kriza greke e borxheve mund të kalojë edhe në Itali. Shkaku: Italia vjen pas Greqisë e dyta përsa i përket borxheve në eurozonë, borxhi është 120 përqind në krahasim me zhvillimin ekonomik. Por megjithatë, kryeministri Berluskoni e sheh vendin e tij larg rrethanave greke. Të martën pasdite ai tha para senatit italian: "Ne të gjithë jemi të bindur se borxhe të reja nuk duhet të ketë më, qeveria nuk do t'ua kalojë brezave të ardhshëm koston e kësaj krize ndërkombëtare, fëmijët tanë nuk do të paguajnë për vështirësitë e sotme."

Programi qeveritar, të cilin do ta paraqesë Berluskoni këto ditë në të dyja dhomat e parlamentit italian, synon të demonstrojë aftësi veprimi dhe optimizëm. Por agjencitë amerikane të klasifikimit të riskut impresionohen pak nga kjo. Agjencia Moody's bëri të martën objekt të prognozave të saj (21.6.) sipërmarrjet italiane me pjesëmarrje shtetërore, si edhe provincat, komunat dhe rajonet. Të premten e kaluar agjencia e klasifikimit të aftësisë për të marrë kredi e kërcënoi Italinë se do t'ia ulte shkallën e besueshmërisë për kreditim. Shkak për këtë ishin borxhet e larta të vendit dhe shpresat e pakta për rritje ekonomike. Prej vitesh, ekonomia e Italisë tregon shenja dobësie dhe kuotat e rritjes ekonomike janë aq të ulëta sa thuajse nuk ia vlen t'i përmendësh. Ish-komisari përgjegjës për Konkurencën në BE, Mario Monti bën përgjegjës direkt për këtë qeverinë Berluskoni: "Ishte një gabim i madh strategjik mosndjekja e programeve të rritjes ekonomike. Kjo tani ndihet edhe në buxhetin shtetëror dhe pengon një ulje të mundshme taksash."

Pikërisht këto ulje taksash kërkon pa u lodhur partneri në qeverinë e Berluskonit, "Lega Nord", pa u shqetësuar se si do të financohen ato. Mario Monti, i cili drejton sot universitetin me emër të Milanos "Bocconi", e quan jorealiste këtë kërkesë, përballë borxheve shumë të larta shtetërore: "Ka shumë reforma që do të kryhen këto muaj dhe ato duhen bërë, për të përforcuar rritjen ekonomike dhe për ta organizuar në mënyrë më solidare Italinë, por këto nuk janë uljet e taksave”. DW

KOMENTE