Tiranë, 22 qershor 2011, NOA – Në mbyllje të takimit të misionit të FMN-së në Tiranë, Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se edhe këtë vit Shqipëria do të jetë në krye të rritjes ekonomike, duke e rritur në 5 përqind GDP-në krahasuar me 4 përqind që ishte në vitin 2010 dhe duke vijuar me një trend pozitiv në këtë rritje.
Ministri Bode në konferencën e përbashkët për shtyp me përfaqësuesit e FMN-së theksoi se gjatë këtij viti nuk do të ketë asnjë surprizë për rritje taksash në programin e qeverisë.
Bode tha se programet e qeverisë duhet të jenë realiste, ndërkohë që theksoi se qeveria ka si objektiv uljen e vlerave të borxhit publik, apo edhe ruajtjen e nivelit të tij aktual.
Këtu Bode vërejti disa lloj ndryshimesh nga ecuria e deritanishme reale e ekonomisë duke theksuar se ka kërkesë për rritje çmimesh, nivelin e të ardhurave buxhetore.
Ai e përvijoi këtë periudhë si një periudhë investimesh të fuqishme.
Bode vlerësoi se janë rritur importet jashtë taksimeve.
“Qeveria ka vijuar nismën për rishikimin e buxhetit, që do të synojë të adaptojë uljen e një sërë shpenzimesh. Jemi të përcaktuar për të rivendosur ekuilibrat makronomikë për ekonominë reale. Në perspektivë kemi ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, stabilitetit ekonomik për të ndihmuar rritjen e qëndrueshme të ekonomisë reale”, deklaroi Bode.
mit/NOA