Tiranë, 22 qershor 2011, NOA - Shefi i misionit të FMN-së, Gerwin Bell deklaroi sot se Shqipëria është një nga të paktat vende që reflektoi rritje ekonomike në kushtet e një krize globale, porse rrezik mbetet borxhi publik.
Bell i kërkoi qeverisë shqiptare të bëjë kujdes me ruajtjen e nivelit të borxhit publik, duke rekomanduar që ky borxh të ulet në vlerën 50 përqind.
“Mbetet ende rrezik për stabilitetin ekonomik niveli i borxhit publik. E rëndësishme është që borxhi të mos arrijë vlerën 60 përqind”, sugjeroi Bell duke nënvizuar se kjo është shifra maksimale.
Por, këtu shefi i FMN-së tha se për vendet në zhvillim sikundër është edhe Shqipëria niveli i borxhit publik prej 60 përqind është tejet i lartë dhe se duhet të ulet në vlerën 50 përqind.
Shefi i FMN-së bëri me dije se parashikimi i FMN-së për rritjen ekonomike në Shqipëri është në 2.7 përqind.
“Shqipëria përballoi krizën ekonomike” saktësoi Bell.
Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me ministrin e Financave dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, shefi i FMN-së në përmbyllje të vizitës në Tiranë dha rekomandimet e tij për ruajtjen e nivelit të borxhit publik duke theksuar se “duhet të zbatohet një rregull fiskal për ruajtjen e tij, që do të sjellë më pak defiçit fiskal”, në mënyrë që të ruhet stabiliteti financiar i vendit.
Shefi i FMN-së mbështeti përpjekjet e qeverisë për uljen e nivelit të borxhit publik, duke theksuar se konsolidimi fiskal do ta lehtësonte menaxhimin e tij.
Duke folur për buxhetin, shefi i FMN-së theksoi se buxheti ndodhet nën presion, duke këshilluar që ai të parashikohet në norma realiste.
Bell theksoi këtu se ndryshimet në buxhet nuk duhen bërë në mes të vitit, por që në fillim të vitit.
“Me gjithë rritjen në çmimet e importeve, inflacioni nuk ka kërcyer shumë mbi bazën e vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe ne presim që të normalizohet edhe më tej. Këtë vit inflacioni është jo shumë i lartë”, vlerësoi Bell, duke kërkuar si domosdoshmëri që të kombinohen sa më mirë politikat makroekonomike.
Ai nënvizoi se politika monetare e ndjekur ka marrë masa që kanë favorizuar ekonominë, gjë që siç tha ai “do të sillte ruajtjen e inflacionit nga Banka e Shqipërisë”.
Bell këshilloi të mbahet në mënyrë konstante niveli aktual i investimeve.
Ai kërkoi përmirësimin e bilanceve, duke theksuar se “Vigjilenca e vazhdueshme është kyçe për ruajtjen dhe rritjen ekonomike afatgjatë e të qëndrueshme”.
Bell sugjeroi që të rritet edhe norma e taksës së sheshtë.
mit/NOA