Tiranë, 22 qershor 2011 NOA - Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, dekoron me medalje “Për Shërbime të Shquara”, Atasheun Ushtarak Amerikan në Tiranë, Kapiten i Rangut të I-rë Jerry Cornett, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe ndihmën që ai dhe Shteti Amerikan i kanë dhënë Forcave të Armatosura Shqiptare.
Kjo medalje atasheut amerikan, i jepet me motivacionin: “Për kontributin e dhënë nëpërmjet punës së tij, si Atashe Ushtarak, në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Në ceremoninë zyrtare, e cila u zhvillua në ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes, merrnin pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Maksim Malaj, Gjeneralë, Drejtues forcash në FA, Drejtorë drejtorishë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, Zv/ambasadorja amerikane Deborah Jones, etj.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse ministri Imami duke e cilësuar këtë ceremoni sa të thjeshtë por tepër domethënëse dhe të rëndësishme u shpreh: “Ky nuk është vetëm një simbol i bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve, por edhe një kontributi personal të Kapitenit Cornett. Padyshim që marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera, ky është një partnership strategjik i padiskutueshëm i nivelit primar. Sigurisht që bashkëpunimi në kuadrin e NATO-s, është po ashtu mjaft i rëndësishëm për ne, duke çmuar rolin e pazëvendësueshëm dhe lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë aleancë. Ne e dimë mirë që në këto 20 vite reformash të thella të Ushtrisë Shqiptare, kemi patur mbështetjen e plotë dhe pa rezerva të SHBA-së, gjë që bëri të mundur që në vitin 2009 Shqipëria të jetë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Padyshim që këtu ka zënë një vend të veçantë jo vetëm Shtetet e Bashkuara si të tilla por edhe të gjithë ata ushtarakë që në këta 20 vjet kanë ndihmuar Shqipërinë të eci në këtë rrugë”, nënvizoi ministri Imami.
Duke folur për kapitenin Cornett, ministri i Mbrojtjes nënvizoi: “Një nga këta ushtarakë të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm e të shkëlqyer në përparimin e Shqipërisë, në këtë marrëdhënie dhe në forcimin e kësaj aleance është edhe kapiteni Cornett. Pikërsisht për këtë arsye i japim atij këtë medalje pikërisht për këtë kontribut të shquar. Ne nuk mund të harrojmë që tek kapiteni Cornett, kemi patur një mbështetje dhe kemi gjetur një mik të çmuar. Personalisht, por edhe në emër të institucionit që unë drejtoj në këto dy vite, i uroj kapitenit Cornett lumturi në familje, suksese në karierën e tij ushtarake, duke e falënderuar për të gjithë mbështetjen që më ka dhënë që nga periudha e njohjes tonë e deri më sot”, përfundoi ministri Imami.
Ndërkohë, duke falënderuar përfaqësuesit e Forcave të Armatosura Shqiptare, jo vetëm për mikpritjen që iu rezervua në vendin tonë, por edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer që patën gjatë kohës së qëndrimit të tij në Shqipëri, kapiteni Cornett deklaroi: “Unë dua të them se fillimisht si mua, po kështu edhe familjes sime do të na mungoj shumë Shqipëria. Të gjithë ne së bashku kemi punuar për një qëllim të caktuar, i cili i dha vendit tuaj të drejtën për të qenë një vend me të drejta të plota në NATO dhe për këtë arsye unë jam shumë i lumtur. Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të qenë në pozicionin ku ndodhet sot dhe unë mund të them se ju duhet të jeni krenarë. Nuk po ju them “Lamtumirë”, por dua të them “Mirupafshim më vonë”, nënvizoi kapiteni i Rangut të I-rë, Cornett.
Kapiteni i Rangut të I-rë, Cornett, shërbeu si Atashe Ushtarak i SHBA-së në vendin tonë që nga viti 2007. Ai është vlerësuar maksimalisht për rrolin dhe mbështetjen që ka dhënë si ndërmjetës në bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve tona, si në drejtim të trajnimeve të ndryshme, po kështu edhe në mbështetjen e që Amerika i ka dhënë FA me mjete logjistike.
e.t/NOA