English

Klosi: Maskarada në KQZ, nuk lejojmë tjetërsimin e fitores në Tiranë

Tiranë, 22 qershor 2011 NOA- Partia socialiste vijon të denoncojë manipulimet, që sipas përfaqësuesve të saj, po bëhen në KQZ.

“Farsa që po zhvillohet në KQZ nën drejtimin e Sali Berishës ka kaluar çdo kufi. Vjedhja e manipulimi që nisën me hapjen e jashtëligjshme të 117 kutive nga Ristani e Saliu, tanimë është shtrirë në të gjitha kutitë e votimit të kryeqytetit”, ka deklaruar deputeti socialist Blendi Klosi.

“Çdo kuti e hapur deri më sot nga Ristani dhe e njohur si e vlefshme me votat e përfaqësuesve të Saliut në KQZ, ka pasur probleme që kanë treguar qartë se integriteti i kutive të votimit është cënuar, - tha Klosi- Kodet që mungojnë, fletët e votimit për Lulzim Bashën që kanë mbirë si me magji nëpër kuti, jashtë zarfeve, kodet e numrat e votave që nuk përputhen me procesverbalet, kutitë e thyera e të shqyera tregojnë më së miri se çfarë përmasash ka arritur manipulimi i vullnetit të qytetarëve të Tiranës”

Klosi iu referuar numërimit të djeshëm të votave në KQZ, duke nënvizuar faktin se, sipas tij, me lehtësinë më të madhe një vëzhgues i Partisë Socialiste arriti të bënte atë që sipas ligjit duhet të ishte e pamundur: të nxirrte zarfin e votave nga kutia duke dëshmuar kështu qartë manipulimin e kutisë së votimit.

“E megjithatë, - vijoi Klosi- kjo kuti u deklarua e vlefshme nga kryetari i Komisionit Qendror të Vjedhjeve. Ky është integriteti i kutive të votimit për të cilat nga flet përditë Saliu e Ristani. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe me disa kuti të cilat ruhen nga njerëzit e Saliut në Lundër për t’u hapur më pas nga Ristani në KQZ”.

“Procesi tanimë ka humbur legjitimitetin dhe është kriminalizuar fund e krye. Prandaj Saliu e ka të kotë dhe duhet ta dijë se ne nuk do të lejojmë tjetërsimin e fitores së Bashkisë së Tiranës si pasojë e kësaj palo maskarade”, ka përfunduar deklaratën deputeti Blendi Klosi.

a.q/NOA

KOMENTE