Shkup, 22 qershor 2011, NOA – E shtuna e 25 qershorit është afati përfundimtar për mbledhjen e parlamentit të ri maqedonas i dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.
Agjencia e lajmeve INA informon se Kryetari i Parlamentit në detyrë, Trajko Veljanovski do të mbledhë sot deputetët e 5 partive që fituan mandatet në këto zgjedhje për të saktësuar mbajtjen e seancës.
Në përbërjen e re parlamentare, VMRO-DPMNE do të numërojë 53 deputetë dhe 3 deputetë të diasporës, LSDM 42 deputetë, BDI 15 deputetë, PDSH 8 deputetë dhe RDK 2 deputetë.
Dy partitë VMRO-DPMNE dhe BDI po vijojnë negociatat për formimin e koalicionit qeveritar dhe në rast marrëveshjeje ato numërojnë një maxhorancë prej 71 deputetësh.
Mediat opozitare kanë hedhur idenë edhe për mundësinë e një Qeverie të mandatuar nga Lidhja Socialdemokrate opozitare (LSDM) me të gjitha partitë shqiptare, në rast se do të dështonin negociatat midis Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit.
Në këtë rast maxhoranca tjetër do të përbënte 67 deputetë.
Qeveria e re pritet të formohet deri në fillim të muajit gusht, kur menjëherë pas konstituimit të përbërjes së re parlamentare, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri i deritanishëm, Nikolla Gruevski do të marrë mandatin nga presidenti Gjorgji Ivanov për të formuar kabinetin qeveritar.
INA/NOA