English

KQZ hap sot kutitë e njësisë 8, Basha udhëheq me 71 vota

Tiranë, 22 qershor 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë sot në orën 10.00 hetimin administrativ për kutitë e njësisë nr. 8 që përkon me KZAZ-në nr. 52 në Tiranë, ku do të numërohen votat e hedhura gabim në kutitë e kësaj njësie si dhe kqyrja e zarfit me fletët e pavlefshme, por edhe fletët e hedhura jashtë zarfeve përkatës.

Mbrëmë KQZ përfundoi numërimin e votave të hedhura gabim në njësinë 7 që përkon me KZAZ-në 51 në kryeqytet.

Pas numërimit të 195 kutive të 50 qendrave të votimit të kësaj minibashkie, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha mori 23 vota, ndërsa kandidati i “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama mori 20 vota.

Kur kanë mbetur edhe kutitë e katër njësive për t’u hapur kandidati demokrat vijon të ruajë avantazhin e tij kundrejt rivalit socialist me 71 vota më shumë.

Edhe hapja e kutive të njësisë 7 është shoqëruar me debate brenda KQZ-së sa i përket sigurisë së kutive.

Përfaqësuesi ligjor i PS-së Eridian Saliani evidentoi rishtas se një kuti ishte hapur aq sa nga aty mund të futeshin dhe dilnin fletë.

Ky ishte rasti i dytë brenda ditës së djeshme ku përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste vërejtën këtë parregullsi sipas tyre, duke aluduar se në të dyja kutitë, njëra e minibashkisë 6 dhe tjetra e 7-ës, ishte vënë dorë.

Por, këto aludime janë hedhur poshtë nga kryetari i KQZ-së Arben Ristani, i cili ka vijuar më tej me numërimin dhe tabulimin e votave të hedhura gabim për të dy kandidatët në tabelat përmbledhëse të qendrave të votimit të kësaj njësie.

mit/NOA

KOMENTE