Lezhë, 22 qershor 2011, NOA – Një 28-vjeçar nga qyteti i Lezhës është vrarë mbrëmë në qendër të qytetit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të martës rreth orës 22.00, ku Dorian Hila u qëllua me tre plumba pistolete në bulevardin “Gjergj Fishta” të Lezhës.
Korrespondenti i agjencisë NOA citon burimet e policisë që thonë se viktima u qëllua nga 26-vjeçari Besnik Pleti nga Lezha, i cili ka rënë në prangat e policisë së Lezhës.
28-vjeçari Dorian Hila ishte duke udhëtuar me motorr ndërkohë që është shënjestruar nga autori i vrasjes, duke mbetur i vdekur në vend.
Ky i fundit pasi është siguruar që shënjestra e tij kishte vdekur ka hedhur armën në lulishten pranë bulevardit dhe është larguar menjëherë, por është kapur po aty nga forcat e policisë.
Hetimet e para të policisë bëjnë me dije se vrasja ka ndodhur pas një zënke mes viktimës Dorian Hila dhe autorit të vrasjes Besnik Pleti, i cili i ka marrë jetën më pas personit tjetër.
Policia po heton për rrethanat e vrasjes, ndërkohë që autori i saj do të merret në pyetje.
mit/NOA