English

Maqedoni, zbardhen detaje nga negociatat për koalicionin

Shkup, 22 qershor 2011, NOA- VMRO-DPMNE dhe BDI edhe sot vijojnë negociatat për formimin e koalicionit qeveritar.

Mësohet se marrëveshja e parë është se këto dy parti janë dakorduar për të lidhur koalicionin, ndarjen e ministrive sipas numrit dhe janë dakorduar për marrëveshjet dhe parimet e funksionimit të koalicionit të ardhshëm.

Mirëpo, negociatat po zhvillohen mbi kërkesat e BDI-së dhe afatet kohore dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre. Mbyllja e rasteve të Hagës përmes interpretimit autentik të Ligjit për amnisti nga ana e Parlamentit, zgjidhja e statusit të UÇK-së përmes “marrëveshjes së Majit” të vitit 2007 të arritur midis këtyre dy partive, kur BDI ishte pjesë e opozitës, ndërsa VMRO-DPMNE në koalicion me PDSH-në, kërkesat për ndarje sipas përqindjes adekuate të buxhetit për projektet infrastrukturore dhe zhvillimore si dhe kërkesa të tjera.

Sipas marrëveshjes së arritur jozyrtare dhe jo përfundimtare për ndarjen e ministrive, BDI-së do ti takojnë pesë poste ministrore, pesë poste të zëvendësministrave dhe pesë poste në nivel të sekretarëve shtetëror. Gjithashtu partia që drejton Ali Ahmeti kërkon edhe pozicione dhe udhëheqje në drejtori dhe agjencione të rëndësishme qeveritare dhe shtetërore.

Burime pranë partisë shqiptare në pushtet theksojnë për agjencinë e lajmeve INA se parimisht janë dakorduar për të miratuar një ligj për rregullimin e përdorimit më të gjerë të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare.

VMRO-DPMNE dhe BDI nuk komentojnë dhe nuk japin asnjë detaj lidhur me zhvillimin e negociatave dhe se ato po zhvillohen larg vëmendjes së medieve dhe opinionit.

(INA)/NOA

KOMENTE