English

Parashikimi i motit për 23 qershor 2011

Tiranë, 22 qershor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, situata meteorologjike në vendin tonë do të mbetet me kushte të qëndrueshme atmosferike. Që në orët e para të ditës i gjithë vendi do të dominohet nga moti i kthjellët dhe temperatura të larta por mesdita do të sjellë kalime vranësirash të lehta në verilindje dhe juglindje të territorit.

Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me mot të kthjellët në ultësirën perëndimore dhe vijën bregdetare duke lënë me kthjellime dhe vranësira kalimtare zonat malore të territorit. Mbrëmja dhe nata do të largojë vranësirat nga zonat malore dhe për pasojë i gjithë territori do të karakterizohet nga moti i kthjellet.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në vlerat e mëngjesit, ndërsa në mesditë temperaturat nuk do të pësojnë ndryshime. Vlerat më të larta do të shënohen në të gjithë uletësirën perëndimore.

Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det duke bërë kështu që edhe dallgëzimi në Adriatik dhe në Jon të mbetet i ulët.

Europa

Nesër, Europa veriore, Veriperëndimore dhe Europa Qendrore do të mbeten në kushtet e motit të paqëndrueshëm ku vranësirat dhe shirat do të jenë dominuese gjatë gjithë ditës. Më problematike situata do të paraqitet në Vendet e Balltikut dhe Gjermani pasi reshjet do të bien në forme rrebeshi duke u shoqëruar me stuhi të forta ere dhe rrufe. Po ashtu me vranësira dhe shira të rrëmbyeshëm do të jenë Vendet Nordike ku në këto rajone nuk do të mungojnë edhe stuhitë e forta të erës dhe shkarkesat me rrufe. Përsa i përket Europës Jugperëndimore, Rajonit të Mesdheut dhe gadishullit të Ballkanit do të karakterizohen nga moti i kthjellët dhe temperatura të larta.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Ishujt Britanike do të mbeten me rrebeshe shiu dhe erë të fortë

- Gadishulli Skandinav do të rrezikohet nga shira dhe temperatura të ulëta

- Gjermania rrezikon stuhi të forta ere dhe shira intensiv

a.y/NOA

KOMENTE