Tiranë, 22 qershor 2011, NOA- (Update) Numërimi i fletëve të votimit të kontestuara që I përkisnin njësisë bashkiake numër 9, ka përfunduar duke lënë në avantazh me 73 vota plus, kandidatin e maxhorancës Lulzim Basha.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha fund numërimit të 152 kutive që i përkisnin kësaj minibashkie, nga ku dolën 27 vota për Lulzim Bashën dhe 26 vota për Edi Ramën, por edhe këto rezultate e kanë ruajtur avantazhin e kandidatit demokrat me 73 vota përpara.
Ndërsa mori pak minuta pushim, pritet që po sot ky komision të numërojë edhe kutitë që mbajnë brenda votat e kontestuara të njësisë bashkiake numër 10, duke lënë kështu për ditën e nesërme vetëm numërimin e fletëve të hedhura gabim që përkasin njësisë së fundit bashkiake asaj me numër 11.
Pas pak pritet të rinisë mbledhja e këtij komisioni, nga ku do të shikohet ecuria e numërimit për dy njësitë e mbetura.
a.y/NOA