English

Rama në Lushnje nën masa të larta sigurie, tur takimesh me fituesit e 8 Majit

Lushnjë, 22 qershor 2011, NOA/Irma Toptani - Kryetari i opozitës, Edi Rama ndodhet sotLushnjënjë takim me kandidatët dhe këshilltarët socialistë që dolën fitues në zgjedhjet vendore të 8 Majit.

Lideri socialist shoqërohet nga kryetari i asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi si dhe deputetët Bashkim Fino e Arben Çuko.

Në fokus të takimit, i cili ka nisur rreth orës 10:00 të paradites mësohet të ketë qenë strategjia që do të ndjekin socialistët pas konstituimit të kryetarëve të njësive vendore dhe këshillave komunalë e bashkiakë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Veç përshkallëzimit të protestave dhe bojkotit të kushtëzuar të parlamentit, aksioni i opozitës duket se do të bëjë pjesë të vetën edhe të zgjedhurit lokalë të 8 majit.

Një prej opsioneve të diskutuara në ambientet e selisë rozë ka qenë edhe dorëzimi i mandateve të pushtetarëve lokalë, por deri më sot i paartikuluar zyrtarisht nga eksponetë të saj.

Ky takim i Ramës vjen në një kohë kur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vijon numërimi i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara, ku kryetari i bashkisë së Tiranës rezulton në disavantazh ndaj kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha.

Vlen të theksohet se vizita kreut socialist në Lushnjë është zhvilluar në masa të larta sigurie.

Veç rojeve personale, kreu i opozitës ka qenë nën kujdesin edhe të efektivëve të Gardës së Republikës.

Pas Lushnjes Edi Rama, do të zhvendoset në Fier, ku do të takohet me të zgjedhurit lokalë të këtij rrethi.

mit/NOA

KOMENTE