Prishtinë, 22 qershor 2011 NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë duke analizuar sot rezultatet e dhe reagimet në lidhje me testin shtetëror të maturës vlerëson se duhet të nxirret mësim nga afati i parë i testit të maturës
KMDLNj mendon se përkundër faktit që kalueshmëria e testit në afatin e qershorit ishte shumë e ulët ende nuk ka refleksion të drejtë nga institucionet përkatëse, filluar nga Ministria e Arsimit, Drejtoritë Komunale të Arsimit, Shkollat e deri tek këshillat e prindërve. Në këtë drejtim KMDLNj propozon që këto institucione të nxjerrin mësim nga ky afat që në afatin e dytë të mos përsëriten të njëjtat gabime.
KMDLNj, në lidhje me këtë si shembull shumë pozitiv të kalueshmërisë së testit kombëtar e merr gjimnazin “ Sami Frashëri ” në Prishtinë. Në këtë gjimnaz kalueshmëria në testin kombëtar ka qenë 98% dhe ka kaluar pa ndonjë interesim mediatik dhe institucional.
KMDLNj, gjithashtu kërkon që Ministria e Arsimit dhe Drejtorit Komunale për Arsim që të nxisin shkollat të organizojnë kurse plotësuese gjatë pushimit të verës ku theksi do të ishte testi shtetëror i maturës. Ka mundësi që ky do të ishte një përmirësim, si në aspektin edukativ por edhe psikologjik për nxënësit dhe arsimtarët e që do të ndikonte në rritjen e kalueshmërisë. Gjithashtu, forma e organizimit të testit në grupe të mëdha të pa menaxhuara mirë duhet evituar në afatin e gushtit.
KMDLNj, po ashtu është i mendimit se duhet të riorganizohet plan-programi mësimor dhe që nxënësit të kenë mundësi që të kenë orë shtesë për t’u përgatitur për testin shtetërorë. Kjo duhet të merret në konsideratë sidomos për vitet e ardhshme.
a.b/NOA