Nga Shpëtim Idrizi
Dua ti bëj një thirrje të fortë ndërgjegjes suaj. Ndërgjegjes suaj njerëzore dhe ndërgjegjes suaj kombëtare. Dua t’i bëj thirrje ndërgjegjes suaj njerëzore, sepse dua t’ju kujtoj se 66 vjet më parë rreth 5000 vetë, të komunitetit shqiptar çam, kryesisht gra, pleq e fëmijë, u masakruan barbarisht vetëm pse ishin shqiptarë. Një pjesë e tyre vdiqën në tokën tonë, e cila e dalë nga lufta nuk kishte mundësi t’u ofronte një prehje çfarëdo.
Dielli i nxehtë ishte i pamëshirshëm me ta; por dhe varfëria e atdheut tone gjithashtu. Por më i pamëshirshëm ishte ai që kishte dhënë urdhër, që ata njerëz të pafuqishëm duhet të vdisnin pse i përkisnin një kombi tjetër.
Unë sot dua t’ju pyes juve si njerëz: a do të bëjmë diçka për ta, a do të bëjmë diçka për mbi 300 mijë shqiptarë të Çamërisë të gjallë, që bartin kujtimin e tyre, kujtime e padrejtësi që ka lënë shenjë në jetët e gjithsecilit prej nesh?
Ne, do të nderojmë thjesht datën që vetë ne si parlament kemi vendosur të përkujtojmë, apo do të bëjmë diçka thelbësore për të lehtësuar kujtimin e atyre mijëra grave, pleqve dhe fëmijëve që panë një vdekje të tmerrshme?
Si njerëz, sot dua t’ju kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për kujtimin e tyre. Fëmijët, gratë dhe pleqtë që vdiqën ato ditë nuk kanë bërë krime. Të vdekurit nuk flasin. Ata sot duan thjesht përkujtim. Më lejoni e nderuar kryetare të ftoj kolegët e mi, të bëjmë ritin e përbotshëm të zisë për të rënët e Çamërisë.
Unë Ju ftoj të nderuar kolegë deputetë ta thyejmë heshtjen dhe intimidimin ju ftoj të vini me ne të shtunën në Qaf-Botë në pelegrinazhin e trëndafilave të paharruar të Çamërisë, ashtu si kanë bërë disa nga Ju duke i bërë nder vetes dhe komunitetit tonë – tek të cilët të gjithë bashkë shkojmë kërkojmë votat.
Doja të shihja këtu mes jush që të nderonte të rënët e Çamërisë në mënyrë të veçantë përfaqësuesin e minoritetit grek këtu ndryshe nga çfarë ka bërë vitin që shkoi.
Do ishte një shenjë paqeje dhe humanizmi. Do tregonte se nuk është bartës i mentalitetit të atyre që bënë krimin mbi shqiptarët, apo që e mbrojnë dhe justifikojnë atë. Dua t’i kujtoj atyre diçka që ka thënë një bashkëkombasi i tyre, historiani Jorgos Margaritis, i cili ka shkruar për Çamërinë:
Në ato kohëra të turbullta të Luftës së dytë botërore, Shqipëria nuk bëri me minoritetin tonë atë që ne bëmë në kurriz të çamëve. Mund edhe ta bënte. Kjo i nderon shqiptarët.
Luftërat kanë viktimat e tyre, por shqiptarët e Çamërisë nuk ishin viktima lufte. Ata ishin viktima të planeve të çmendura të dikujt që donte të spastronte etnikisht territore që politikisht i takojnë fqinjit, por ku gjithmonë kanë jetuar shqiptarë. Unë sot dua t’i bëj thirrje ndërgjegjes kombëtare tuajës: A do të strukemi gjithnjë në labirintet e harresës, duke e injoruar një krim kaq të madh si ky që ka ndodhur në kurriz të popullit shqiptar çam, apo do të reagojmë me dinjitet për të kërkuar drejtësi për një krim të shëmtuar për racën njerëzore si ai që u krye mbi gratë, pleqtë dhe fëmijët e Paramithisë, Filatit, Margëllëçit, Gumenicës, Pargës, Artës, etj?
Pse vallë ne duhet të heshtim për një krim të tillë mizor?
Ne s’jemi në faj, ne s’duhet të kemi frikë, ne duhet të kemi dinjitet përballë fqinjit, i cili jo vetëm që s’pranon të kërkojë ndjesë, por guxon të na kërkojë llogari për atë që kanë bërë gratë, pleqtë dhe fëmijët çamë, duke përbaltur viktimat e duke i denigruar ata për herë të dytë.
Ajo që po konsumohet sot në kufijtë e Greqisë, në kufijtë e Evropës së Bashkuar është e pafalshme dhe buron prej harresës, prej tërheqjes sonë të vazhdueshme nga kërkimi i së drejtës.
Po refuzohen të hyjnë në tokën fqinjë, burra pleq, që kur ndodhi lufta për të cilën akuzohen ishin kërthinj: po refuzohen vetëm pse kanë lindur në Çamëri.
Po refuzohen vetëm pse duan të shohin dhe njëherë para se të vdesin tokën e të parëve të tyre, varret e tyre, të përmbushin një amanet, pa të cilin nuk i tret dheu.
Si mundet sot që një pjesë e popullsisë shqiptare, ajo me e martirizuar të diskriminohet përsëri.
Si mundet sot pleqve 75- 80 vjeçare t’u mohohen frytet e lirisë dhe demokracisë – lëvizja e lirë e njerëzve, heqja e vizave, sepse në pasaportat e tyre biometrike të lëshuara nga shteti shqiptar është shënuar vend lindja e tyre e vërtetë Çamëri, vendlindja e vërtetë, aty ku i ka vënë Zoti.
Çdo të bëjmë ne të nderuar deputete, ministra e dinjitarë të shtetit shqiptar. Do vazhdojmë të strukemi para këtij turpërimi të përditshëm që na bën fqinji ynë, apo do të reagojmë?
Unë them të veprojmë. Diplomacia jonë të veprojë. Ne i jemi drejtuar Presidentit të BE Barrozo, Komisionerit Fyle, Komisionerit të lartë për të drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës Zotit Hamerberg.
Shqipëria, shqiptarët sot nuk janë ata të 1945. As të 1997, kur shteti shqiptar ishte i dobët, apo i kapur nga anarkia. Shqipëria sot është anëtar i NATO-s. Shqipëria sot ka ratifikuar shumë konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për institucionet ndërkombëtare të drejtësisë dhe rrugët europiane të vendosjes së kësaj drejtësie janë të hapura. Ne duhet të ecim në to.
Unë them të mos harrojmë. Shqipëria ka bërë shumë për të treguar se është fqinj i mirë i të gjithëve në Ballkan. Por Shqipëria nuk mund të tolerojë vazhdimisht, në emër të objektivave të integrimit. Unë dua t’ju pyes juve: Pse nuk e penguan këto objektiva të bashkëjetesës në Europën e Bashkuar, një fshat grek, i cili e ka çuar shtetin gjerman të sotëm, i cili nuk ka lidhje me Hitlerin, në Gjykatën e Hagës, për një masakër që ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore?
Vini re, Gjermania e sotme është vendi që e ka ndihmuar më shumë se të gjithë të tjerët Greqinë. Është vendi që sot po shmang falimentimin e fqinjit tonë në ballë të frontit evropian të shpëtimit.
Unë them se sot është koha të mos heshtim. Ne jemi tkurrur vazhdimisht në kërkesat tona si shtet deri në kufijtë e asgjësë.
I kam parë arkivat e ministrisë sonë të jashtme të fillim viteve 90. Diplomatët tanë Z. Sereqi, kryeministri Meksi, i kërkonin Greqisë kthimin e komunitetit çam në vatrat e tij, dhe Greqia përpiqej të fitonte kohë, pa e mohuar një të drejtë të tillë për qytetarët çam.
Dhe z. Berisha në konferencën e parë për shtyp me rastin e fitores së PD në vitin 1992 kërkonte të njëjtën gjë. Administrata e Mbretit Zog është ajo që ka mbajtur qëndrimet më të forta dhe që ndaloi shkëmbimin e popullsisë çame drejt Turqisë apo që kërkonte me forcë statusin e minoritetit etnik shqiptar për çamët, hapjen e shkollave shqip, etj.
Në ato procesverbale, madje ekziston një thënie e atij që sot është president i Greqisë, i cili është nga këto anë Z. Papulias, i cili ka thënë:
Shikoni, kjo është një çështje, për të cilën plagët janë akoma të hapura. Ndoshta pas 20 vjetësh, kur ato të mbyllen ne mund të flasim më qetësisht.
Ndaj ne themi: sot kanë kaluar 20 vjet, ne s’kemi ndërmend të heshtim, ne do të flasim më fort se më parë. Askush nuk mund të luajë me teorinë e plagëve të hapura. Ne kemi qenë viktimat e atij gjenocidi dhe askush tjetër. Sot Greqia thotë se ky problem nuk ekziston. Çfarë ka ndodhur që nuk ekziston?
Jemi tërhequr ne, jemi tkurrur ne si shtet, nën presionin e atyre programeve megaloidealë të shtetit fqinjë për shkolla, varreza, pensione, priftërinj, që sot po e çojnë atë në faliment.
Unë të dashur kolegë, them se sot është koha të veprojmë, të mos harrojmë, të mos heshtim. Unë jam në krye të një partie të krijuar për të vepruar, për të mos harruar, për të mos heshtur. Kemi pasur dilemat tona, kur ju përkushtuam kësaj kauze së bashku me deputetin Dashamir Tahiri:
A do ta shndërronim, kauzën e komunitetit të cilit i përkas me krenari, komunitetit çam, në kauzë të popullit shqiptar?
Më duket se diçka kemi mbërritur, ndërsa 65 mijë qytetarë në zgjedhjet e fundit na dhanë të drejtë dhe na thanë: vazhdoni në rrugën e nisur. Para se të vija këtu në këtë sallë u përshëndeta me anëtarët e komunitetit tonë, të cilët në hyrje të kësaj godine presin që ju të mos heshtni, të mos harroni, por të veproni.
Parlamenti i 2011, nuk është parlamenti i turpshëm i 2004, i cili nuk guxoi të miratonte një rezolutë e cila vetëm sa i kërkonte drejtësi evropiane fqinjit tonë verior, për gjenocidin e kryer mbi popullsinë çame.
Policia që rrethonte parlamentin, sikur ata të mos ishin shqiptarë, mendoi të ngrinte dorë dhe të përgjakte ata pleq që donin drejtësi nga Parlamenti i shqiptarëve.
Po ja u kujtoj këtë, sepse sot është ndryshe, sot ne përfaqësuesit e këtij komuniteti jemi në parlament – pjesë e koalicionit për Qytetarin një koalicion vlerash dhe ku ne kemi kontributin tonë –e presim mbështetje nga Ju si shqiptarë dhe partner në koalicion.
Rezoluta nuk është ndonjë shpallje lufte, përkundrazi afirmim i një bashkëjetese në paqe që duhet të ekzistojë me fqinjët, bashkëjetesë që kalon nga e drejta. Është afirmim i dinjitetit tonë njerëzor dhe kombëtar.
Rezoluta synon të jetë një dokument programatik, një vijë sjellje e pashmangshme nga asnjë qeveri. Ajo do t’i kërkojë qeverisë të ngrejë në takimet me palën greke respektimin e Traktatit të Miqësisë, e Konventave evropiane. Rezoluta nuk do të kërkojë gjyq historie për fqinjin, por kërkim ndjese, për të lehtësuar ndërgjegjen e të gjithëve. Rezoluta nuk kërkon rishikim kufijsh, por restaurim, rikthim të së drejtës tek i zoti.
Apeli për një rezolutë dinjitoze të këtij parlamenti të burrave e grave, që duhet të përfaqësojnë me dinjitet popullin që i jep votën, është mënyra ime më e mirë për të përkujtuar masakrën që ndodhi mbi komunitetin të cilit unë i përkas.
Është mënyra më e mirë për t’i lehtësuar babait tim peshën e kujtimeve të dhimbshme mbi tokën nga e cila u largua kur ishte vetëm dy vjeç. Jeta e të vdekurve qëndron në kujtesën e të gjallëve. E vërteta qëndron në buzën e njerëzve që vdesin.
Im atë ma ka kaluar mua, të vërtetën e atyre njerëzve që ka parë duke vdekur dhe unë nuk do rresht së kërkuari këtë të vërtetë, nuk do rresht së përhapuri këtë të vërtetë, derisa drejtësia të prehet mbi shpirtin e të vdekurve dhe vuajtjet e të gjallëve.
Të nderuar kolegë deputetë,
Do ju lutesha që sot të mendonit më gjatë për drejtësinë dhe të vërtetën, për dinjitetin dhe kurajën. Pa to, nuk do të ishim as njerëz dhe as politikanë.