Shkup, 23 qershor 2011, NOA - Ish-futbollisti i mirënjohur Artim Shaqiri pritet të marrë drejtimin e përfaqësueses së futbollit të Maqedonisë.
Lajmin e bëri publik agjencia e lajmeve INA, e cila informon se në garën për trajnerin e përfaqësueses së Maqedonisë janë edhe dy pretendentë të tjerë si Gjoko Haxhievski dhe Çedo Janevski, por Shaqiri është njëri ndër kandidatët më të preferuar edhe nga Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM).
“Po jam pretendent për kreun e reprezentacionit të Maqedonisë, me synim që së bashku me një staf profesional, do të kthejmë besimin në sportin më të popullarizuar në Maqedoni e më gjerë. Nëse kryesia e FFM-së, më beson këtë detyrë, jam i gatshëm që me eksperiencën time gjatë karrierës, të kontribuoj që Maqedonia të mos mbetet e pozicionuar në pozitat margjinale, por të kthehet së paku aty ku realisht e ka vendin”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, ish-futbollisti Uest Bromviç Albion dhe shumë klubeve të njohura evropiane.
Sipas tij, është koha e fundit që të kthjellohen edhe në FFM, që këtë detyrë t`ia besojnë një shqiptari, që ka dhënë shumë për vetë prezantimin e Maqedonisë.
“75 herë e kam veshur fanellën e përfaqësuese, kam qenë edhe kapiten i saj, duke u dëshmuar si profesionist i vërtetë dhe i tillë jam edhe sot”, thekson Shaqiri, i cili i ka hyrë garës së trajnerit pas dyshimit dhe rezultateve katastrofave të trajnerit të deritanishëm Mirsad Jonuz, i cili ditë më parë u shkarkuar nga detyra.
Artim Shaqiri është i njohur si një nga lojtarët e dalluar të shumë kampionateve evropiane.
Ai njihet sidomos pranë kampionatit të premier ligës angleze derisa ishte sulmuesi i West Bromvich Albion.
Shaqiri në gusht të vitit 2009 i dha lamtumirë përfaqësueses, duke u përkushtuar më pas në synimet e tij për të qenë trajner i suksesshëm, duke u pajisur më pas me licencën ndërkombëtare.
INA/NOA
Klubet që ka luajtur:
Karaormani – Strugë
Vardar – Shkup
Halmshtad – Suedi
Tenis Borusia – Gjermani
Gorica – Slloveni
Karatan – Slloveni
Maltepe Sport - Turqi
CSKA – Bullgari
West Bromvich Albion – Angli
Aalborgut – Danimarkë
Interturk - Finlandë
Vaduz - Lihtenshtajn-Zvicër
Shkëndija - Tetovë,
Besa – Kavaja
Karabah – Azerbejxhan