English

Don Kishoti ynë

Nga Mero Baze

Në romanin e famshëm të Servantesit një nga bëmat e Don Kishotit i përshtatet shumë kryeministrit tonë. Është fjala për një nga aventurat e Don Kishotit, i cili u preu rrugën disa udhëtarëve të armatosur dhe u kërkoi i vetmuar me Sançon e lodhur pas tij, të pranonin pa kushte se Dylqinja e Tobozës, pra gruaja e tij, ishte gruaja më e bukur dhe hirplotë në botë. Udhëtarët hezituan të pranojnë pa e parë dhe reagimi i Don Kishotit ishte pak a shumë ky: Ju duhet ta pranoni këtë si të vërtetë se ua them unë, se po e patë nuk ka asnjë rëndësi se ajo vërtet është e bukur dhe thjesht do bëni një konstatim.

Sali Berisha po sillet pikërisht kështu me ekonominë shqiptare. Kur ekonomia jonë po shkon përditë tatëpjetë, dhe kur institucionet financiare botërore po vënë alarmin sidomos për nivelin e lartë të borxhit publik, Don Kishoti ynë del nëpër tribuna dhe konferenca dhe u bën thirrje të gjithë kritikëve të pranojnë se ekonomia e tij është më e mira në botë dhe po rritet me ritme të larta. Sançoja i tij, që ka goditur një devolli i bindur, ka zbuar FMN që të mos e shikojë dhe mos e prekë këtë realitet nga afër, por e fton që ta pranojë pa kushte faktin që ne jemi ekonomi e zhvilluar dhe që po ja kalojmë gjithë vendeve të botës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, i zbuar qysh nga viti 2009 nga Shqipëria, ringriti dje alarmin zyrtarisht përmes konkluzioneve të tij se qeveria shqiptare po zhyt vendin në borxhe nga të cilat nuk do t’ia dalë dot nëse nuk tërhiqet nga politika e saj makroekonomike, e cila ka dështuar qartë. Ka dështuar qartë politika e mbledhjes së taksave, sistemi burokratik i gjobave mbi biznesin dhe nuk ka rezultate konkrete në skemën financiare, ulja e normës së kontributit për sigurimet shoqërore duke kthyer në piramidë në shpërthim skemën e pensioneve. Borxhi publik i Shqipërisë ka arritur nivelin kritik zyrtarisht, por jo zyrtarisht ai mund të jetë dhe më i lartë, ndërkohë që gjithë projektet e investimeve publike të qeverisë mbështetën mbi borxhe të premtuara kryesisht nga bota arabe. Nga ana tjetër qeveria, e cila po funksionon prej dy vjetësh e ca si shtab elektoral permanent, jo vetëm që nuk ka fuqi të shkurtojë shpenzime administrative, por e përdor buxhetin e shtetit si arkë të shtabeve elektorale permanente të saj, të cilat po rrënojnë përfundimisht Shqipërinë. Si të mos mjaftonte kjo krizë ekonomike që po shtrëngon lakun e vendit, qeveria po investon fort në shpërthimin e krizës politike, e cila e mbivendosur mbi atë ekonomike mund ta bëjë më shpërthyese situatën. Në situata të tilla siç e përshkruan FMN, një situatë stabël politike do të ishte kusht i nevojshëm që situata të kalohej me reforma, kurse Berisha po rrit shpenzimet buxhetore në vend për t’i hedhur benzinë zjarrit të krizës politike, duke futur duart në procesin zgjedhor dhe duke e mbajtur Shqipërinë në ethe elektorale për vite të tëra.

Don Kishoti ynë e ka zgjidhur krizën me mendjen e vet si Don Kishoti i Mançes. Atij gomari i Sanços i duket kalë, kurse pushteti ku ka hipur, që i ngjan Rosinantit të copëtuar nga betejat, i ngjan legjitim dhe i suksesshëm. Për të kuptuar që vendi i ka punët mirë, ai ka një target grup që nuk ka lidhje me Shqipërinë. Ai shikon që gruaja e tij po mbledh miliona euro donacione gjoja për bamirësi nga biznesmenë shqiptarë që u shkon letra në formë ftese nga Drejtoria e VIP-ve dhe mendon se punët janë mirë ngaqë njerëzit po i falin lek gruas së tij. Ai shikon që vajza e tij është bërë milionere duke e mbyllur fare biznesin legal, dhe mendon se çdo njeri që ka biznes të vogël si Argita mund të ketë miliona euro në shtëpi. Ai shikon që i biri i tij me një telefon në vesh dhe bandën e sekserëve nga pas, është bërë sot i pari i vendit kudo që shitet tokë, kudo që jepen tendera, kudo që fshihen, falen dhe vidhen prona, dhe këto i di ide biznesi. Ai shikon që sekserët e familjes së tij po bëhen milionerë me lekët e shqiptarëve, dhe mendon se idetë e tij po zhvillojnë Shqipërinë. Ai nuk e shikon Shqipërinë tjetër, Shqipërinë reale që përveç krizës politike është futur në makthin e mbijetesës ekonomike. Ai është nisur për rrugë me ëndrrën e Don Kishotit që një ditë do të bëhet pjesë e një mbretërie të madhe, ku çdo gjë do të jetë e tija, dhe Sançoja që i shkon pas, edhe pse herë- herë i trembur, edhe pse herë- herë i dërrmuar nga institucionet financiare, shpreson se mund t’ia arrijnë asaj ëndrre. Në një shtet ku kanë rënë institucionet e ligjit, ku ka humbur kuptimin drejtësia dhe institucionet politike, guri i themelit është që së paku institucionet financiare të jenë serioze dhe me këmbë në tokë. Por kur mendojmë se Guvernatori i Bankës Qendrore është një njeri banal që mendon si të fusë ndonjë lek në xhep nga Banka me shpërblime dhe tendera, apo Ministri i Financave si të blejë ndeshje futbolli duke toleruar akcizat financiare të biznesmenëve që mban si lolo nga pas, atëherë e kupton se Don Kishoti ynë është në rrugë të mbarë për të gjetur Mbretërinë e tij, ku gjithçka do të jetë e tij. Por kjo nuk do të jetë Shqipëria jonë, por Shqipëria që ky njeri ka futur nën kthetra, e ka bërë pronë të vetën, dhe tani po e shijon si fitore. Është ëndrra e realizuar e një Don Kishoti të kohëve moderne. Është Don Kishoti ynë, ai që e lejojmë akoma të na qeverisë.

* Qëndrimet janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE