English

Jahjaga: Institucionet e drejtësisë do të jenë vendi ku dëshmohet e vërteta

Prishtinë, 23 qershor 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga gjatë ditës së sotme mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurit te themelit të Pallatit të Drejtësisë.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast ajo u shpreh se, Gurthemeli i Pallatit të Drejtësisë, një projekt ndërkombëtar dhe vendor, e përcjell simbolikën e angazhimit të përbashkët që në Republikën e Kosovës sundimi i ligjit të jetë një nga parimet bazë të funksionimit të shtetit.

“Besimi i qytetarëve në institucionet e vendit varet shumë nga sistemi i drejtësisë, nga puna e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nga profesionalizimi, përkushtimi, ndershmëria nga puna e pakompromis e tyre, që janë në shërbim vetëm të drejtësisë dhe që zbatojnë vetëm ligjin, në secilin rast dhe ndaj secilit. Reformat e sistemit të drejtësisë në Kosovë janë në funksion të përafrimit me normat dhe standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, duke qenë një nga punët tona më të ndjeshme në periudhën e tranzicionit dhe të shtetndërtimit”, u shpreh Jahjaga.

Më tej ajo tha se, Pallati i Drejtësisë edhe në Republikën e Kosovës do të jetë në funksion të qytetarëve dhe për qytetarët, nën moton që askush nuk është mbi ligjin dhe që institucionet funksionimin dhe besimin e mbështesin në zbatimin e plotë të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Sipas saj, shteti i së drejtës është shtylla mbi të cilën mbështeten proceset demokratike, ndërsa institucionet e drejtësisë do të jenë vendi ku dëshmohet e vërteta.

a.y/NOA

KOMENTE