Tiranë, 23 qershor 2011, NOA/Irma Toptani – Kur mbeten 496 kutitë e fundit të votimit për t’u hapur për bashkinë e Tiranës, që i përkasin njësisë administrative nr. 11, që përkon me KZAZ-në 55, kandidati demokrat Lulzim Basha numëron 204 vota, ndërsa kandidati i Edi Rama 219 vota, të përfituara si rezultat i hetimit administrativ të KQZ-së mbi 1793 kutitë e votimit të Tiranës, një hetim i nisur pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor të datës 13 qershor.
Sipas të dhënave të KQZ-së, del se kandidati i koalicionit të “Aleancës për të Ardhmen” Edi Rama është në avantazh në numërimin e votave të hedhura gabim gjatë këtij procesi, ku në favor të tij kanë shkuar 10 vota më shumë.
Ky rezultat doli pas përfundimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, vota të panumëruara më parë si dhe kqyrjes së fletëve të pavlefshme në 10 njësi bashkiake të Tiranës.
Gjatë numërimit të votave të hedhura gabim në qendrat e votimit të njësisë 1, që i përket KZAZ-së 45, Lulzim Basha mori 28 vota, ndërsa Edi Rama 26 vota.
Në procesin e numërimit për njësinë 2, përkatësisht KZAZ-ja 46, Lulzim Basha mori 21 vota, ndërsa Edi Rama 12 vota.
Kurse gjatë numërimit në njësinë 3, që i përket KZAZ-ja 47, në favor të Lulzim Bashës shkuan 20 vota, ndërsa në favor të Edi Ramës 36 vota.
Gjatë numërimit të votave në njësinë 4, që përkon me KZAZ-në 48, të dy kandidatët morën nga 53 vota secili.
Ndërsa gjatë hapjes së kutive të njësisë 5, që përkon me KZAZ-në 49, në favor të kandidatit Lulzim Basha shkuan 8 vota, e për kandidatin Edi Rama 3 vota.
Gjatë hapjes së kutive të njësisë 6, që përkon me KZAZ-në 50 kandidati demokrat mori 19 vota, ndërsa ai socialist 27 vota.
Në njësinë 7, që përkon me KZAZ-në 51, kandidati Lulzim Basha mori 20 vota, ndërsa kandidati Edi Rama 23 vota.
Gjatë numërimit në njësinë 8, KZAZ-ja 52 kandidati Lulzim Basha mori 7 vota, kurse kandidati Edi Rama mori 6 vota.
Ndërsa në njësinë 9, që përkon me KZAZ-në 53, kandidati Lulzim Basha mori 11 vota, ndërsa kandidati Edi Rama 7 vota.
Për njësinë 10, kandidati Lulzim Basha mori 27 vota, kurse kandidati Edi Rama mori 26 vota të hedhura në kutitë e gabuara.
Në njësinë bashkiake 1 u hapën gjithsej 156 kuti, në njësinë 2 u hapën 201 kuti, në minibashkinë 3 u hapën 117 kuti, në njësinë bashkiake 4 u hapën 160 kuti dhe në njësinë 5 u hapën 220 kuti gjithsej, në minibashkinë 6 u hapën 195 kuti, në njësinë 7 u hapën 194 kuti, në njësinë 8, në njësinë 9 u hapën 152 kuti votimi, dhe në minibashkinë 10 u hapën plot 100 kuti votimi ku u numëruan votat e hedhura gabim si dhe u kqyrën fletët e votimit të pavlefshme.
Pas përfundimit të hetimit administrativ për 10 njësi në total diferenca mes dy kandidatëve Basha e Rama është 76 vota në favor të Lulzim Bashës.
Para vendimit të Kolegjit Zgjedhor marrë në 13 qershor mbi ankimimin e Partisë Socialiste, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi 125 kuti votimi, ku vlerësoi votat e kontestuara apo të hedhura në kutitë e gabuara, e ku në total kandidati demokrat Lulzim Basha siguroi 173 vota, ndërsa kandidati i majtë Edi Rama 83 vota, pra kandidati demokrat mori 90 vota më shumë se ai socialist.
Ishte ky rezultat që doli nga numërimi i votave të kontestuara në 125 kutitë që u hapën në KQZ që përmbysi rezultatin e dalë në 21 maj nga përmbyllja e procesit të numërimit të votave në 11 KZAZ-të e Tiranës, ku Edi Rama doli fitues me 10 vota.
Tani në tetë grupet e ngritura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nisi edhe procesi i numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara të minibashkisë 11, ku doli edhe një votë e vlefshme në favor të kandidatit të PKSH-së Hysni Milloshi.
Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për vlerësimin dhe numërimin e të gjitha fletëve të hedhura në kutitë e gabuara në hetimin administrativ të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë përfshirë 1793 kuti votimi nga 1940 kutitë e votimit të Tiranës.
Këto kuti i përkasin 368 qendrave të votimit, nga 485 të tilla që ka gjithsej Tirana.
mit/NOA