Bruksel, 23 qershor 2011, NOA- Në takimin e zhvilluar sot në Bruksel, mësohet se kryeministri grek i ka shtruar për diskutim homologut maqedonas, Nikolla Gruevski, çështjen e vendosjes së përmendores së Aleksandrit të Madh, si dhe çështjen e zgjidhjes së kontestit të emrit.
Siç raporton agjencia e lajmeve INA, Papandreu ka vlerësuar se ngritja e përmendores është çështje e kredibilitetit dhe vullnetit të Maqedonisë për të përparuar drejt BE-së dhe NATO-s.
Ndër të tjera pala greke ka shprehur qëndrimet se dëshiron që të zgjidhet kontesti i emrit dhe Maqedonia të shënojë përparime në planin e integrimeve euroatlantike.
Më tej është veçuar fakti se Shkupi duhet të ndërmarrë iniciativën për gjetjen e zgjidhjes dhe të tregojë vullnet më të madh politik në kuadër të këtij procesi.
“Takimi i dy kryeministrave paraqet mesazh të shkëlqyeshëm, se ekziston vullnet te dy palët për të komunikuar në nivel më të lartë dhe për të krijuar kushte për tejkalimin e kontestit rreth emrit”, është shprehur Antonio Milloshoski, ministër maqedonas i Punëve të Jashtme, menjëherë pas takimit.
a.y/NOA