English

Rrokada kushtetuese

Nga Albin Kurti

“Bota Sot”: Në fund të kësaj interviste më kujtohet një thënie juaja se dy mandate janë mjaft, tri mandate janë shumë. Do të jeni edhe mandatari i tretë apo vërtet si Kryeministër ky do të jetë mandati i fundit? Hashim Thaçi: Unë edhe sot e respektoj moton time se “një mandat është i paktë për një Kryeministër të suksesshëm, dy mandate janë të mjaftueshme, tri janë të tepërta”.

Këto janë pyetja dhe përgjigjja e fundit e Kryeministrit Thaçi në intervistën e tij për gazetën “Bota Sot” më 13 qershor 2011. Kjo është e vetmja deklaratë e re e Kryeministrit Thaçi në vitin 2011. Dhe kjo deklaratë megjithatë nuk është e re siç na e përkujtuan gazetarët Bajrush Morina dhe Lirie Hajdari, të cilët e intervistuan atë. Ai tashmë e kishte thënë diku më herët këtë deklaratë, ndërsa gazetarët nuk e tregojnë qartë nëse e kishte bërë këtë publikisht apo privatisht. Pra, Thaçi nuk e do edhe një mandat të tretë në postin e Kryeministrit; nuk do të ketë qeveri “Thaçi 3”. Kësisoj, më në fund mësuam diçka të re prej deklaratave a intervistave të Hashim Thaçit (ne që nuk e dinim prej më herët këtë synim të tij sikurse gazetarët Morina e Hajdari).

Sigurisht se mendimi i parë që i vjen qytetarit të Kosovës është se Thaçi mund të mos e mbajë fjalën. Nuk është hera e parë që ai s’do ta mbante fjalën. Tepër, shumë, e tepër gjatë ai ka gënjyer që t’i besojmë ne tash. Prandaj, ai thotë se nuk dëshiron që të jetë sërish Kryeministër, porse kjo s’do të thotë që ai vërtet nuk dëshiron që të jetë sërish Kryeministër. Ka mundësi të jetë kështu, e megjithatë, e kam përshtypjen se ai nuk po gënjen kësaj radhe. Ama kjo s’paraqet lajm të mirë për Kosovën ashtu vetvetiu. Të vërtetat e Thaçit mund të jenë shumë më të dëmshme edhe se gënjeshtrat e tij. Thaçi nuk po e aspiron edhe një mandat Kryeministri jo pse papritmas vendosi që të mos e dëmtojë më Kosovën, por pse kështu e ka vlerësuar se mund të mbijetojë në pushtet.

Duket që Thaçi ka zgjedhur rrugën e ish-presidentit të Rusisë dhe Kryeministrit të saj aktual, Vladimir Putin, porse me zëvendësimin e kundërt. Nga President i Rusisë Putini u bë Kryeministër, ndërkaq Thaçi do që nga Kryeministër të bëhet President. (Natyrisht që kjo analogji është veçse formale dhe nuk pretendoj që ka përputhje të tjera.) Ashtu sikurse Putini edhe Thaçi me gjasë do ta lëshojë pozitën e lartë të tanishme për ta synuar pozitën tjetër të lartë të Presidentit të Kosovës me ç’rast për Kryeministër aspiron ta vendosë ndonjërin prej Medvedevëve të tij. Sikurse te rasti i Putinit, gjatë këtij zëvendësimi pushteti do të bartej andej nga shkon pushtetari kryesor nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese që e mundësojnë këtë gjë dhe që pamundësojnë çfarëdo ndryshimesh të tjera të Kushtetutës. Me këso rrokadë Thaçi formalisht nuk do ta kontrollonte qeverinë nga posti i Kryeministrit, por përmbajtësisht do ta kontrollonte Kryeministrin nga posti i Presidentit.

Thuhet që Kryeministri Thaçi ashtu qysh ka qenë shumë i interesuar që Behgjet Pacolli të bëhet President me të njëjtin pasion nuk ka qenë i interesuar që ai të mbetet President. Jo pse Republika e Kosovës nuk bën që ta ketë për President një njeri të parespektueshëm si Behgjet Pacollin, por pse Presidenti s’duhet të jetë Behgjet Pacolli (por veçse një person tjetër si puna e Atifete Jahjagës që vështirë se do të mbahet mend dhe, jo vetëm për këtë arsye, do të harrohet shpejt).

Kosovë nuk ka plane afatmesme e afatgjata dhe planet janë aq afatshkurtra saqë s’janë më fare plane. Megjithatë, nuk është krejt kështu. Ka plane në Kosovë, ka plane afatmesme e madje edhe afatgjata, vetëm se ato plane s’janë për Kosovën, por në kurriz të saj. Ato janë plane të pushtetarëve të Kosovës për hir të pushtetit të tyre. Prandaj, duke analizuar e gjurmuar apetitet e pushtetarëve mund të mësojmë më shumë se çka do të ngjajë me Kosovën sesa duke trajtuar programet a qëndrimet e tyre politike për Kosovën. Dhe, këtu vijmë sërish tek ajo përgjigjja e fundit e Thaçit në intervistën për “Bota Sot”. Duke qenë se nuk do të jetë më Kryeministër pas këtij mandati, duke qenë se zgjedhjet për President janë në vitin 2012, Kryeministri i tanishëm Thaçi po ngutet që ta shesë PTK-në, KEK-un e Trepçën, ta pranojë autonominë e dirigjuar nga Serbia në veri të Kosovës dhe jo vetëm atje, si dhe t’ia japë edhe autostradën Prishtinë-Shkup korporatës “Bechtel-Enka”. Thjesht, atij po i ngutet, sepse duket që ai pushtetin e deritanishëm në pozitën e Kryeministrit e kishte borxh, të cilin tani duhet ta paguajë me pasurinë e territorin e Kosovës dhe përpos kësaj i nevojitet ca kredit shtesë për pushtetin e ri që e synon te pozita e Presidentit. Pra, fati i Kryeministrit Thaçi është sikur ai i të dehurit që në mëngjes ia sjellin llogarinë e gjatë të krejt asaj çfarë ka pirë gjatë gjithë natës.

Të gjithë njerëzit që do t’i afrohen Thaçit, ose që tashmë janë afër tij, do të jenë të rrezikuar. Sa më afër Thaçit, aq më të rrezikuar do të jenë. Vetëm njëri dhe asnjë më shumë se vetëm njëri do të mund të bëhet Dimitri Medvedev i Vladimir Putinit tonë. Se afër Thaçit është më rrezik se larg tij e dëshmojnë gjithë shokët e tij të dikurshëm. Por, po e dëshmojnë edhe situatat e ndera në të cilat sot ndodhen Fatmir Limaj e Azem Syla. Rrezikun e afërsisë me Thaçin, pas Behgjet Pacollit, e përjetoi së fundi edhe Isa Mustafa. Vetëm pak kohë pasi bëri marrëveshje me të, ai shpejt e ndjeu policinë e ndërsyer prej Thaçit që ia sulmoi njerëzit e tij në Komunën e Prishtinës.

Mbase mund t’u sugjerohet të gjithë lexuesve të intervistave të Kryeministrit Thaçi, sado të paktë që të jenë ata, që ato intervista t’i lexojnë prej fundit. Sepse aty duket se ndodhen gjërat e vjetra e të reja. Gjëra këto që e shpjegojnë Kryeministrin Thaçin, i cili në Kosovë arrin të aktualizohet vetëm si dëm për vendin.

NOA

KOMENTE