Nga Armand Shkullaku
Kur një javë më parë, Johannes van Vreeswijk la detyrën e kryeprokurorit të EULEX-it dhe u largua përfundimisht nga Kosova, dëmi që la pas mund të llogaritet disa herë më i madh se zhgënjimi. Në majin e vitit që shkoi pata shkruar se modeli i holandezit ishte modeli i prokurorit që gjithnjë na kish munguar dhe shembulli i duhur për gjyqtarët e prokurorët e rinj të Kosovës. Ai i vuri gjoksin një aksioni të bujshëm hetimor ndaj ish-ministrit të fuqishëm të Transportit, ndali për kontroll në aeroport Kryeministrin e vendit dhe deklaroi se në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar nuk do të tërhiqej përballë asnjë presioni. “Ata që kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin…duhet të fillojnë të djersiten. Nëse nuk ndaleni, atëherë do ju ndalim ne”. Kështu pati deklaruar atëherë prokurori duke ngjallur shpresë dhe admirim, aq sa një rrugë në Prishtinë qytetarët e vetëpagëzuan simbolikisht me emrin e tij. Një simbol, pse jo dhe një hero i munguar në krejt shoqërinë shqiptare, gjithnjë kokulur dhe shterpë në prodhimin e individëve që mund të tronditin sistemin e korruptuar politiko-ekonomik.
Në gjithë këto vite sprove për ndërtimin e një demokracie funksionale, Shqipëria më shumë, por edhe Kosova po shkon në atë drejtim, vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e institucioneve të pavarura dhe individëve të guximshëm që sfidojnë forcën dhe joshjen e pushtetit. Me përjashtim të ndonjë rezistence mediatike, pjesa tjetër e shoqërisë pajtohet me abuzimin e pushtetit deri në atë pikë sa korrupsioni dhe krimi pranohen si fatalitet që na ka rënë mbi krye dhe ndaj të cilit është e kotë të luftosh. Shoqëria shqiptare është në krizë morali, në krizë heronjsh, në krizë idealesh jo vetëm se pushteti politiko-financiar është i fortë dhe mbizotërues, por sepse në radhë të parë vetë ajo e pranon atë si të tillë. Prapambetja, izolimi i gjatë, psikologjia e frikës, servilizmi ndaj sundimtarit dhe shumë faktorë të tjerë shpjegojnë se përse abuzimi me pushtetin është tepër i lartë dhe kundërveprimi ndaj tij shumë herë më i vogël. Kjo shpjegon edhe faktin që Shqipëria e Kosova u renditën të fundit në listën e vendeve të rajonit që synojnë anëtarësimin në BE. Ne do të vazhdojmë të mbetemi të fundit për sa kohë reagimi ndaj së keqes nis dhe mbaron me zëvendësimin e një partie me një tjetër, e një pushteti me një tjetër, ndërsa në thelb korrupsioni dhe krimi vetëm sa ndërrojnë duar. Shoqëria shqiptare nuk nxjerr dot antikorpe që t’i bëjnë ballë kësaj të keqe, nuk kemi parë asnjë gjyqtar apo prokuror që të rrezikojë të hetojë e të nisë procese që do të shkundnin pushtetin e korruptuar shumëvjeçar. Para një të keqe që shihet qartë, të gjithë zgjedhin të mbyllin sytë e të mos flasin duke mbarsur kështu një klimë të ndotur ku mbizotëron vegjetimi i tipit: “Ç’më duhet mua? Pse, unë do bëhem hero në këtë vend? Këtu kështu ka qenë e kështu do të jetë…”. Më e keqja nuk mbaron këtu, sepse edhe brezi më i ri po edukohet me këtë frymë nënshtrimi dhe pranimi të realitetit si fatalitet, pa guxuar ta vënë në pikëpyetje atë. Madje, në një krizë të madhe të dijes, modeli që respektohet dhe frymëzon është ai i të pasuruarit brenda një nate.
Në një situatë të tillë, ku nuk shihet asnjë rrugëzgjidhje, akte që sfidojnë sistemin e korruptuar dhe frikën për të vepruar, janë më shumë se të mirëpritura. Johannes van Vreeswijk u duk si një shkëndijë që mund të ndizte reagimin e duhur ndaj së keqes. Që mund të trimëronte dhe të frymëzonte gjyqtarët e prokurorët shqiptarë dhe atë pjesë të fjetur të shoqërisë që ende i ka mbetur nervi i të vepruarit. Nëse në Kosovë të gjithë flisnin me zë të ulët për pasuritë e ministrave, abuzimet, trafiqet dhe krimet e njerëzve me pushtet, prokurori holandez tha se nuk trembej prej tyre. Por, me sa duket, nuk qenka e thënë që në këto anë të dalin të tillë “trima”. Prokurori holandez nisi një proces të bujshëm dhe në fund iku me bisht ndër shalë. Premtimet dhe deklaratat e tij mbetën fjalë duke shkaktuar një dëm të parikuperueshëm te qytetarët e Kosovës.
Ky dëm nuk ka të bëjë vetëm me zhgënjimin ndaj premtimeve të mëdha të holandezit. As me faktin se një prej proceseve më të rëndësishme kundër korrupsionit u komprometua keq dhe vështirë se mund të zbardhet ndonjëherë. Dëmi është shumë herë më i madh dhe lidhet pikërisht me gjendjen e nënshtrimit dhe të mosreagimit të shoqërisë shqiptare ndaj së keqes që përmendëm më lart. Dështimi i Johannes van Vreeswijk përbën një demotivim kapital edhe për ata pak individë që besojnë te rezistenca qytetare. Kur një prokuror i huaj, me mandat nga BE, me super imunitet, super kompetenca dhe sigurisht një super rrogë, nuk arrin të çojë deri në fund një proces hetimor, çfarë mund të presësh nga prokurorët e gjyqtarët lokalë që punojnë në kushte aspak të krahasueshme? A mund të dalë prej tyre ndonjë hero, kur vetë kryeprokurori i EULEX-it u zbyth në misionin e tij? Duke rrënuar modelin perëndimor që ai vetë e serviri në krye të hetimeve dhe si shembull i dështimit të një prokurori europian, dëmi i Johannes van Vreeswijk është tepër i madh. Ai certifikoi impotencën e një shoqërie për t’i bërë ballë së keqes.
Gazeta “Panorama”