English

Thaçi: Themele të forta drejt ndërtimit të një administrate publike profesionale

Prishtinë, 23 qershor 2011, NOA- Në konferencën e zhvilluar me rastin e ditës ndërkombëtare të Shërbimit Civil, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se qeveria do të punojë me shumë seriozitet në zhvillimin e administratës publike.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në vazhdimësi ka treguar angazhimin dhe përkushtimin e saj për të përkrahur nëpunësit civilë në të gjitha format dhe mundësitë e saj. Ne në vazhdimësi jemi angazhuar të krijojmë kushte sa më të mira për nëpunësit civilë. Rritja e pagave të këtij viti për të gjithë nëpunësit civilë të Republikës së Kosovës për 30 për qind, paraqet angazhimin më përmbajtjesor për të realizuar njërin nga obligimet tona për kushte më të mira të punëtorëve të institucioneve shtetërore të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Më tej kryeministri kosovar shtoi se, duhet të vazhdohet më tej që të arrihen standardet e nëpunësve civilë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Thaçi tha se, Kosova ka vënë themelet e forta dhe të shëndosha drejt ndërtimit të një administrate publike, profesionale dhe jo politike dhe se përmes legjislacionit ka garantuar një shërbim civil të pavarur nga ndikimet politike.

a.y/NOA

KOMENTE