Nga Mero Baze
Kryeministri shqiptar ka shkuar në Bruksel në një takim të Partive Popullore. Për nga rëndësia e pjesëmarrësve shkuarja në takime të tilla është një rast i artë për të takuar shumicën e kryeministrave të Evropës. Edhe pse nuk ka rëndësi shtetërore si vizitë, për një vend që aspiron Evropën seriozisht, është fat që kryeministri të jetë pjesë qoftë dhe formale e atyre takimeve. Pikërisht këtu kryeministrit tonë i ka ndodhur një dramë e madhe. Së pari asnjë kryeministër i rëndësishëm i Evropës nuk ka pranuar të ekspozohet me Berishën dhe të bëjë deklarata që ai mund t’i përdorë në Shqipëri. Përveç takimit me një azerbajxhanas, me të cilin më shumë kanë diskutuar për një mik të përbashkët, të arrestuar në Spanjë disa ditë më parë si pastrues parash i Mubarakut dhe dorë e fshehtë e pagesës së një prej privatizimeve strategjike në Shqipëri, nuk kanë pasur ç’të bisedojnë tjetër. Zaten me një azerbajxhanas nuk ke çfarë bisedon veç pastrimit të pareve dhe ndonjë borxhi të fshehtë. Të jesh mes gjithë atyre kryeministrave perëndimorë dhe të përfundosh me një lider autoritar të një republike kampion korrupsioni, do të thotë që të shkosh në Bruksel për të gjetur homologët e tu lindorë.
Së dyti Berisha u refuzua me delikatesë në udhëtimin e tij drejt Brukselit nga zyrtarët e rëndësishëm të Brukselit që po merren me krizën shqiptare. Kabineti i Komisionerit Fyle gjysëm me cinizëm dhe gjysëm me naivitet u përgjigj se nuk e dinte që Berisha qenkësh në Bruksel. Ambasada jonë në Bruksel ka së paku tri javë që ka njoftuar udhëtimin e kryeministrit, dhe deklarata e kabinetit të Komisonerit Fyle është përgjigja diplomatike për të treguar se nuk kanë çfarë bisedojnë me kryeministrin tonë. Nuk ka pak ditë që ai u ka çuar atje një dërgatë njerëzish të klonuar me idetë e veta për demokracinë në Shqipëri dhe ata janë tashmë të shokuar, që në vend të përgjigjeve për krizën e lindjes së demokracisë shqiptare të dëgjojnë nga “lenkaçukot” e Saliut krizën e lindjes apo moslindjes së Griseldës.
Por vizita e dështuar e Berishës në Bruksel ka dhe anën e saj komike. Pasi ishte në burim dhe nuk piu dot ujë, e gjeti një zgjidhje. Thirri dy- tri kamera të vetat dhe u shpjegoi shqiptarëve gjithë ato që kishte në mendje tu thoshte evropianëve. Në raportin thuajse gazetaresk të Berishës për kamerat e Klanit apo televizionit azerbajxhanas të Tiranës, Berisha foli në përgjithësi se ka qenë në një sallë ku është përshëndetur me Merkelin, Barroson, etj, etj, dhe u ka thënë atyre: “Zgjedhjet në Shqipëri ishin një sukses, harta e demokratëve u zgjerua, Tirana po gdhihet blu, ishte një provë e shtetit ligjor” dhe broçkulla të tjera.
Ana komike e këtij raporti gazetaresk të Berishës nga Brukseli është se ajo mbahet për shqiptarët dhe jo për perëndimorët. Për të kuptuar sa nerva kanë perëndimorët të dëgjojnë broçkulla të tilla mjafton të sjellim në mendje humbjen e durimit të Komisionerit Fyle për të dëgjuar Albana Vokshin, një recituese e neveritshme e marrëzive të tij. Edhe më komik raportin e Berishës gazetar nga Bruksel e bën fakti që ai nuk citon dot asnjë fjalë se çfarë i kanë thënë perëndimorë. Në këto raste shumë vetë mendojnë se do t’i kenë thënë ndonjë gjë të rëndë. Dikush hamendëson se kanë qortuar për futjen e duarve në zgjedhje apo për zgjatjen e krizës politike. Të tjerë hamendësojnë se i kanë folur ashpër për korrupsionin apo përdhosjen e institucioneve. Të tjerë hamendësojnë lirinë e shtypit apo korrupsionin familjar. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Atij nuk i flet askush me gojë. Është i izoluar dhe i vetmuar dhe e vetmja gjë që i ka mbetur të bëjë është të flasë me vete nga Brukseli për t’i bindur shqiptarët që është akoma në lojë. S’di nëse i bind dot duke folur me vete dhe duke bërë sikur flet me Perëndimin, por di më e pakta ata që flasin me vete këtu merren ose si njerëz të çmendur, ose si njerëz në hall. I qoftë e lehtë.
*Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA