English

Berisha paralajmëron opozitën: Bojkotin do ta paguani shtrenjtë

Bruksel, 23 qershor 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Shqiptarët po e paguajnë një kosto për bojkotin institucional të opozitës por edhe vetë ajo, do ta paguajë më shtrenjtë këtë mënyrë të të bërit politikë.

Paralajmërimin e bëri nga Brukseli, kryeministri Sali Berisha, i gjendur sot atje në samitin e Partive Popullore Evropiane.

një bashkëbisedim me gazetarë, kreu i qeverisë u ndal në faktin se 16 ligje që kërkojnë 3/5 e votave nuk janë miratuar në Parlament, çka ka frenuar edhe reformat e integrimit.

Këtu, Berisha iu përgjigj pyetjes se “si do ta zgjidhni këtë problem nëse opozita do të vazhdojë të bojkotojë”.

Kryeministri tha: “Unë mendoj se përdorimi i fuqisë dhe i pushtetit që të kanë dhënë zgjedhësit për të bllokuar dhe jo për të votuar, sigurisht që ka një çmim për vendin, por çmimin më të madh e ka për atë që e përdor në këtë mënyrë”.

Në këtë pikë, Berisha shtoi: “Uroj dhe dëshiroj që në ofertën e bërë nga qeveria edhe para 3 ditësh dhe që sërish do të përsëritet, opozita të përfitojë për të dhënë kontributin e saj real në proceset e integrimit”.

Në të njëjtën kohë, kryeministri vuri në dukje se “shteti ligjor është kushti më themelor për funksionimin e një shoqërie të lirë, është kushti më themelor për veprimtarinë normale të një opozite, por është njëkohësisht dhe kushti i të gjitha kushteve për suksesin e reformave”.

Ndaj në kuadrin e këtij parimi të madh, - shtoi Berisha, - mendoj se të gjitha zgjidhjet janë të mundshme.

Kryeministri siguroi se opozita është e ftuar të bëjë të gjitha amendamentet dhe përforcoi premtimin e tij: “Opozita është e ftuar të bëjë të gjithë propozimet e të gjitha kandidaturave që janë me tre të pestrat”, duke uruar që “ta lexojnë mesazhin siç duhet”.

Në vijim të bisedës me mediat Berisha foli dhe mbi përfundimin e numërimit të votave të hedhura gabim, ku kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, rezultoi fitues me 95 vota më shumë se Rama.

“Nuk mund të mohohet gëzimi që krijoi tek të gjithë bashkëbiseduesit e mi lajmi që Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u bë blu. Pra në hartën e fitoreve të qendrës së djathtë në Evropë u shtua fitorja e qendrës së djathtë në Shqipëri në tërësi dhe fitorja në Tiranë në veçanti”, - tha kryeministri.

Nga ana tjetër, Berisha theksoi se në Bruksel sot, kishte informuar gjerësisht bashkëbiseduesit e tij “për transparencën absolute të numërimit dhe të nxjerrjes së çdo vote në televizion. Diskutuam gjerësisht” dhe shtoi: “I njoha me vendimet e Kolegjit Zgjedhor, me zbatimin me përpikmëri të këtyre vendimeve dhe provën e shkëlqyer në të cilën kaloi shteti ligjor. Garat e ngushta, për çdo vend dhe demokraci, janë para së gjithash provë e shtetit ligjor. Mendoj se shteti ligjor në Shqipëri dëshmoi funksionalitet të plotë, dëshmoi maturi të plotë”.

Sakaq, opozita ka deklaruar sërish se do ta ankimojë rezultatin e Tiranës. Lidhur me këtë fakt, Berisha u pyet nëse e shqetëson ky fakt, i cili më së pakti do ta zvarrisë procesin:

“Aspak nuk më shqetëson. Opozita dhe çdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës. E rëndësishme është që duhet t’i shprehim besim gjykatës dhe jo një vendim që na pëlqen e duartrokasim, vendimin tjetër që s’na pëlqen e anatemojmë. Opozita dhe kushdo ka të drejtë t’i drejtohet, në përputhje me ligjin. Kjo është normale”.

e.t/NOA

KOMENTE