English

Beteja për Tiranën , Daul e Brok: Respektoni gjykatën dhe votën e shqiptarëve

Bruksel, 24 qershor 2011 NOA- Përfaqësues të lartë të Parlamentit Evropian si dhe të Partisë Popullore Evropiane bëjnë thirrje për respektim të vendimeve të KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor. Gjatë takimit të PPE, Joseph Daul, kryetar i grupit të Partisë Popullore europiane ka deklaruar se lidhur me procesin zgjedhor në Shqipëri duhen respektuar rregullat.

“Ka një gjykatë për rezultatin e zgjedhjeve- ka deklaur Daul - Nuk i takon partive politike të shprehen nëse rezultati njihet apo jo. Janë rregulla që duhet respektuar sot. Është për këtë që ka një drejtësi kudo. Kjo është demokracia e vërtetë. Demokracia nuk është: unë vendos se kush është zgjedhur dhe kush nuk është zgjedhur. Kur votuesit kanë shprehur vullnetin e tyre, kjo duhet respektuar. Siç thoshte im atë: votat duhen numëruar dhe jo peshuar”

Beteja për kryebashkiakun e Tiranës, sipas kreut të grupit kuvendor PPE e ka një fitues dhe ky, sipas tij, është më i votuari nga populli.

" Unë respektoj atë që thotë Gjykata. Nëse Gjykata thotë ka fituar zotëria, atëherë është zotëria që ka fituar. Si mund të ndodhë ndryshe? Si mund të themi diçka ndryshe nga Brukseli. Në çdo vend ka drejtësi dhe shtet ligjor. Duhet të mësoheni me këtë”, tha Daul.

Ndërsa, Elmar Brok, deputet i Parlamentit Evropian ka shkuar më tej, duke kritikuar opozitën shqiptare për qëndrimin e saj, sa i takon procesit të 8 majit.

"Sigurisht që opozita mund të kontestojë zgjedhjet nëse ka arsye për ta bërë këtë, por kam përshtypjen se nuk ka një arsye të vërtetë për këtë. Opozita duhet të mësojë që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të fillojë punën normale, pasi kjo është gjithnjë mënyra më e mirë për tu përgatitur më vonë për qeverisjen dhe jo duke ndalur progresin e vendit kohë pas kohe", ka thënë Brok në një prononcim për mediat.

Numërimi për Tiranën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sot tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Miratimi i projekt aktit do të shpallë në mënyrë zyrtare fitoren e kandidatit të mazhorancës për Tiranën, Luzlim Basha me 95 vota. Ndërkohë që pas shpalljes së aktit, Partisë Socialiste i lind e drejta për të ankimuar rezultatin dhe procedurën e KQZ-së. Numërimi i votave u mbyll mesditën e djeshme dhe në shqyrtim u morën të gjitha kutitë e 11 njësive të votimit në Tiranë, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

a.q/NOA

KOMENTE