English

D’Elia: Politika të kalojë ngërçin, ti kthehet jetës normale në parlament

Tiranë, 24 qershor 2011, NOA- Ambasadori italian në vendin tonë Saba D’Elia në takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto ku deklaroi se Italia heq legalizimin e dokumenteve në ambasadë, u shpreh edhe për situatën paszgjedhore në vend.

Ai iu përgjigj interesit të gazetarëve duke thënë se ajo që u është thënë në vijimësi miqve shqiptarë është që duhet të punojnë për të kaluar këtë ngërç dhe për t’ iu rikthyer një jete politike normale edhe në parlament.

Më tej ai shtoi së është pikërisht në parlament aty ku ndërmerren reformat që janë kërkuar nga Bashkimi Europian për procesin e integrimit.

Në të njëjtën linjë ishte edhe qëndrimi i europarlamentares Doris Pack e cila theksoi dje se, refuzimi i opozitës për të bashkëpunuar për disa ligje në Shqipëri, për miratimin e të cilave janë të nevojshme edhe votat e tyre, mund të çojë në atë që nuk mund të plotësohen kushtet që duhen plotësuar për integrimin drejt Bashkimit Europian, duke shtuar se ky është një problem, i cili mbetet në fushën e opozitës.

Më tej Pack theksoi se prej kësaj, probleme do të ketë i gjithë vendi dhe opozita duhet ta mbajë parasysh që vetëm synimi për të rrëzuar qeverinë, gjë që është e kuptueshme kur je në opozitë, nuk mund të mbajë peng të gjithë vendin.

a.y/NOA

KOMENTE