Tiranë, 24 qershor 2011, NOA- Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto ka pritur sot në një takim ambasadorin italian në vendin tonë Saba D’Elia i cili ka dorëzuar Notën Verbale, nëpërmjet së cilës, shteti italian ka pranuar heqjen e rezervës së tij nga Konventa e vulës apostile për shtetasit shqiptarë.
Në thelb kjo notë nënkupton se Italia heq legalizimin e dokumenteve shqiptare në ambasadën Italiane.
Gjatë takimit, ministri Haxhinasto ka shprehur konsideratën në emër të qeverisë shqiptare, duke e vlerësuar këtë hap si një zhvillim tepër të rëndësishëm dhe që përmirëson ndjeshëm marrëdhëniet konsullore mes dy vendeve
Ambasadori D’Elia është shprehur se kjo sjell një kursim të madh kohe edhe të shpenzimeve sepse në këtë mënyrë kostoja e përgjithshme për një qytetar shqiptar do të ulet rreth 80%.
Ministria e Jashtme thekson se Italia ka tërhequr rezervat e paraqitura deri tani ndaj Republikës së Shqipërisë, lidhur me Konventën e Hagës për Apostilen, të datës 5 tetor 1961, “Mbi heqjen e kërkesës për legalizimin e dokumenteve zyrtare të huaja” dhe se tashmë të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet shqiptare do të legalizohen vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me vulën Apostile, pa patur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën Italiane në Tiranë apo Konsullatat në Vlorë dhe Shkodër.
Mësohet se të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet italiane do të legalizohen vetëm në Institucionet italiane të autorizuara, me vulën Apostile, pa patur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën e Shqipërisë në Romë apo Konsullatat në Milano dhe Bari.
Ndërsa dokumenti i përkthyer nuk do të legalizohet, vetëm do t’i bashkëlidhet dokumentit origjinal i cili do të jetë i legalizuar më parë me vulën Apostile në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Sakaq përkthimi i dokumenteve në gjuhën italiane mund të bëhet në këto vende:
1. tek përkthyesit zyrtarë të njohur nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë
2. tek Zyra Konsullore e Ambasadës Italiane në Tiranë
3. tek Instituti Italian i Kulturës
4. tek përkthyesit zyrtarë në Itali, të njohur nga autoritetet italiane
a.y/NOA