Bruksel, 23 qershor 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Shqiptarët dhe Shqipëria, në sajë të modelit ekonomik të aplikuar nga qeveria, janë tërësisht jashtë krize. Pohimin e bëri nga Brukseli, kryeministri Sali Berisha, i gjendur atje në samitin e Partive Popullore Evropiane dhe tek Forumi i Krans Montana.
Në një bashkëbisedim me gazetarë, pak para se të rinisej për në Tiranë, Berisha u ndal edhe në argumente ekonomike kur komentoi faktin se këto ditë Evropa diskuton për krizën greke. Nisur nga kjo, Berisha foli dhe për ekonominë shqiptare sot.
Ai tha se ekonomia jonë në të gjitha vlerësimet nuk ka njohur dhe nuk do të njohë recesionin dhe shtoi: “E vërteta është që kriza aktuale e borxheve, le ta quajmë kështu, është një krizë shumë problematike. Një krizë, e cila në Samitin që sapo përfundoi mori një pjesë të gjerë të diskutimit”.
Por shqiptarët dhe Shqipëria, - shtoi Berisha, - në sajë të modelit ekonomik të aplikuar nga qeveria, janë tërësisht jashtë krize.
Kryeministri theksoi se Shqipëria po performon në mënyrë të qëndrueshme dhe u ndal në shifra: “Ka pasur vitin e kaluar një rritje prej 4 për qind, këtë vit kemi parashikuar një rritje prej 5 për qind”.
Në këtë pikë kryeministri tha se vazhdojnë të subvencionohen në mënyrë të pandërprerë “projektet e qeverisë në transformimin e infrastrukturës, në konsolidimin e një sistemi arsimor që të mbështesë fuqishëm ëndrrën e shqiptarëve për një Shqipëri të zhvilluar, projektet e Shqipërisë në moshën dixhitale, projektet e mëdha kombëtare për shndërrimin e Shqipërisë në kopshtin më të bukur të Europës, që po ndodh çdo ditë”.
Në fund të prononcimit të tij për gjendjen ekonomike në vend dhe të ardhmen e ekonomisë shqiptare, Berisha tha: “Gjatë Samitit, unë para rastin të bisedoj me të gjithë të pranishmit, si për zhvillimet ashtu dhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë, për përpjekjet e qeverisë për Shqipërinë vend të zhvilluar në vitin 2017”.
e.t/NOA