English

MB: Eshtrat e gjetura në Kuç i përkasin Zef Nikë Martinit

E premte, 24 qershor 2011, NOA- Ministria e Brendshme nëpërmjet një komunikate të pak minutave më parë është shprehur se sot janë gjetur në fshatin Kuç të Shkodrës eshtrat e një personi.

Sipas kësaj ministrie thuhet se, ato i përkasin Zef Nikë Martinit, i pushkatuar nga sistemi komunist në 11 gusht 1983.

Mësohet se gjetja e eshtrave të viktimës u bë nga Task-Forca për Gjetjen dhe Identifikimin e Eshtrave të Viktimave të Komunizmit në bashkëpunim të ngushtë me familjarët e të pushkatuarit, ndërsa pas gjetjes së tyre, eshtrat u transferuan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për identifikimin me anë të ADN-së. “Task-Forca për Gjetjen dhe Identifikimin e eshtrave të viktimave të Komunizmit u krijua me vendim të qeverisë shqiptare në vitin 2010 dhe kryesohet nga Ministria e Brendshme. Javë më parë në sajë të punës së Task-Forcës u bë e mundur gjetja në të njëjtin vend e eshtrave të dy të pushkatuarve të tjerë Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Më tej theksohet se gërmimet do të vijojnë sërish edhe në muajt e ardhshëm, për shkak të informacioneve të marra, dhe për këtë arsye u bëhet thirrje familjarëve dhe personave që kanë dijeni për vende të ngjashme ekzekutimi të ndihmojnë me informacione në mënyrë që eshtrat e viktimave të komunizmit të mund t’u kthehen familjarëve të tyre.

a.y/NOA

KOMENTE
  • FLLOKI02:25 - 29 Qershor 2011
    HAHAHHAHAHA