Nga Artan Lame
Shoqata “Çamëria” ka shpallur dje projektin e saj për të ndërtuar një monument në vendin ku gati 70 vjet më parë dhanë shpirt disa mijëra shqiptarë që, në kulmin e konfliktit botëror, po ju duhej të përballeshin edhe me një konflikt dhe spastrim etnik. Ajo që ndodhi në vitet 1944-‘45, ishte një tragjedi e tmerrshme personale për ata mijëra burra, gra, pleq e fëmijë që vdiqën të braktisur; por po aq e tmerrshme, ishte pesha që iu desh të mbanin në shpirt për shumë dekada rresht, dhjetëra-mijëra të tjerë që, përveçse panë t’u shuheshin para syve të afërmit e tyre, iu desh të jetonin edhe me pengun e braktisjes së trojeve dhe vatrave stërgjyshore.
Megjithatë, mendoj se tashmë në epokën e himnizimit të vlerave njerëzore universale, edhe këtë tragjedi duhet ta shohim në një kuadër më të gjerë. Përpara se të jemi apo të ndihemi shqiptarë ne jemi qytetarë të botës. Si të tillë, përpara se të kryejmë detyrimet ndaj atdheut që na ka bërë shqiptarë, duhet të kryejmë detyrat ndaj botës që na ka bërë qytetarë të saj. Shkencat moderne të antropologjisë, po vërtetojnë se shkëputja e humanoidëve nga bota e kafshëve drejt “homo sapiens”-it, fillon pikërisht me lindjen e elementeve të kulturës dhe, ndër këto elemente, varrosja e ndërgjegjshme e të vdekurve, kujdesi për varret dhe jo braktisja e kufomave; konsiderohet si një prej elementeve themeltare në këtë gjë. E thënë shkurt, “njerëzit filluan të qytetërohen kur filluan të varrosin të vdekurit”. E pra në Qafë- Botë, dhjetëra mijëra vjet pas zënies fill të kulturës njerëzore dhe mijëra vjet pas lulëzimit të qytetërimit grek, si një prej qytetërimeve më të hershme; kemi ende mbetjet e një mase njerëzish që, pasi dhanë shpirt mes vuajtjesh, iu mohua pikërisht ky element thelbësor i kulturës njerëzore.
Përtej politikës të ditës apo të dekadave pompoze; përtej nacionalizmave dhe shovinizmave, prapa të cilave shpesh janë fshehur maskarenjtë më të mëdhenj të kohëve; përtej debateve fetare, etnike, apo të çfarëdo lloji tjetër, qëndron një fakt dhe një faktor që përbën një prej elementeve thelbësore të qytetërimit: dëshira për t’i dhënë një prehje dinjitoze të vdekurve. Ky është elementi i parë që ne, si qenie njerëzore, e mbartim ndaj të vdekurve tanë.
Evropa është e mbushur me varreza ushtarake, në kujtim të të rënëve nëpër luftërat e bëra anekënd Kontinentit të Vjetër. Por shekulli i XX, si shekull i kombeve dhe ideologjive, i dha Kontinentit edhe një lloj tjetër vend prehjeje për të vrarët: Varrezat masive të civilëve, një element i turpshëm ky i shekullit që lamë pas. Kujtoj këtu masakrat me sfond etnik që shoqëruan konsolidimin e shteteve kombëtare nëpër Ballkan, masakrat ideologjike të nazizmit dhe të ideologjive të Luftës II Botërore dhe sërish spastrimet që shoqëruan shpërbërjen e palavdi të Jugosllavisë.
Megjithatë, popujt kanë ngulmuar që, pavarësisht nga rrjedha e kohës, t’i përkujtojnë dhe sidoqoftë të mos i harrojnë viktimat e këtyre masakrave, megjithëse ato nuk janë heronj luftërash, por viktima të marrëzisë. Ka një arsye shumë të thellë në këtë fakt. Monumentet e viktimave, kryejnë një funksion të pazëvendësueshëm dhe shpëtimtar për të gjallët, kryejnë funksionin e kambanës së alarmit si paralajmërim për diktatorët dhe për të gjithë ata që ju mbushet mendja se duke zhdukur kundërshtarin do zhdukin kujtesën dhe kështu mund t’i fshihen ndëshkimit. Me këto monumente, popujt e qytetëruar në një farë mënyre u dalin borxhit gjithë të dalldisurve dhe fanatikëve që shumë herë ja dalin t’u vihen në krye, duke iu kujtuar se: “Asgjë nuk harrohet, asnjë fitore e përjetshme nuk mund të ngrihet me krime, asnjë lavdi nuk mund të kurorëzohet mbi eshtra të pafuqishmish”.
Ne nuk mund ta dimë se sa diktatorë janë pakësuar apo janë frenuar në çmendurinë e tyre, falë kësaj kujtese të bërë nga popujt. Kjo është detyrë dhe debat i studiuesve dhe i historianëve. Detyra e popujve, dhe e jona si pjesë e njërit prej këtyre popujve, është të vazhdojmë të përkujtojmë dhe t’u ngremë monumente viktimave. Vetëm kështu i japim një sens dhe një funksion vuajtjeve dhe vdekjes së tyre, që përndryshe do të dukej e pakuptimtë dhe e kotë.
Ndoshta është pikërisht ky stigmatizim i të keqes nga ana e popujve, që ka bërë që, ata që projektuan, nxitën dhe kryen edhe martirizimin e shqiptarëve të Çamërisë, të përpiqen t’ua lënë njollën e të keqit vetë çamëve. Jo më kot zbrazja e këtyre trojeve nga popullsitë e tyre, u bë pikërisht duke akuzuar vetë viktimat si bashkëpunëtorë me një tjetër ideologji ekstreme të shekullit që lamë pas, me nazizmin.
Të vdekurit kanë një pikë të dobët: ata nuk mund të mbrohen dot vetë. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e qytetërimit. Kjo forcë na bën që ne të respektojmë pikërisht ata që nuk mbrohen dot, ndryshe nga barbarët dhe të paqytetëruarit, që kanë frikë e respekt vetëm për më të fortin. Monumenti i Qafë-Botës, duke kujtuar dhe respektuar ata që nuk mbrohen dot më, do të shërbejë pikërisht edhe si një shpallje e shqiptarëve të rinj, e shqiptarëve të shekullit XXI, ndaj qytetërimit të përbashkët europian.
FËMIJËT
E dini ku luajnë kalamajtë e pallatit tim? Në bodrumin e pallatit tim. Mblidhen diku rreth orës 7 pasdite, futen në bodrum dhe, mes makinave të parkuara përpiqen të luajnë një lloj futbolli të deformuar. Mes një peizazhi betoni, 12 kate pallat që rëndojnë në qiell sipër kokave të tyre, një copë sheshi e mbuluar edhe ai me beton dhe i mbushur me makina, një grykë e pjerrët e konturuar me trarë betoni, nga gjysmerrësira e së cilës dëgjohen zërat e tyre. Me makina është i zënë edhe një shesh i vockël i betonuar mbi tokë, por e mira e atij nën tokë është se nuk plas nga vapa. Të bukur kalamaj po rrit pallati im.
Ca të tjerë, që i kanë bábat me më shumë lekë, kanë tjetër argëtim. Kjo, jo se prindërit mund t’u sigurojnë më shumë hapësirë, por e kundërta, nga frika nuk i lënë të dalin fare nga shtëpia. I fryjnë me kompjuterë e lojëra elektronike nga mëngjesi në mëngjes.
Pasi rriten kështu vit pas viti e birucë pas biruce, këta kalamaj përfundojnë të luajnë në birucën tjetër të bodrumit të pallatit tim dhe pastaj do dalin në jetë për të ndërtuar Shqipërinë e së nesërmes, sipas asaj që kanë parë deri atëherë. Kuptohet se ç’do të nxjerrin nga duart. Do rrojmë e do shohim, po shenjat s’duken të mbara.
Gazeta “Shqip”